Ishte i pritshëm dhe i justifikueshëm interesimi masiv për intervistën në Syri Tv, më 29 korrik 2024, rreth orës 21.00-23.00, me gazetarin e mirënjohur Çim Peka e njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të kryeministrit Edi Rama, e ish zv.kryeministrit dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Siç dihet, prej rreth 1 viti ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, me akuzat nga SPAK dhe GJKKO e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë i pasurive”; të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer 6 herë; “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë” Merret me mend dhe u shpreh edhe në rrjete sociale gjatë intervistës se shikuesit ishin ndarë në dy kampe.
Një palë, ajo “e majtë”, proqeveritare dhe edramiste, e kanë ndjekur rrëfimin e tij të ri me zemërim, përbuzje, sharje, fyerje, duke e etiketuar edhe si “renegat” apo “bukëshkelës”, sidomos ndaj Edi Ramës. Këta “harrojnë” se është shumë më e lehtë, më e pranueshme dhe më e përtypshme mosmirënjohja ndaj Edi Ramës se sa nëpërkëmbja e vetvetes si dhe e interesave madhore të vendit, popullit, kombit, pasurive shtetërore...! Me njeri-tjetrin e me të tjerë, këta spektatorë “të majtë” janë bashkuar edhe në kryqëzatën për t’i minimizuar apo çvleftësuar krejt kritikat, akuzat, faktet...që publikoi në mbrëmjen e 29 korrikut Arben Ahmetaj. Këtyre që shprehen vullnetarisht, për sipërfaqësi shikimi e mungesë vëmendjeje gjatë gjithë intervistës ose për "detyrë partiake e zyrtare" se "nuk dha ndonjë të re Arben Ahmetaj", do t'u bëja thirje t'i vënë vetet në pozitën e tij e të mendojnë se si do të vepronin ata në këto kushte, me një mal me rreziqe mbi kokë apo me një “lukuni ujqërish e hijenash” përreth!? Por, do t'u kujtoja edhe se shumë prej këtyre kritizerëve dhe nihilistëve të Ahmetajt, vetë nuk bëjnë një "like" e jo më komente njëmendësie dhe mbështetjeje për shkrime me kritika ndaj qeverisë, nga frika se mos i heqin nga puna në shtet ata vetë, fëmijët, nuset, dhëndurët...!? Kampi i dytë, ai “i djathtë”, opozitar, “i pavarur” kanë pritur që Arben Ahmetaj të bënte për 2 orë atë punë apo përmbysje që ata nuk po e bëjnë prej mbi 10 vitesh në parlament dhe në sheshe protestash...!?
Gjithsesi, “i penduari” me sinqeritet 100% apo me firo të ndjeshme, Arben Ahmetaj, në këtë intervistë dy orëshe dha aq shumë fakte sa SPAK-ut dhe GJKKO-së e institucioneve të tjera të drejtësisë në Shqipëri, u është hapur punë, e pakta, për dy vjet! Sipas gjykimit tim subjektiv, pa u ndikuar fare nga nisja qysh para transmetimit e kryqëzatës denigruese ndaj Arben Ahmetajt dhe nihilizuese ndaj intervistave të tij, edhe mbrëmë, më 29 korrik 2024, ai dha shumë fakte të fortë apo shumë shprehës në adresat përkatëse e me emra konkretë, duke ia lehtësuar ndjeshëm punën dhe lodhjen SPAK-ut...!
Natyrisht, mund të jepte edhe më shumë fakte e dokumente, ca edhe më të fortë apo figurativisht, kryqëzues! Por, bëjmë mirë të kujtojmë dhe kemi parasysh edhe situatën e tij, vetiake dhe familjare, nën kërcënime shumëformëshe e të vazhdueshme, nga individë, grupe, institucione qeveritare e shtetërore si dhe nga "segmente" mafioze shqiptare e ndërkombëtare, fshehur si me "gjethe fiqsh Berati" me përrallën e mungesës së lidhjeve me individë të plotpushtetshëm në Tiranë, në të tre nivelet e “piramidës” qeveritare e shtetërore! Bile, edhe ndaj fëmijëve të tij në Shqipëri e ndaj tij personalisht, deri në Zvicër, atje "ku fshihet" apo mbrohet! Po kujt i foli mbrëmë e cilëve ua dha këtë "thesar" faktik e juridik Arben Ahmetaj??? E keqja e jonë si popull, shoqeri, vend e në fund fare e Ahmetajt është se SPAK- u, sidomos SHEFI i tij, të akuzuar edhe më 29 korrik 2024 rëndë e drejtpërdrejtë e jo për të gjitha pa të drejtë, "shikon dhe dëgjon fare PAK" ose në çastet kur ia heq Edi Rama duart e tij si "putra ariu" dhe "bllokuese të tjera rrethanore" nga sytë, veshët, goja...!
Shumica e popullit, sidomos ai "i majtë", enveristo- edramisto- patronazhist..., ka rreth 10 vjet që shikojnë e dëgjojnë me sytë dhe veshët e Edi Ramës e të mediave të tij...Ose, i presin ndryshimet dhe të mirat nga opozita në tokë prej 10 vitesh bërë copë e si në gjendje kome, ose nga ZOTI në qiell, si dhe nga ndërkombëtarët në Uashington e Bruksel. Shumica e ndërkombëtarëve me firma të rënda për zhvillimet në Shqipëri, ndoshta edhe mbrëmë kanë qenë shumë të zënë, duke ngrënë "peshq e mishra" të pjekur në hell, shoqëruar me verëra të shtrenjta...italiane, spanjolle...! Ambasadorët e vendeve kryesore e që kanë hedhur në "detin e Surrelit", nëpër dosjet, "veprat", xhepat... e Ballukut, Veliajt, Krifcës, Beqajt... me soi e sorollop miliarda euro për inceneratorë dhe projekte të tjerë në letra..., ndoshta mbrëmë "kanë qenë në ndonjë plazh...".apo restorant luksoz...Pra, Ahmetaj u foli mbrëmë "të verbërve dhe shurdh- memecëve"...!
Larg qoftë, mos ndodhtë që edhe bollëku me fakte që dha në mbrëmjen e 29 korrikut 2024 socialisti Arben Ahmetaj të mos përfundojnë si ato të parat prej tij, të RAI 3, opozitës shqiptare, portaleve të pavarura...në Lanë ose në ndonjë incenerator me makineri dhe teknologji të rreth 60 vjetëve më parë! Por, nëse do të kishim SHTET dhe DREJTËSI TË PAVARUR, sot në mëngjes ose e shumta, deri nga fundi i ditës së punës, mbi tavolinat e mëdha e të rënda nëpër kabinete të atyre pushtetarëve të lartë që "përmbyti" me fakte "i penduari" Arben Ahmetaj, duhet të jenë "ftesat" nga SPAK!!! Nënkuptohet: nëqoftëse u jep leje apo urdhër...kryeministri Edi Rama!!!??? Ose, edhe me një dozë humori në grotesk: nëqoftëse do të kishin mundësi të konsultoheshin me Aranit Çelën dhe Rapi Minon në ferr e do t'ua këshillonin edhe këta të dy...!