Deklarata e Daçiqit, pas votimit të pranimit të Kosovës në KE

Opinione

Deklarata e Daçiqit, pas votimit të pranimit të Kosovës në KE

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 27 prill 2023 Në ora: 11:14
Ivica Daçiq

Shqiptarët gjatë historisë ne gjithmonë i kemi ndihmuar, në mbijetesën e tyre të vështirë. Tezën se kanë prejardhje pellazgo -  ilire gjithnjë i kemi kundërshtuar, sepse nuk dëshironim që të urreheshin nga popujt e tjerë.

Ne ishim fqinjët e parë të tyre. Bukën e kemi ndarë me ta. Sillnim serbë nga të gjitha viset në Kosovë, ku i gjenim e ku si gjenim, me të vetmin qëllim që tua lehtësonin jetën e përditshme.

Turqia i kishte lënë analfabetë dhe ne i udhëhiqnim në administratë, në pushtetin lokal dhe atë qendrorë. Kur dikush nga ta shfaqte besnikëri ndaj nesh, e përkrahnim dhe i ofronim ndonjë pozitë në pushtetin tonë.

Ne habitemi sot kur dëgjojmë se duan të ndahen nga ne, kur të gjitha mundësitë ua kishim ofruar për një jetë të qetë dhe normale.

Ne i çliruam me 1912 nga Turqia. U dhamë mundësi që të ndërtonin xhami dhe ta ushtronin të papenguar fenë e tyre. U sollëm imam nga Serbia dhe Rusia vetëm që të kishin mundësi, që t´i kryenin ritualet fetare në gjuhën arabe, gjë që edhe sot ashtu e bëjnë. Ua mundësonim, kush dëshironte, shkollimin në gjuhën serbe, sepse u mungonin kuadrot e veta.

 Në Luftën e Dytë Botërore po ashtu i shpëtuam nga regjimi i Enver Hoxhës, i cili i mbylli dhe i ndau shqiptarët, nga e tërë bota.

Ne më vonë ua plotësuam të gjitha të drejtat. Ua hapëm shkollat, universitetet, institucionet lokale, vetëqeverisjen lokale, i pajisëm me dokumente personale dhe udhëtonin anë e mbanë rruzullit tokësor. Shumë nga ta e keqpërdornin këtë liri dhe paraqitnin kërkesa për azil politik, duke e njollosur pa të drejtë Serbinë.

 Ua mundësuam të gjithë atyre të cilët e quanin veten turq, të shpërnguleshin përgjithmonë në Turqi. Ua morëm kishat dhe manastiret nën përkujdesjen tonë, duke e ditur se ata donin ta përqafonin myslimanizmin etj.

Me Greqinë i koordinonim planet që të përkujdeseshim për shqiptarët në tërë Ballkanin, prandaj tash kur Greqia abstenoi për pranimit e Kosovës në Këshillin e Evropës, ne mbetëm të befasua, të zhgënjyer dhe pa fjalë.

 Këtë nuk e kemi pritur nga shteti ynë mik, ortodoks, i afërt me ne në aspektin e politikës së përbashkët për shqiptarët.

E tërë Evropa, perëndimi dhe EU e dinin që Serbia ishte anëtare me të drejta të plota e Këshillit të Evropës, prandaj ne nuk e kuptojmë, pse ata insistojnë që ta pranojnë Kosovën, si njësi të veçantë.

Kosova e ka mundësinë që vetëm ta përqafojë sërish Serbinë dhe menjëherë do të ishte edhe pjesë e të gjitha institucioneve botërore dhe e Ballkanit të Hapur. Ne do të përkujdeseshim për shqiptarët dhe Kosovën, ashtu siç e kemi bërë në të kaluarën.

Ne protestojmë dhe jemi të zhgënjyer me Malin e Zi dhe Greqinë. Nuk i kuptojmë pse tash të deklarohen kundër nesh, kur gjithmonë gjatë historisë ishin në anën tonë.

Në shenjë proteste Bërnabiç - ka e anuloi vizitën në Greqi. Malit të Zi po ashtu ia bëmë me dije se herë do kur, do t´i hakmerremi.

Ne nuk i kuptojmë këto dy shtete që ta korrigjojnë politikën e tyre, duke e dëmtuar haptas Kosovën.

Unë personalisht jam vetë nga Kosova, prandaj do ta refuzoi çdo padrejtësi nda saj. Tash edhe kryeministri shqiptar Rama deklaroi se, nuk mund ta paramendoi EU pa Serbinë. Kjo dëshmon se cilët jemi ne për shqiptarët./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat