Ka kohë që ekziston një rivalitet i fortë mes Albin Kurtit dhe Sami Lushtakut, aq sa Lushtaku e ka krahasuar Kurtin me Millosheviqin. Nisur nga ky prizëm, po portretizohet situata e fundit në Drenicë, ku, ndërkohë që Albin Kurti po vazhdonte për të hyrë në sallë për tubimin elektoral të radhës, janë hedhur fishekzjarrë dhe mjete piroteknike në drejtim të tij. Mbrojtja e afërt e kryeministrit ka reaguar menjëherë duke e mbuluar me çadra Kurtin dhe deputetët e VV-së.
Ndërsa, para pak minutash, janë dëgjuar dhjetëra simpatizantë të PDK-së duke brohoritur: “Na jena PDK,” pak metra larg nga vendi ku po mbahej ky tubim. Pas saj, njëra ndër figurat kryesore të VV-së, aktualisht ministre e Drejtësisë, ka akuzuar Sami Lushtakun si arkitektin e këtij sulmi, gjë të cilën e ka mohuar Lushtaku.
Albin Kurti e ka quajtur Lushtakun si njeriun "e fortë", të cilit nuk ka guxuar askush "t’i prekte terminalin në Elez Han", e që qeveria e tij e ka bërë. Kështu që, deri tani është arrestuar njëri i afërt me PDK-në, por ende nuk dihet nëse është nxitur nga Samiu, apo e ka bërë nga vullneti i tij, apo nga dikush tjetër. Por, ajo që duhet të thuhet është se Drenica është tokë e lirë dhe kushdo nga liderët e partive politike ka të drejtë të bëjë fushatë.
Drenica nuk është as e Samiut dhe as e dikujt tjetër, është e Adem Jasharit dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Njëra palë akuzon, e tjetra mohon; kështu do të mbetet, me shpresën se prokuroria do të zbardhë të vërtetën.
Uroj që kjo fushatë të mos agravojë, por të jetë brenda normave, me rezultatin e zgjedhjeve që duhet të respektohet nga të gjithë. Samiu duhet të distancohet nga sulmi nëse vërtet nuk është i përfshirë.