A duhet të heshtim përballë së keqes?

Opinione

A duhet të heshtim përballë së keqes?

Nga: Gjon Marku Më: 11 shkurt 2025 Në ora: 13:53
Autori Gjon Marku

Si një pëshpërimë që vërvitet mbi të keqen, mbi hidhërimin, mbi vdekjen dhe që në njëmendësinë (realitetin) e përditshëm vjen ngado, prej disa njerëzve të bindur dhe të vetëdijshëm e me një dëshirë të brendshme, edhe pse të pakuptueshme, për të bërë keq. Po pse? A mund ta dimë në fakt se çfarë është e keqja dhe pse dominon dëshira e tyre për të bërë keq, dëshira për të shkaktuar frikë apo për të bërë padrejtësi në çdo moment? Ata përpiqen ta arrijnë këtë vetëm nëpërmjet mashtrimit, deri në maksimum; mjafton të arrijnë pushtetin dhe të dominojnë mbi të tjerët, duke shënjuar zinxhirin e ligësive. Dhe, për të përligjur të ligën që kanë bërë, sërish kryejnë një tjetër të ligë apo padrejtësi, krejt në mënyrë të pashpjegueshme.

Kjo sot haset në rrafshe të ndryshme të jetës, deri tek ajo shpirtërore, ku e keqja lulëzon dhe mundohet të mposhtë e ta përçudnojë të drejtën dhe të vërtetën. Do të mjaftonte të shihnim vatrat e nxehta të luftrave shkatërruese në disa vende të botës. Po pse të shkojmë aq larg? A nuk e shohim dhe prekim këtë realitet në jetën tonë të përditshme, deri tek kolegu i zyrës me të cilin punojmë, i cili institucionalizon dhe krenohet se gjithçka që ka arritur e ka falë vjedhjes, mashtrimit, paburrërisë, korrupsionit e deri te depersonalizimi i tij tërësor? A nuk shohim përditë që padituria, në tavolina ku dituria është kusht i panegociueshëm, balancohet nga injoranca dhe ligësia? E gjithë kjo ligësi buron nga thellësitë më të errëta të trupit dhe dominon shpirtin.

A nuk e shohim këtë në gjuhën e rëndomtë që përdorin këta njerëz, të cilët mbajnë gjithnjë me vete një hije hutimi, që në fakt duket se merr jetë në strategjinë djallëzore të konceptuar deri në imtësi, në funksion të vjedhjes, poshtërimit, mashtrimit dhe depersonalizimit të njeriut që i kanë diçka në dorë apo që i lidh një punë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me ta?

Këta njerëz janë të gatshëm të sakrifikojnë individualitetin e tyre dhe, për më tepër, personalitetin e tyre për një iluzion madhështie që dominon nga pikat më të errëta të ndërgjegjes së tyre.

Po të shohim rrjedhat e kohës, gjejmë të shkruar vepra letrare ku dukuri të tilla janë përshkruar ose kanë marrë jetë nëpërmjet vetë veprave mbi sistemet tiranike, mbi diktaturat dhe mbi mënyrat e ndryshme të ndëshkimeve që i bëjnë njerëzit ndaj njëri-tjetrit.
Njeriut të drejtë dhe të virtytshëm, e mbi të gjitha intelektualit, shpesh i vjen të ulërijë kur sheh hutimin e përgjithshëm që shkakton nxjerrja e të përbetuarve apo e të drejtëve e të ndershmëve para gjyqit. Shpesh, njerëzit nuk u besojnë syve të tyre dhe realitete të tilla sjellin pasoja të njëpasnjëshme, pa u ndëshkuar apo pa u llogaritur kurrë dëmi që është shkaktuar nga pushtetari i padenjë apo hajduti, nga një gjysmë i shkolluar që bëhet shef apo drejtues i një bërthame, e aq më tepër i një institucioni lokal apo qendror.

Këtu merr jetë edhe një duf i mbushur me urrejtje dhe hakmarrje të ashpër, por krejt të arsyeshme, një nerv instinktiv që shkakton kaosin dhe ankthin metafizik.

E gjithë kjo ka pasojat e veta të pariparueshme, me një kosto të madhe, dhe vjen si një kundërthënie e së keqes që dominon mbi të mirën. Kjo e keqe duket se ka gërmuar thellë në shpirtin njerëzor.

Njeriu e ka pjesë të natyrës së tij të fshehë maskën e vet, duke u përpjekur t’i vërë fytyrës së vërtetë një maskë të pazbuluar gjatë gjithë jetës, edhe pse njeriun e ndjek fytyra e tij e vërtetë deri në vdekje.

A nuk ka ndodhur kështu me ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta, i cili arriti të shfaqë cilësitë e tij si një vagabond, hajdut dhe arrogant deri në ekstrem? A nuk patëm një model të tillë me Ministren e Bujqësisë, znj. Krifca, e cila fliste për Akademi Barinjsh, por fondet i vidhte dhe ia jepte të vëllait? A nuk kishim një model të tillë me Beçen apo me ministra dhe kryetarë bashkish të tjerë? A nuk na fliste për moral dhe akuzonte gjithkënd për të pandershëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili sot është prapa hekurave?

Errësira nuk është vetëm një element i mungesës së qartësisë, por gjithashtu mbizotëron jo vetëm mbi koshiencën dhe ndërgjegjen e individit. Vetë errësira është pjesë e jetës dhe e natyrës njëherësh. A nuk kemi pasur një terr informimi apo një dezinformim rreth tyre derisa ato kanë përfunduar në koshin e plehrave si të tillë? Por dëmi që kanë shkaktuar ata është i pallogaritshëm; janë dhjetëra miza dheu poshtë që kërkojnë të institucionalizojnë vjedhjen dhe krenohen me marrëzitë e tyre të ndyra.

Shpesh në jetën tonë na ka rastisur të shohim fytyra njerëzish që, edhe pse të bukur, nuk kanë asnjë lloj shijeje apo ndjesie njerëzore, pikërisht sepse kjo e fundit është shpirtërore dhe pasqyrë e botës së brendshme të gjithsecilit. Njerëz që fjalën nuk e kanë më fjalë, pale më të flasim për besë dhe individë me personalitet jo e jo. Përkundrazi, brenda tyre duket se gjendet helmi i së shëmtuarës, keqdashjes dhe mungesës së çiltërsië përballë gjithë asaj që në një farë mënyre mbart në duar çelësin e lirisë njerëzore dhe të mirësisë shpirtërore, në caqet e thella të së cilës gjendet ligësia.

Kjo ndodh edhe në zyrën e punës, ku kolegu që shquhet dhe i ka tipike këto cilësi, penetron si një vemje apo si një spermatozoid që pëllënon një vezë vjedhjeje, korrupsioni, hajnie apo të pamoralshmërisë. Ai është një hajdut apo burrë pa personalitet që struk veten para çdo drejtori. Në fakt, në të njëjtën linjë ka pasur edhe të atin, sikur të ishte në kohën e maoizmit.

Njeriu mund të ndryshojë, ashtu si mund edhe të guxojë për të sfiduar momente të caktuara të jetës apo të mos frikësohet nga fakti i të qenit i pavlerësuar. Kjo është një proces personal që varet nga gjendja e brendshme dhe vetë thelbi i qenies njerëzore. Shpesh, veprimet tona kontrollohen nga e kaluara, megjithatë gjithnjë përballemi me të papritura dhe vështirësi në jetën tonë të përditshme. Shpesh mund të mbetemi të bllokuar nga situata të caktuara të jetës sonë dhe të vihemi përballë momenteve të pamundura për të pasur një zgjidhje të qëndrueshme. Intelektuali trishtohet dhe vështron sesi hajduti, i paafti dhe i pamoralshmi, ngjitet në shkallët e hierarkisë dhe arrin deri në kufijtë e ekstremitetit.

Megjithatë, marrëdhëniet ndërnjerëzore na krijojnë mundësinë të formojmë identitetin dhe individualitetin tonë. Frika dhe pasiguria janë shpesh pasoja të perceptimit. Ndjenja e inferioritetit e bën njeriun të reflektojë. Dhe këta zyrtarë dhe shtetarë përhapin ligësinë e tyre deri në ekstrem.

Dëshira për superioritet çekuilibron raportin e brendshëm dhe, në një farë mënyre, është një pasqyrë e subkoshiencës individuale, e cila dominon tek ata që kanë moral dhe ndërgjegje të ndotur, duke ndryshuar thelbin e qenies njerëzore.

Pikërisht të tillë na duan armiqtë tanë të hershëm dhe të vonë, me drejtues si Krifca, Ilir Meta, Erion Veliaj apo Ilir Beqja, si zyrtarë hajdutë në institucionet qendrore apo lokale. Deri kur do të vazhdojë kjo, kur zv.kryeministri, pasi vjedh, arratiset dhe shteti është i pafuqishëm ta sjellë dhe ta vërë përballë organeve të drejtësisë për t'u gjykuar?

Deri kur do të vazhdojë ky tranzicion ku lulëzojnë hajdutët, të pamoralshmit, vemjet që vjedhin dhe servilosen? Deri kur, deri kur në Shqipëri do të mbizotërojë e keqja, krimi, vjedhja, korrupsioni dhe pamoraliteti?

Kë të votoj unë, zoti Kryeministër? Pyet veten teksa bën bilancin e të arrestuarve apo shikon kolegët e zyrës dhe institucionit që u nxijnë jetën njerëzve dhe u fusin dorën në xhep. Akoma, edhe pas 10 vitesh, çështjet gjyqësore qëndrojnë në Gjykatën e Apelit pa marrë përgjigje. Po deri kur?

A duhet të heshtim ndaj së keqes? Sërish pyes, kë të votoj unë, zoti Kryeministër? Sërish shtroj pyetjen: për kë të votojmë, kur shpresa po na vritet nga gjithë anët?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat