Turqia mes orientalizmit dhe oksidentalizmit

Opinione

Turqia mes orientalizmit dhe oksidentalizmit

Nga: Merxhan Jakupi Më: 9 maj 2023 Në ora: 17:46
Merxhan Jakupi

Që nga formimi i Republikës së Turqisë moderne e sekulare, më se 100 vjet Turqia ka pasur dy lidershipë, burra shteti karizmatikë, personalitete dhe figura të rëndësishme. I pari ishte Qemal Ataturku dhe i dyti, Rexhep Taip Erdogan. Ataturku ishte arkitekti i formimit të Republikës moderne sekulare të Turqisë. Mes këtyre dy liderëve ekzistojnë divergjenca dhe antagonizma. Ai ishte një revolucionar, ideolog sekularist, i inspiruar nga Revolucionin francez. Ishte një militant nacionalist dhe pan-turk. Teza e tij ishte: “Bir devlet-bir milet –bir dil ve bir-din” (Një shtet, një komb, një gjuhë dhe një fe). Ky i dyti, Taip Erdogani, është tradicionalist, neo-osman, nacionalist dhe islamist.

Pas formimit të Republikës së Turqisë, Ataturku sundoi me dorë të hekurt. Sipas ekspertëve të Lindjes së Mesme dhe të Turqisë, dy liderët: Ataturku dhe Taip Erdogani ishin autoritarë, autokratë dhe popullist. Më se një shekull, Turqia ka qenë mes orientalizmit dhe oksidentalizmit, do të thotë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes kazermave dhe xhamive, mes tradicionalizmit dhe modernizmit, mes Evropës dhe Azisë. Turqia deri në fund të viteve të 80-ta ishte shtet i Botës së Tretë dhe qeverisej në tri hallka. Elita politike e korruptuar, ish-bejlerët, ishin konvertuar në kapitalistë të egër që i takonin huntës militariste.

POLITIKA IZOLACIONISTE E ERDOGANIT

Në fillim të viteve të 90-ta, Turqia filloi të dalë nga dekadenca dhe prapambeturia. Pionieri i reformave ishte lideri Turgut Ozali. Turqia e dalë mbi gërmadhat e Perandorisë Osmane filloi të dalë në skenën globale në fillim të shekullit 21, që nga ardhja e partisë së AKP-së, me Taip Erdoganin, lider. Në dekadën e parë, Erdogan fillooi reformat, demokratizimin, hapjen, synimet për integrim me BE-në. Erdogan ishte një lidership me karizëm e reputacion, në lindje dhe perëndim. Në botën islame ishte si një “kalë Trojes”, si një kalif, idol dhe mit. Po ashtu, Erdogan ishte admirues në Ballkan tek shqiptarët dhe boshnjakët, por dhe tek te të krishterët ballkanas. Në dekadën e dytë, Erdogan, nga një demokrat, sidomos pas puçit më 2016, filloi të ndryshojë diskursin dhe impaktin politik. Sipas shumë sociologëve dhe psikoanalistëve, liderët burrështetas që kanë qeverisur deri në vdekje ose më shumë dekada, kanë pësuar ndryshime. Një ndër ta është dhe Putini, i cili pësoi ndryshime: në dekadën e parë ishte një demokrat, pacifist dhe properëndimor. Në dekadën e dytë, u bë një demon, përbindësh dhe frankenshtajn.

Presidenti Taip Erdogan ndryshoi paradigmën, duke e futur vendin në izolim. Ai prishi marrëdhëniet me shtetet aleate të Perëndimit, po ashtu ftohu marrëdhëniet edhe me shtetet e lindjes, si Egjiptin, Arabinë Saudite, shtetet e gjirit persik, përveç me Katarin që kishte marrëdhënie të mira. Përballë tyre, Turqia bëri si aleat Moskën. Duke parë se Turqia kishte më shumë armiq se miq, Erdogani filloi me daljen nga politika izolacioniste dhe u orientua në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet e Lindjes. Po ashtu filloi t’i ndërtojë marrëdhëniet edhe me shtetet perëndimore, duke përmirësuar dialektikën dhe diskursin e politikës së jashtme me SHBA-në dhe Gjermaninë.

TIGRI I ANADOLLIT S’DO TA NDËRROJË QIMEN

Më 14 maj të këtij viti (2023), do të ketë dy skenarë. Sipas disa analistëve, politologëve dhe sondazheve, Taip Erdogan (AKP) është me shumë avantazh për të fituar në zgjedhje kundrejt opozitës. Këto janë supozime, analiza dhe hipoteka. Fushata elektorale është shumë emotive dhe e tensionuar. AKP dhe Erdogani nëpër manifestime, tubime të qyteteve ka nxjerr slogane, spote me projekte prestigjioze e kolosale. Në qytetin Adana bëri hapjen e urës më të mashe, pastaj të centralit bërthamor, një projekt gjigant, si dhe ndërtimin e tuneleve, autostradave dhe proklamoi satelitin e parë turk në hapësirë. Është e vërtetë se për dy dekada të qeverisjes së AKP-së dhe presidentit Erdogan, Turqia doli në skenën globale dhe u bë fuqi rajonale, sot ka trupa ushtarakë në Siri, Libi, Azerbajxhan. Për dy dekada vendi radhitet në njërin ndër 13 shtete më të industrializuara dhe të zhvilluara, me nofkën “Tigri i Anadollit”.

Skenari i dytë, është fundi i erdoganizmit. Partia Socialdemokrate e liderit opozitar, Kemal Kiliçogllu, së bashku me katër subjekte politike krijuan frontin demokratik, me pretendime që në të ardhmen të qeverisin Turqinë. Sipas nocionit, thonë ata se deviza dhe premisa e opozitës është rikthimi i Turqisë në idealet, aspiratat e Gazi Ataturkut, Turqia në BE, me demokratizim, lirinë e medieve, rehabilitimin dhe lirimin nga burgjet e të dënuarve në procese politike e tjerë. Kemal Kiliçogllu është alevi. Shumica e alevive, së bashku me kurdët, janë majtistë, kurse tek shumica homogjene sunite, nacionalistët dhe tradicionalistët janë inferiorë ndaj tyre.

Turqia nuk ka pasur një demokraci konsensuale, si në demokracitë perëndimore, por për dallim nga shtetet e Lindjes, si dhe Rusisë, Turqia ka pasur kulturë, liri, pluralizëm. Turqia mbetet shtet më demokratik dhe me liri në tregun kapitalist të Lindjes. Shumica në perëndim, Erdoganin e kanë krahasuar me popullistë, autokratë, bashkë me Putinin dhe Urbanin. Në Turqi, në zgjedhjet e lira, dallimet mes pozitës dhe opozitës janë simbolike. Për shembull, në zgjedhjet presidenciale, Erdogan ka pasur një dallim simbolik të votave ndaj rivalëve të tij. Presidenti rus, Putin, në zgjedhje ka fituar 99 për qind të votave, që dëshmon se ai është një despot dhe diktator. Sipas analistëve dhe studiuesve të Lindjes së Mesme, pa marrë parasysh se cili subjekt politik në Turqi do të fitojë në zgjedhje, gjendja nuk do të ndryshojë. Nuk do të ketë ndonjë diskurs të ri gjeostrategjik dhe gjeopolitik. Turqia edhe në të ardhmen do të jetë mes Perëndimit dhe Lindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat