Karma që do t’i kthehet si bumerang Edi Ramës!

Opinione

Karma që do t’i kthehet si bumerang Edi Ramës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 23 janar 2023 Në ora: 17:45
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

“Karma është kurvë”, i tha kryeministri më i korruptuar në të gjitha vendet europiane presidentes së Parlamentit Europian. Edi Rama foli në panelin e Politico në Forumin e Cras Montana-s të Zvicrës javën e kaluar. U duk se këtë fjali cinike ia drejtoi të pranishmëve, por në fakt aty ishte presidentja e PE-së, Roberta Metsola, dhe ai e etiketoi drejtpërdrejt atë, si dhe Parlamentin Europian, edhe pse zonja Metsola është një nga mbështetëset më të spikatura të zgjerimit. Shkak i kësaj është skandali i Qatargait, në të cilin janë përfshirë disa eurodeputetë. Por jo vetëm kjo!

Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion

Arsyeja e këtij pohimi përçmues anti-europian është përkrahja që parlamenti europian ia dha Kosovës dhe paralajmërimet e tij ndaj Serbisë! Gjuha e Edi Ramës është gjuhë e egër, cinike, dashakeqe, e sëmurë, madje ngjitëse dhe e rrezikshme për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Është gjuhë e dasive, urrejtjes, hakmarrjes, dhunës dhe fyerjes edhe me partnerët dhe miqtë e Shqipërisë. Kjo vjen për arsye se ai i ka prioritet interesat e tij personale të pushtetit dhe pasurisë, e jo ato të shtetit, shoqërisë dhe kombit shqiptar.

Shihni çfarë ndodh?

“Karma është kurvë”, thotë Edi Rama në një event nga më të rëndësishmit në planet, përpara kamerave të sa e sa vendeve. Dhe këtë sarkazmë cinike të tij e transmetojnë live me entuziazëm ekranet tona televizive, si për t’u thënë shqiptarëve se “E shihni se si komandanti ynë përballet me Europën”!

Krahasimi është i njohur – Ka të bëjë me fjalimin e Enver Hoxhës të vitit 1960 në Moskë! Por dihen pasojat e një gjuhe të tillë edhe ndaj Perëndimit, të cilën e përdorte diktatori shqiptar! Por, ndërsa Enver Hoxha mbronte ideologjinë e tij staliniste, Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion. Ndërkaq gazeta e Beogradit “Blic” e së shtunës së kaluar ka zbuluar edhe diçka tjetër. Se karma e Edi Ramës na qenka qëndrim politik i kryeministrit të Shqipërisë në mbrojtje gjithashtu të Serbisë së Aleksandër Vuçiç. Në këtë kuptim shihet qartë se karma e Edi Ramës i flet në anglisht Serbisë! Se kryeministri i Shqipërisë ndërsa natën fle në Beograd, ngrihet në mëngjes për të goditur pas shpine Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndryshe nuk kishte asnjë arsye pse media e Vuçiqit, Blic, të heroizonte kryeministrin e Shqipërisë. Që në krye të artikullit thuhet se, “se Edi Rama vuri në dukje hipokrizinë e BE-së në Davos, ‘adresa’ kryesore e tij ishte kryetarja e Parlamentit Europian”. Dhe më tej gazeta e Beogradit shkruan për guximin e Edi Ramës për të thënë se nëse do ishin këto kushtet e pranimit në BE, gjysma e vendeve anëtare nuk do të ishin integruar! Një karshillëk ky i tipit Putin e Vuçiq së paku ndaj gjysmës së vendeve të Bashkimit Europian!

Marrëdhënia sidomos anti-Kosovë e Edi Ramës me presidentin e Serbisë është e thellë dhe e pabesë

Vërtet askush nuk e di pse duhet ky karshillëk dhe çfarë mirësie i vjen Shqipërisë nga kjo?! Duke mos gjetur arsye pro-shqiptare, gazeta Blic e Beogradit na kujton të vërtetën e hidhur: - Fjala e Edi Ramës në Davos i sjell dobi Serbisë! Gazetat e Beogradit jo rrallë hapen me lëvdata për kreun e ekzekutivit të Shqipërisë, ndërkohë që ato denigrojnë dhe etiketojnë me terma fyes dhe shpifës për Albin Kurtin, Madje këtë të fundit e kanë quajtur edhe “terrorist”, njësoj siç edhe Putin ka etiketuar Zelensky-n në Ukrainë. Prandaj dhe fjala e Ramës e qëndrimi i tij në Davos, përveçse shpreh një të vërtetë në lidhje me avokatinë e Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, synon njëkohësisht të ngjizë idenë fikse të Beogradit, sipas të cilit “Shqiptarët e Shqipërisë janë engjëjt, ndërsa ata të Kosovës janë djajtë, me të cilët nuk merresh dot vesh”!

Kjo thjesht për faktin se beteja e Serbisë zhvillohet në Kosovë dhe për Kosovën. Ajo nuk ka asnjë problem dhe pretendim ndaj Shqipërisë. E megjithatë kryeministri i Shqipërisë bëhet eksperiment për tezat anti-shqiptare serbe. Ndërkaq nuk mund të kalohet fakti se Shqipëria është vendi më i korruptuar i Europës. Ajo renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Gazeta “Blic” e Beogradit e ilustron shkrimin për Edi Ramën me një foto të tij së bashku me presidentin Vuçiq, një përdorim ky i përhershëm për medien serbe, me qëllim që të krijojë perceptimin publik në Serbi se “Lidershipi serb është në rrugë të mbarë dhe në të drejtën e vet, përderisa merr përkrahjen dhe avokatinë e kryeministrit të Shqipërisë”! Është ky një truk elektoral për përdorim të brendshëm politik, me të cilin presidenti serb synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në funksion të pushtetit të tij. Kësisoj të dy palët kujdesen të mbajnë njëri-tjetrin në pushtet. Por një gjë është e sigurt: - Në momentin që do të hapen arkivat e marrëveshjeve sekrete dhe bisedave po ashtu diskrete midis Vuçiqit dhe Edi Ramës, bashkëpunëtorët e mëhershëm në histori të Serbisë do të na duken ne shqiptarëve si “heronjtë” tanë. Sepse marrëdhënia anti-shqiptare dhe sidomos anti-Kosovë e Edi Ramës me presidentin e Serbisë është aq e thellë dhe e pabesë, sa askush sot nuk do të mund ta konceptonte. Dhe atëherë do të shihnim shumë qartë se vërtet “Karma është kurvë”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat