A po luhatet boshti Ankara - Beograd - Tiranë?!

Opinione

A po luhatet boshti Ankara - Beograd - Tiranë?!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 14 maj 2023 Në ora: 14:14
Sherif Ramabaja

Më afër që sot Erdogani t´i humb zgjedhjet, s´ka qenë kurrë. Vuçiqi i Beogradit është tronditur nga shkrimi i New York Times për lidhjet e tij me mafinë e Serbisë dhe vëllai i tij në Tiranë Rama, është tejet nervoz.

Një javë para zgjedhjeve në Turqi, Rama e kishte përshëndetur Erdoganin, duke i uruar fitoren e radhës.

EU dhe SHBA në anën tjetër do t´i gëzoheshin çdo ndryshimi në Turqi, duke shpresuar në largimin e sundimit autoritar të Erdoganit dhe kthimin e Turqisë drejt demokracisë.

Për fat të keq boshti Ankara, Beograd, Prishtinë dhe Tiranë ishte aq i fuqishëm sa të gjithë i kishin humbur shpresat se Thaçi, Erdogani, Vuçiqi dhe Rama do të zbritnin nga froni.

Së pari ishte Kosova e cila sipas rrethanave të njohura arriti të largohej nga boshti Ankara, Beograd, Prishtinë, Tiranë, por ndryshime të tjera nuk vëreheshin në horizont.

Nuk mund të besohet, por tash karriga e Vuçiqit ka filluar të luhatej, sidomos  me disfatën që po e pëson Putini në Ukrainë, kurse këto ditë u zbuluan lidhjet e tij të krimit, nga Gazeta amerikane New York Times.

Po ashtu edhe Rama vitet e fundit është kritikuar gjithherë e më shumë nga institucionet ndërkombëtare mbi blerjen dhe vjedhjen e votës, manipulimit dhe rolit të patronazhistëve, por edhe shtypjes nga ana e tij e fjalës së lirë.

Sot kur zgjedhjet po zhvillohen në Turqi dhe Shqipëri ekziston përshtypja se më afër se sot, për ndërrimin e pushtetit nuk ka qenë kurrë.

Nëse Erdogani dhe Rama nga zgjedhjet do të pësojnë humbje, po rrezikohet seriozisht boshti Ankara, Beograd, Tiranë.

Vuçiqi do ta ketë vështirë mbijetesën pa Ramën, Erdoganin e Putinin, prandaj edhe ai do t´i kishte ditët e numëruara.

Si duket edhe perëndimi është pajtuar që ta heq qafe Vuçiqin, sepse nuk i beson në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Shtrohet pyetja se pse pikërisht tash u zbuluan lidhjet e tij me krimin e organizuar në Serbi?

Perëndimi nuk është se nuk i ka ditur këto gjëra mbi Vuçiqin, por tash është momenti për eliminimin politik të tij, kur gjithçka është duke penguar.

Pra siç po duket ka gjasa jashtëzakonisht të mira, në shpërbërjen e boshtit Ankara, Beograd dhe Tiranë.

Ky bosht ishte shumë i fuqishëm derisa brenda tij funksiononte edhe Prishtina, po tash është dukshëm i dobësuar.

Me rënien e këtyre autokracive apo edhe diktaturave të rrezikshme, pritet një fillim i ri për rajonin dhe sidomos për Ballkanin, ku faktori shqiptar pritet që të forcohet dukshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat