Disa rekomandime konkrete për Asociacionin

Opinione

Disa rekomandime konkrete për Asociacionin

Nga: Dr. Ilir Hajdini Më: 18 mars 2023 Në ora: 20:44
Foto ilustrim

Kunderkërkesa e Qeverisë së Kosovës drejtuar asaj të Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave shqiptare në jug të Serbisë do të thotë se ne jemi të gatshëm të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Komunat serbe në Kosovë. Gjithashtu, kjo do të thotë se ne do të lejonim përfshirjen e nëntë komunave serbe nën një ombrellë në Kosovë, ndërsa do të kërkonim përfshirjen e dy/tre komunave shqiptare nën një ombrellë në Serbi.

Kjo kërkesë nuk është e mjaftueshme sepse edhe po të arrihej, shikoni disa nga pasojat e mundshme më poshtë:

- Raporti i komunave serbe në Kosovë në raport me komunat tjera shqiptare në Kosovë do të ishte shumë më i madh dhe më me ndikim sesa raporti i komunave shqiptare në Serbi në raport me ato serbe atje.

- Me kalimin e kohës, shqiptarët do të humbnin pothuajse të gjithë ndikimin në Serbi, duke parë organizimin, zhvillimin ekonomik dhe madhësinë e popullsisë serbe në raport me ato komuna shqiptare atje.

- Serbia do t'i ndihmojë serbët në Kosovë me burime njerëzore dhe financiare në atë masë që Kosova dhe Shqipëria nuk do të ta bënin kurrë. Kjo do të forcojë ndikimin e popullatës serbe në Kosovë.

Tani le të supozojmë se Kosova nuk ka alternativa refuzimin e asociacionit dhe shkëmbimin e territoreve (që është anashkaluar si një mundësi). Çfarë mund të bëhet tani?

1. Kosova duhet të kërkojë një rinumërim të popullsisë në të gjithë komunat me shumicë të supozuar serbe, duke mos lejuar që të vdekurit apo të zhvendosurit të regjistrohen si banorë nga dikush tjetër. Ne e dimë se shumë nga këto komuna kanë përjetuar ndryshime drastike demografike ku shqiptarët mund të përbëjnë gjysmën ose shumicën e popullsisë (p.sh. në Graçanicë apo Shtërpcë).

2. Kosova duhet të kërkojë paraprakisht që komunat si Graqanica dhe Shtërpça t'u lejojnë shqiptarëve të drejtën për t'u regjistruar si banorë në pronat që kanë blerë, si dhe t'u lejojnë atyre të drejtën e votës në zgjedhjet komunale. Në këtë mënyrë do të shmangej vazhdimi i shkeljes së të drejtave të njeriut në këto komuna, të cilat i lejojnë shqiptarët të regjistrohen vetëm si “resident” (qytetarë të rendit të dytë!).

3. Komunat të mund të bëhen pjesë e një asociacioni vetëm me komunat me të cilat ato kufizohen gjeografikisht.

4. Komunat e një asociacioni nuk duhet të mund t’ua ndalojnë shitblerjen e pronave qytetarëve të bashkive të tjera të Kosovës, të drejtën e votes, apo çfardo të drejtë tjetër që gëzon secili qytetar sipas kushtetutës së vendit.

Në këtë mënyrë, Kosova do të ishte në gjendje të zvogëlojë ndikimin negativ të asociacionit dhe të integrojë serbët dhe pakicat e tjera në Kosovë. Kjo është e mirë edhe për serbët sepse vetëm atëherë kur shumica e shqiptarëve nuk do t'i konsideronte ata si rrezik, vetëm atëherë do të kishte integrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat