Albin Kurti është një arrë e fortë që nuk thyhet lehtë

Opinione

Albin Kurti është një arrë e fortë që nuk thyhet lehtë

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 16 mars 2023 Në ora: 13:18
Albin Kurti

Me këtë nuk duam të themi se kryeministri i Kosovës, z.Albin Kurti, mundet gjithçka të vendos mbi gjendjen e përgjithshme edhe në këto çaste të vështira në marrëveshjet në mes Kosovës dhe Serbisë, por e kemi fjalën për diçka elementare, që është i vetmi kryeministër që Kosovën, po e vendos në barazpeshë me vendet tjera të lira dhe demokratike, duke e zhvendosur dhe tërhequr pak nga pak nga mitet e mykura dhe skëtërra e zgjedhës serbe dhe duke e drejtuar drejt vlerave të drejta njerëzore, në të cilat edhe vetë shoqëria demokratike e botës ka investuar me të madhe dhe i ka vlerësuar si të tilla.

Mesazhet e fundit të përfaqësuesit të BE-së, Mirosllav Llajçak, do ti quanim si me tendencë, sepse dukeshin pak sa të idhëta por edhe të pa matura, nga ana tjetër, të gjitha këto rrëmuja dhe presione të jashtme, ekzistojnë edhe rrëmuja të brendshme nga opozita, që dëshmojnë se janë shkaqe të cilat prodhojnë defekte të njëpasnjëshme në qeverinë e Kosovës dhe që vazhdojnë me avazin e tyre neveritës dhe pa «tavan», pikërisht në kohën më të duhur, kur Kosova ka nevojë më së shumti për një mbështetje për një marrëveshje paqësore me Serbinë, por edhe të avansohet në projekte të reja per një të ardhme më të mirë dhe në integrimet e Europiane.

Janë disa çështje shumë madhore për Kosovën dhe qeverinë e saj, por që janë ngulfatur nga politikat e brishta të pushteteve të kaluara, të cilat do ti quanim tranzite, por kanë lënë shumë pasoja dhe defekte, dhe sikur do të kishin pasë një jehonë të përbashkët në mes pozitës dhe opozitës, do të përfundonin pak më ndryshe, mirëpo defektet po na zëjnë frymën, sikur që është nënshkrimi i Asosacionit të komunave serbe në veriun e Mitrovicës, që po shkakëton një rrëmujë të pa qartë, dhe ky insistim edhe i ndërkombëtarëve, po na duket si një konstrukt i porositur, i cili po luan një rrol të shumëfishtë në dëm të Kosovës.

Projekti i Asociacionit të komunave serbe në veriun e Mitrovicës, dhe pothuaj se ky plan tani më është i fiksuar dhe i dizajnuar nga Beogradi, poashtu edhe sikur e ka marrë edhe miratimin e BE-së, mirëpo, kush mundet të garantoj se një plan i tillë nuk ka prapavija të këqija apo qëllime tjera politike e strategjike, të cilat qojnë në modulet e Bosnjes, edhe për Kosovën, duke e përshkallëzuar situatën me vazhdimin e ndonjë konflikti të ri, sepse brenda këtij asociacioni fshehet planifikimi i ndarjes teritoriale i këtij vendi, dhe formimi i një autonomie serbe brenda Kosovës.

Prandaj, ndër të tjera politika e qeverisë së Kosovës, ka rënë në një situatë të pa lakmuar dhe në nivelin e përgjegjësisë historike, që nuk mundet e vetme t’i tejkalojë këto situata të rënda pa ndihmën e ndërkombëtarëve, në veçanti të BE-dhe SHBA-ve, mirëpo nëse i cënohet integriteti teritorial i vendit të vet, apo copëzimi në teritore një-etnike, ashtu sikur e paraqet Serbia, në skemat e veta, atëherë këtu nuk kemi të bëjmë me marrëveshje paqësore, por me krijimin e parakushteve për një luftë të re në Ballkan, duke ia plotësuar synimet e Serbisë dhe Rusisë.

Për sëcilin vendim të rëndësishëm, që i përketë Kosovës, duhet të pyetën, apo të marrim vendime bashkë me të tjerët, sepse politika e Kosovës, ende është e varur nga politikat ndërkombëtare për deri sa çdo gjë do të qartësohet dhe rregullohet me Serbinë, e cila në realitet nuk do duhej të ishte ashtu e pa përgjegjshme me politikat e saj të njëjta dhe me njerëz që nuk kanë prirje dhe nuk pritet prej tyre ndonjë vizion optimist, nëse nuk bëhën ndryshime.

Edhe këto ditë në Ohër, të Maqedonisë Veriore, në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk pritet diçka e rëndësishme, siq parashihet nga opinioni i përgjithshëm, se do të bëjnë palët ndonjë nënshkrim të marrëveshjeve, duke iu referuar edhe planit franko-gjerman, sepse pala serbe dhe Vuçiqi, nuk është as guximtar dhe as i gatshëm, të bëjë asnjë lloj nënshkrimi, sidomos aty ku Kosova, kalon në avantazh, dhe nuk pengohet në organizatat ndërkombëtare, një gjë e tillë e mundon shtetin serb dhe e brengos deri në palcë.

Poashtu, edhe qëllimet e BE-së, janë ato, të cilat duken të brishta, sepse nuk përputhen me realitetin e Kosovës, gjegjësisht me popullatën shqiptare si shumicë, duke bërë « përputhjen harmonike » apo barazimin e shumicës shqiptare me pakicën serbe, e cila e ka vështirë të realizohet në këtë mënyrë, nëse e përdorim logjikën e shëndoshë, sepse një llogari e tillë vetëm do të prodhojë pasoja, duke ditur se shqiptarët janë shumicë dhe kemi të bëjmë edhe me minoritete të tjera.

Pikërisht këto forma dhe metoda nuk sjellin një përfundim të një mirëkuptimi dhe pajtimi në mes shqiptarëve dhe serbëve, nëse serbëve u jepen privilegje të tepruara dhe të caktuara, sikur në Kuvend, me vendet e tyre të rezervuara, poashtu edhe në rrafshet tjera politike e strategjike, të cilat lojëra po vazhdojnë dhe po përsëriten me forma të ndryshme provokuese, siq bënë Lista serbe, e cila është promovuese e gjitha organizimeve qëllimkëqija në veriun e Mitrovicës.

Mesazhet e fundit nga Beogradi nga emisari Llajçak, duke thënë, se pa formimin e Asociacionit, nuk ka marrëveshje në mes palës serbe dhe shqiptare, tingëllon në rrolin e një zëdhënësi të Vuçiqit, kur thotë në këtë mënyrë «urdhërore», duke e këshilluar Kosovën, në këtë formë, ndërsa për serbët dhe Beogradin, nuk paraqet asnjë lloj këshille dhe presioni.

Kosova dhe populli i saj, ka nevojë për mbështetjen e ndërkombëtarëve pa dallim, edhe pse gjithherë synojmë që të kemi një mbështetje të veçantië nga SHBA-të, duke njohur fuqinë dhe rrolin e tyre në Ballkan dhe në botë, dhe duke ditur se, Serbia, vuan akoma nga sëmundjet e theksuara me pretendime kërcënuese dhe pushtuese, e cila po tenton t’i ripërtërijë edhe njëherë ato plagë të freskëta, për t’a përsëritë historinë e saj të kobshme në Kosovë.

Prandaj, nga presionet e jashtme të ndërkombëtarëve, por edhe nga presionet e brendshme të opozitës kosovare, të cilat janë të bezdishme dhe të pa sinqerta, z. Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës, sikur do të ishte si një arrë me gëzhojë të fortë, që nuk thyhet lehtë dhe nuk bëhët vegël në shërbim të tradhëtarëve dhe despotëve të ndryshëm dhe në dëm të shtetit të Kosovës, kush do qofshin ata, që kanë qëllime të këqija për popullin dhe shtetin demokratik të këtij vendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat