Escobar, Borrelli, Lajçak, me mendje tjetër apo atë të vjetër?

Opinione

Escobar, Borrelli, Lajçak, me mendje tjetër apo atë të vjetër?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 15 mars 2023 Në ora: 13:11
Escobar dhe Lajçak

I ngarkuari i DASH për dialogun dhe marrëveshjet Serbi- Kosovë, Gabriel Escobar, si dhe dy përfaqësuesit e BE- së,Josep Borrelli e Miroslav Lajçak, gjatë vitit të kaluar dhe 10 javëve të vitit 2023, kanë shkuar dhe ikur disa herë nga Beogradi dhe Prishtina!

Por për të mirën e serbëve e të keqen e ne shqiptarëve, nga deklarimet, veprimet dhe mosveprimet, kanë mbetur më së shumti, ata të parët!

Siç njoftohet nga mediat Escobar do t'i vizitojë përsëri Prishtinën dhe Beogradin, më 15 dhe 16 mars, para takimit Vuçiç- Kurti në Ohër, më 18 mars. Siç njoftohet nga DASH e nga Tanjug, Gabriel Escobar, si përfaqësues i DASH dhe SHBA- së, do të jetë i pranishëm edhe në këtë takim të ri apo të rradhës, të serialit të tejzgjatur Aleksandër Vuçiç- Albin Kurti.

Dëshira e mirë na shtyn të urojmë dhe shpresojmë (vakët) se nuk do të jetë ai i mëparshmi!  Domethënë, ai i njëanshmi dhe prepotenti, kryesisht me KRYEMINISTRIN e Kosovës, Albin Kurti, duke i bërë vetëm atij përçmime dhe presione dhe duke "harruar" ta bëjë të njenjtën gjë edhe me Vuçiçin!

Por, një ngjarje publike familjare e tij përjetuar në Beograd..., na shtyn edhe për një dyshim, shprehur në formë pyetëse e dhuruar nga vetë Gabriel Escobar. Ai, ndoshta edhe jo vetëm viktimë e nënshtrimit nga një ambicje dhe leverdi artistike apo e një kapriçioje femërore dhe të "diktaturës" të bashkëshortes mbi të, "harroi" se kjo veprimtari, në kulmin e bisedimeve marathonomike Kosovë- Serbi, shprehte publikisht qenien apo rënien e tij hapur në konflikt interesi!

Këtë "autogol" të tij e ka evidentuar dhe argumentuar saktë e bukur publiçisti dhe studjuesi i mirënjohur, Enver Bytyçi, në "BOTA SOT", 10 ditë më parë. Po këtë herë, a do ta ketë me vete gruan e tij piktore, Elisabeth, për një ekspozitë tjetër pikture në Serbi, pas asaj të hapur në Beograd në ditët e para të marsit dhe sponsorizuar nga "mikpritësit"! Merret me mend apo nënkuptohet lehtësisht, me dijeninë dhe miratimin e Aleksandër Vuçiçit...???!!!  

Nënkuptohet, se kjo "dashamirësi, kortezi dhe bujari serbe", jo e natyrshme dhe tradicionale,  nuk janë krejt falas, pa...asnjë paramendim, llogari dhe përfitim nga bamirësit e çiftit Escobar!   Shumëkush, logjikshëm mund të pyesë: përse keni si objektiv kryesor Escobarin dhe "harrohen" Borreli dhe Lajçak?

Natyrisht, nuk harrohen dy përfaqësuesit e BE- së! Arësyet më të rëndësishme janë dy! E para, Escobar, si përfaqësues i SHBA- së, ka peshë më të madhe ndikuese e përcaktuese! E dyta, sepse Borrelli dhe Lajçak, si shtetas nga dy vende dhe qeveri të BE- së, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk kanë pasur dëshirë, bile nuk kanë bërë as përpjekje ta fshehin, qoftë edhe trashë, njëanshmërinë e tyre individuale dhe institucionale!

Sepse, po të ishin ata të tre dhe SHEFAT e tyre në Uashington dhe Bruksel 100% të drejtë, objektivë, realistë, të paanshëm..., u takonte ta vinin me shpatulla pas murit Vuçiçin, në takimin e 18 marsit në Ohër! Pastaj, ta bombardonin me qortime, kritika, kërkesa, kushte të reja...! Boll, na keni lodhur e shpenzuar për 24 vjet ju serbët me këto kërkesa dhe pretendime absurde! Më 1878- 1881, më 1912- 1913, më 1945, më 1999, më 2008, falë edhe dashamirësisë dhe mbështetjes edhe të paraardhësve tanë, vetëm i keni marrë Kosovës çka ishte e saj!

Edhe për serbët në Kosovë mos bëni sikur nuk iu zë gjumi, sepse ata, falë Pakos së Ahtisarit, kanë shumë më tepër të drejta edhe se shqiptarët...!Tani njiheni sa më shpejt Kosovën si shtet të pavarur, bashkëjetoni e bashkëpunoni si fqinj të mirë e të sinqertë! Zbatoni të gjitha marrëveshjet e mëparshme e nënshkruani të reja! Rrisni nivelet e zhvillimit, mirëqenies, demokracisë, shtetit ligjor e social...!

Pas plotësimit të këtyre kërkesave dhe kushteve tona, do t'ju hapet më shpejt dera e anëtarësimit në BE! Për fatin e keq të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, kjo ka shumë më tepër mundësi të mos ndodhë, të mbetet e mjergullt ose të harrohet krejt, si një ëndërr...!

Megjithatë, më shumë me shpresë tek ZOTI, ne shqiptarëve na takon shumëfish më tepër se sa serbëve, qoftë takimi i Ohrit historik e jo si të mëparshmit, thjeshtë për formalitet... diplomatik!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat