Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe Albin Kurti

Opinione

Ibrahim Rugova, Adem Jashari dhe Albin Kurti

Nga: Skënder Kapiti Më: 8 mars 2024 Në ora: 11:45
Skënder Kapiti

Pavarësisht bindjeve politike, u takon intelektualëve të mirëfilltë që realitetin dhe të vërtetat t’i respektojnë dhe t’i thonë ashtu siq janë. Vlerësimi dhe kritika duhet të jenë sa më objektive, reale dhe sa me të argumentuara: duhet të jenë jo emocionale e jo subjektive dhe me gjykim të lirë dhe me arsye sa me të pastër dhe të pandikuar politikisht.

Çdo kohë nxjerr personalitete të shquara të cilët bëjnë historinë dhe hyjnë në Tempullin e Lavdisë, dhe të cilët populli i përkujton, memorizon  dhe krenohet me ta për punën, veprën dhe për kontributin e sakrificat e tyre për të mirën kombëtare, për lirinë, pavarësinë  dhe sot për mirëqeverisjen, shtetin ligjor dhe demokracinë.

Dhe është po koha ajo e cila i nxjerr nga Tempulli i Lavdisë të pamerituarit, sepse aty nuk ka vend për tradhtinë, as për lavdinë e rreme e mashtruese të atyre që e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin autoritetin dhe fuqinë e pushtetit për interesa personale e korruptive.

Kështu ndodhi edhe në Kosovë në këto 35 vitet e fundit, kohë e cila nxori në skenë ngjarje dhe personalitete të shquara kombëtare.

Kur Jugosllavia po ndahej e shpërbëhej, në Kosovë filloi lëvizja mbarëkombëtare nën drejtimin e Rugovës për liri, pavarësi dhe shtetësi duke shfrytëzuar mjaft mirë  faktin se në botë tashmë po fitonte doktrina amerikane e lirive dhe të të drejtave të njeriut kundër dokrinës diktatoriale të marksizëm-leninizmit.

Kjo ishte lëvizje demokratike e paqësore  dhe jo e armatosur sepse në atë kohë  Kosova nuk kishte mundësi  për luftë të armatosur, dhe se kundër Kosovës ishte e gjithë Jugosllavia, dhe se Serbia ishte një ndër shtetet më të fuqishme ushtarakisht të Europës. Në atë kohë nuk ishin pjekur kushtet për rezistencë të armatosur, dhe në atë kohë as Shqipëria nuk e mbështeste Kosovën sepse ishte e dobët pas rënies së komunizmit dhe madje Shqipëria shkeli embargon ndërkombëtare dhe furnizonte me karburant Serbinë; kërkonte autonomi për Kosovën dhe madje ishkryemistri Nano deklaronte se kryeqytet i Kosovës është Beogradi.

Më vonë kur Serbia u diskreditua si shtet kriminal e genocidist me luftrat e saj agresive kundër Kroacisë e Bosnjës atëhere në Kosovë filloi dhe shpërtheu lufta e armatosur kombëtare e UÇK-së  e komandantit legjendar Adem Jashari, luftë e cila me mbështetjen e fuqishme të NATO-s nën drejtimin e SHBA-ve coi në clirimin e Kosovës dhe në shpalljen e Pavarësisë Shtetërore të saj.

Pavarësia dhe krijimi i Shtetit Shqiptar të Kosovës i hapi rrugën ndërtimit të shtetit modern republikan demokratiko-ligjor, shtetit të standateve moderne për zbatimin e Demokracisë, Ligjit,Kushtetutës dhe të zbatimit të Sovranitetit Shtetëror, gjë të cilën po e kryen qeveria Kurti në mënyrën më të përgjegjshme dhe shëmbullore.  

Ibrahim Rugova është personalitet i shquar kombëtar me të cilin identifikohet merita e jashtëzakonshme e sfidës së guximshme  që ai i ka bërë në rrugë intelektuale, paqësore, politike e diplomatike kunder shtetit dhe regjimit krimial dhe genocidial serb. Ai kishte vizionin për ndërkombëtarizimin e cështjes shqiptare të Kosovës; në gjetjen, sigurimin dhe mbështetjen  e miqve e aleatëve dhe në ndërgjegjsimin ndërkombëtar të botës demokratike për ekzistencën dhe për zgjidhjen e cështjes kombëtare shqiptare të Kosovës për lirinë, pavarësine dhe për shtetin e pavarur të Kosovës.

Adem Jashari është simboli i qëndresës dhe rezistencës së armatosur. Sakrifica sublime e tij dhe e familjes së tij  është  rast unikal në historinë botërore për liri e pavarësi kombëtare. Me Komandantin Legjendar Adem Jashari identifikohet lufta e madhe heroike e UÇK-së, vepër e cila është ngjarja më e madhe epokale dhe kulmore në historinë e shqiptarëve. Adem Jashari dhe qëndresa heroike e tij dhe e familjes Jashari u bë simbol dhe frymëzim i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Pa luftën heroike të  UÇK-së dhe pa  mbështetjen e SHBA-ve e të NATO-s Kosova nuk do kishte fituar pavarësinë dhe shtetin.Pa luftë, pa sakrifica dhe pa gjak heronjsh e dëshmorësh askush nuk e ka fituar lirinë,pavarësinë dhe shtetin sovran.

Albin Kurti vlerësohet sot si kryeministri shqiptar  më i përgjegjshëm, më i pakorruptuar dhe si shërbëtori më i përkushtuar ndaj shtetit dhe shoqërisë.Kështu ai duket dhe  është sot sepse kështu po punon  që kur ai e ka marrë detyrën e kryeministrit.E di se vlerësimi  për Kurtin nuk do u pëlqejë korrupsionit dhe të korruptuarve, opozitës politike të sotme në Kosovë por as kryeministrit e politikës së Tiranës, pikërisht për këto arësyre dhe pse Kurti sot po lufton korrupsionin dhe nuk bën asnjë kompromis me të; sepse Kurti sot po mbron e zbaton sovranitetin shtetëror dhe se po mbron e zbaton  Ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat