Protestat e serbeve mbi urë e dëshmojnë edhe një motivim të shëmtuar

Opinione

Protestat e serbeve mbi urë e dëshmojnë edhe një motivim të shëmtuar

Nga: Dedë Preqi Më: 8 gusht 2024 Në ora: 16:48
Autori Dedë Preqi

Të nxitur e të stërvitur nga Aleksandër Vuçiq, serbët servil në veri të Kosovës, dolën në protesta, duke kundërshtuar hapjen e urës mbi lumin Ibër, që e ndanë këtë vend në dy pjesë, në atë jugore me shumicën shqiptare dhe atë veriore me komunitetin serb, ku përmes këtyre protestave dhe ankesave të tyre të paqena dhe të rrejshme kundër qeverisë së Kosovës, e dëshmojnë se janë pre e politikave dhe intrigave të Beogradit.

Protestuesit e tillë serb, së pari do duhej të shohin me sytë e tyre, por dhe të binden se politikat e Vuçiqit, janë politika të rrejshme dhe përçarëse në mes dy etnive, sepse hapja e urës mbi lumin Iber, nuk paraqet rrezik për asnjërin etnitet, por qarkullimi i lirë i popullit dhe me mjete motorike pa përjashtim, do të mundësohet dhe zhvillohet më lehtë dhe më e sigurt jeta në këtë vend.

Do të ishte e çuditshme se pse serbët që jetojnë në Kosovë, nuk shohin me sytë e tyre dhe nuk mendojnë me kokat e veta, por për jetën e tyre në Kosovë, shohin dhe mendojnë me kokën e Vuçiqit, i cili nuk e çanë kokën për ta, por vetëm i përdor për interesa të veta politike.

Pse serbët e këtij vendi, po sjellën dhe po bëhen mos mirënjohës të shtetit të Kosovës, i cili ua pagoi të gjitha shpenzimet e rrymës dhe ujit, që mbas luftës dhe deri më sot, dhe ky popull sikur nuk pajtohet me shërbimet dhe përkujdesjet e tilla, duke kundërshtuar çdo ligj dhe shërbimet e këtij vendi, ku janë lindur dhe rritur në këtë vend dhe ambient, të cilin kurrë nuk do e gjejnë më mirë, sepse po ta kishin gjetur më mirë nuk do të kishin qëndruar në Kosovë.

Çështja e hapjes së urës nuk po del si e thjeshtë, nëse qeveria Kurti, po merr kritika të ashpra dhe të pa mëshirshme, duke e sugjeruar që mos ti kalojë vijat e kuqe përmes iniciativës së hapjes së urës mbi lumin Ibër, sepse do ta përkeqësonte situatën dhe bashkërenditjen me ndërkombëtarët.

Edhe QUNT-i, në Kosovë, dhe BE-ja, në konsultim me NATO-n, sikur e kanë një qëndrim të përbashkët për mos hapjen e kësaj ure mbi lumin Ibër, pa pëlqimin e palës serbe në Beograd, duke e futur këtë temë në agjendën e negociatave të mëtutjeshme në mes palëve në Bruksel.

Duke e ditur se, ideator i gjithë kësaj skene është Aleksandër Vuçiq, i cili paralajmëron se hapja e urës mbi lumin Ibër, paraqet rrezik për serbët e veriut, duke shantazhuar dhe gënjyer me këto propaganda serbe, përndryshe, ky është në gjendje që të ndërhyjë me ushtrinë e vet, për ti ndihmuar serbët e këtij vendi, kinse po «maltretohen» nga qeveria e Albin Kurtit.

Ndërkaq, edhe mbas 25 viteve të çlirimit të Kosovës, nga regjimi serb, dhe pas një ecjeje nëpër somnabulizmin politik që përjetuan shqiptarët e këtij vendi, bëhet vetë zbulimi i fytyrës së shëmtuar shofene dhe të nacional-ekspansionizmit të tipit «millosheviqian» dhe tani «vuçian», që po paraqitet kudo dhe po investon me të madhe, për ta ndarë, ose për ta riokupuar Kosovën.

Dhe pastaj, qëllimi i kësaj shkolle të vjetër politike, për të formuar një etni të pastër serbe në veri të Kosovës, përmes një Asociacioni një etnik serb në veri të këtij vendi, që do ti hapte dyert e krijimit të një autonomie serbe në Kosovë, që më vonë do të shtetëzohet dhe pavarësohet si i tillë brenda apo jashtë këtij vendi në modelin e Bosnjës.

Vuçiqi po i mashtron serbët e Kosovës dhe gjithë serbët tjerë, sepse këtij politikani përçarës dhe luftënxitës nuk i intereson gjendja dhe mirëqenia e në veçanti gjendja e serbëve të Kosovës, të cilët po i përdor si vegla instrumentale dhe servile për qëllime të veta politike dhe strategjike, duke i mashtruar në forma të ndryshme për ta ruajtur pozitën e vet dhe pushtetin autoritar në Serbi.

Nga këto arsye dhe të tjerat, do ta quanim të pa qartë edhe vizionin e tillë dhe qëndrimin e atyre( Bashkësisë Ndërkombëtare), që e mbështesin politikën dhe ideologjinë e Vuçiqit, i cili po ekspozohet hapur para botës se, nuk ka qëllime të pastra ndëretnike, apo të bashkëjetesës dhe bashkë harmonisë së popullit serb dhe shqiptarë në Kosovë, por investimi më i madh dhe tragjik i këtij lidershipi serb, është që të krijojë dis-harmoni dhe nxitje të konflekteve në mes këtyre dy popujve.

Dhe në këtë rast, sikur çështja e urës mbi lumin Ibër, po e nxjerr yndyrën mbi «përshesh», sepse hapja e kësaj ure po paraqet çelësin e fshehur dhe prapaskenat e politikës serbe në bashkëpunim me aleatët e saj, por Kosova dhe popullata shqiptare si shumicë e këtij vendi, do ta dëshmojë se janë të atillë si gjithë herë në favor të lirisë, të paqes dhe bashkëjetesën ndër njerëzorë në këtë vend, duke e ruajtur miqësinë e përhershme me aleatët e vet ndërkombëtar, në krye me SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat