Pranimi i propozimit evropian është kompromis tjetër i Kosovës

Opinione

Pranimi i propozimit evropian është kompromis tjetër i Kosovës

Nga: MSc. Agim Aliçkaj Më: 20 mars 2023 Në ora: 17:00
MSc. Agim Aliçkaj

Pranimi i propozimit të Unionit Evropian të përkrahur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, për “normalizim të marrëdhënieve” me Serbinë është një kompromis tjetër i Kosovës, pas planit të Ahtisarit dhe dhjetra marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë edhe ato të targave dhe zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Ky duhet të jetë kompromisi i fundit i Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare për hirë të paqes dhe sigurisë në Evropën Juglindore. Nëse ndërmjetësit dhe diplomatët perëndimorë nuk e çmojnë këtë, nuk e meritojnë respektin dhe bashkëpunimin e Kosovës.

Serbia kreu gjenocid ndaj shqiptarëve dhe lejohet të sillet si viktimë. Agresioni serb ndaj Kosovës po vazhdon pandërprerje. Ndermjetësuesit e lavdërojnë Vuçiqin edhe kur ai i refuzon dhe i nënçmon ata, apo kur vë kushte, ose bën kërcënime. Kosova kritikohet edhe kur e kërkon të drejtën e vet për të ekzistuar.

A mundet ndonjë njeri i mençur të na spjegojë pse duhet të bëhet Asociacioni serb para njohjes, përveçse për t’ja bërë qejfin Vuçiqit. Një krimineli potencial të luftës të shpallur më heret non-grata nga Unioni Evropian, një nxënësi të Milosheviqit dhe shërbëtori të Putinit. Perëndimit i duhet një despot dhe kriminel për ta kontrolluar shtetin e kriminalizuar serb, qoftë edhe në kurriz të Kosovës. Por, Kosova duhet të thotë MJAFT. Jo, në kurrizin tim.

Qeverisja aktuale Kurti-Osmani është duke bërë çmos për t’i përmirësuar gabimet katastrofale të qeverisjeve të mëparshme dhe për ta shpëtuar Kosovën nga shkatërrimi. Lëshimet e deritashme ishin të paevitueshme. Por çdo gjë e ka fundin.

Krijimi i asociacionit serb dhe çfarëdo lëshimi tjetër që e cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës është tradhëti kombëtare. Nëse sakatohet shteti, nuk na duhet miqësia me askend.

Opozita e Kosovës ishte e dështuar në qeverisje, është e dështuar edhe sot. Nuk e kanë asnjë propozim konkret, si të veprohet me ndërkombëtarët dhe si të detyrohet Serbia për ta njohur Kosovën. Politika e tyre bazohet ekskluzivisht në kundërshtimin e vendimeve të qeverisë Kurti, edhe kur është në interes të Serbisë.

Shtrohet pyetja çka fiton Kosova konkretisht para ose krahas implementimit të marrëveshjes evropiane, përveç premtimeve dhe fjalëve të mira. A do ta njohin pesë shtetet e mbetura të Evropës? A do të inkuadrohet në NATO ? A do të pranohet në OKB ? Apo sëpaku, a mund të nënshkruhet me Amerikën një Pakt i mbrojtjes dhe ndërhyrjes së saj, në rast se Serbia e cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës?

Përfundimisht, nëse Mediatorët dhe Diplomatët perëndimorë, nuk janë në gjendje të bëjnë presion të mjaftueshëm mbi Serbinë për ta pranuar planin e tyre të kompromisit, dialogu me Serbinë është i kotë. Kosova dhe kombi shqiptar duhet të përgaditën për mbrojtje me forcë nga Serbia. Rruga e vetme mbetet bashkimi kombëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat