Letër publike ministres Albulena Haxhiu

Opinione

Letër publike ministres Albulena Haxhiu

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 6 mars 2023 Në ora: 11:09
Ministrja Albulena Haxhiu

Znj. ministre, 

Para disa javësh Gjykata Themelore e Prishtinës me aktgjykim urdhëroi Ministrinë e  Punës dhe  Mirëqenies Sociale-Departamentin e Pensioneve në Prishtinë të më paguaj borxhin e dy viteve të kaluara të pensionit kontribuues. Urdhëroi edhe që të vazhdojë pagesën e rregullt sipas dokumentacionit, dëshmive dhe dëshmitarëve që ia afrova gjatë tri seancave gjyqësore. 

 Avokati shtetëror, Naim Krasniqi, në emër të Ministrisë së Drejtësisë bëri ankesë ku shpif kundër meje më insinuata që s’të kap mendja e shëndosh. Vetëm një mendje e sëmurë, a një zyrtar i dehur mund të shkruante në ankesë se paskam  kërkuar dy pensione: pension invalidor të UÇK-së dhe pensionin kontribuues! 

Ku e gjeti ky centaur i drejtësisë së kapur që të më akuzoj se paskam kërkuar dy pensione?  Pse shpifi? Me gënjeshtra e shpifje synon ta vonojë zbatimin e ligjit? Me mashtrim përpiqet  të ve në lajthitje Gjykatën?  

Një digresioni: Kur para dhjetë vjetësh shpifësi Veton Firzi (ish sekretar i MKRS-së) me sulmoi me mekanizmat shtetërore, i shkrova letër publike H. Kuçit, atëbotë ministër i drejtësisë. I thash se drejtësia është e kapur. Ai përmes mikut tim, me dërgoi porosi se ishte i pafuqishëm. 

Mos me thoni edhe ju, znj. Ministre, Albulena Haxhiu se nuk keni gjë në dorë, se nuk keni pushtet mbi zyrtarin tuaj shpifës e keqpërdorues të detyrës zyrtare.  

Prokuroria e Shtetit ka punë edhe në Departamentin e Pensioneve në Prishtinë. Aty është lamë thiu. Prokuroria duhet të hetoj a janë zyrtarët e këtij departamenti të korruptuar? Të intrumentalizuar? Të urdhëruar nga lartë? Apo udhëhiqen nga inate personale? 

Ky departament gazetarët e “Rilindjes” i ka përzgjedhur me standarde të dyfishta. Disave si mua ua ka ndërprerë pensionin kontribuues edhe pse punojmë nga viti 1978-1999 në gazetë. Të tjerëvet që punojnë pas vitit 1980, 1982, 1984 me të drejtë u ka dhënë pensione, sepse i kanë 15 vjet përvojë punë në gazetë. Por pse na kanë diskriminuar neve që i kemi mbi 21 vjet përvojë pune? 

Asnjë gazetar i Rilindjes nuk ka paguar kontribute pensioni pas vitit 1990, sepse nuk ka lejuar shteti i Millosheviçit, por pjesa dërmuese e tyre e marrin pensionin. Pse ky standard i dyfishtë? 

S’ka gjë më të lehtë se sa të shfletohet gazeta “Rilindja” (1978-99) dhe të shihet se ishim gazetarë të Rilindjes. Por ata nuk duan t’i shohin faktet, punojnë prapa parvazeve me pëshpërime në vesh. 

Gjykata Themelore e Prishtinës i shqyrtoi faktet dhe vendosi që të me kthehet e drejta e pensionit, unë pensionin do ta marr herët a vonë, por me dhimbsen kolegët që i terrorizon Departamenti i Pensioneve në Prishtinë.

Gani Mehmetaj, shkrimtar, ish gazetar i “Rilindjes”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat