Tre ministrat e Mbrojtjes, përkatësisht ai i Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi midis tri vendeve të përmendura për sigurinë. Është një hap pozitiv dhe në rrugën e duhur ky akt, por që duhet pasuar edhe me marrëveshje dhe traktate të tjera të përbashkëta, me qëllim krijimin e një aleance midis këtyre vendeve. Në fakt aleanca midis shqiptarëve dhe kroatëve është në pikëpamje të sentimentit tashmë e krijuar. Të dy popujt nuk kanë asnjë histori konflikti midis tyre. Ndërkohë që në histori serbët dhe kroatët kanë pasur gjithnjë konflikte e luftëra, si dhe periudha kur serbët kanë kryer genocid mbi ta.
Në memorien tonë nuk vijnë vetëm masakrat serbe kundër shqiptarëve për gati dy shekuj radhazi, por edhe ngjarje tragjike me kroatët. Kur mendon për lidhjet kroato-serbe nuk të vjen ndërmend vetëm lufta e fundit e vitit 1992 midis Serbisë dhe Kroacisë së pavarur. Gjithkush që e njeh historinë beson se armiqësia serbe kundër kroatëve ka kulmuar me masakrën e katër deputetëve kroatë nga ana e serbëve ne parlamentin e Mbretërisë Serbo-Korato-Sllovene më 1929-ën. Vrasja e deputetëve kroatë në Skupshtinën e kësaj mbretërie shënoi kulmin e urrejtjes midis dy popujve ballkanikë. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati një përplasje të ashpër midis ustashëve kroatë dhe çetnikëve serbë, aq sa autoritetet politike dhe shtetërore të sotme në Beograd nuk e harrojnë atë periudhë, kur ustashët eliminuan mijëra çetnikë të Serbisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore ngjarjet u zhvilluan më në qetësi. Kosova dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi u diskriminuan, por kroatët jetuan një periudhë lulëzimi. Ata ishin kombi më i zhvilluar i Jugosllavisë, pas sllovenëve. Por në fillimin e viteve 1990 ndodhi shpërbërja e Jugosllavisë. Atëherë president i radhës i Jugosllavisë ishte kroati Stipe Mesiç. Kosova i falet këtij burri të madh, që bllokoi dhe e zhvleftësoi juridikisht aktin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e autonomisë së Kosovës (Mars 1989). Mesiç iu kundërvu Serbisë dhe bëri që ndryshimet kushtetuese të parlamentit të Serbisë dhe të Kosovës të mos kalonin në parlamentin federativ. Me këtë akt bota i kundërshtoi ato ndryshime dhe heqjen e autonomisë si jo kushtetuese. Sepse, sipas kushtetutës së RF të Jugosllacisë, çdo ndryshim kushtetues në republika ose në dy krahinat do të duhej të merrte edhe votën e dy të tretave të parlamentit të Jugosllavisë. Pikërisht kjo nuk ndodhi dhe bota demokratike e shpalli të pavlefshëm vendimin për heqjen e autonomisë së Kosovës.
Në vitin 1993 presidenti kroat, Tuxhman, i kërkoi presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, që të dy popujt të bashkoheshin në një luftë të përbashkët kundër Serbisë. Rugova nuk e pranoi kërkesën e homologut të tij kroat, sepse ndryshe Serbia do ta fillonte fushatën e spastrimit etnik të shqiptarëve dhe bota perëndimore nuk ishte e gatshme të ndërhynte për ta ndalur atë. Megjithatë marrëdhëniet midis Shqipërisë e Kosovës nga njëra anë dhe Kroacisë nga ana tjetër janë marrëdhënie të sinqerta, të pandikuara nga e kaluara dhe të pacenuara nga ndonjë faktor negativ. Të tri këto vende kanë interesa të përbashkëta thuajse identike dhe janë kërcënuar e kërcënohen nga i njëjti armik i përbashkët, Serbia.
Forcimi i aleancës së këtyre tri vendeve është interes i Tiranës, Zagrebit dhe Prishtinës. Madje edhe i Podgoricës dhe Shkupit. Derisa Beogradi nuk heq dorë nga kërcënimet dhe provokimet e tij, sidomos kundër Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, ku jetojnë kroatë, dhe Malit të Zi, aleanca midis vendeve që kërcënohen prej Serbisë është e domosdoshme dhe legjitime. Prandaj është e domosdoshme që marrëveshja e nënshkruar nga tre ministrat e Mbrojtjes të çohet më tej. Shefat e shteteve dhe qeveritë e të tri vendeve duhet të nënshkruajnë një traktat bashkëpunimi për kohë paqeje dhe për kohë lufte. Në këtë traktat do të duhet që të merret angazhimi për të vepruar së bashku në rast se njëri prej këtyre tri vendeve cenohet nga një agresor i jashtëm.
Vetëm në këtë mënyrë mund të ndalet makineria ushtarake serbe dhe Beogradi t’i kthehet kërkesës për paqe e bashkëpunim. Gjithkush e di se një luftë midis shqiptarëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve nga ana tjetër është luftë e humbur për Serbinë. Ndaj dhe parandalimi i kësaj lufte vjen e duhet të vijë përmes një koalicioni mbrojtës me pjesëmarrjen e përbashkët të Kroacisë dhe dy shteteve shqiptare. Madje partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të bëjnë presion që edhe ky vend t’i bashkohet një koalicioni si ky. Ndërsa Mali i Zi, megjithëse i përçarë, herët apo vonë do të bashkohet gjithashtu me boshtin Zagreb-Tiranë-Prishtinë.
Situatat që po zhvillohen nga pikëpamja gjeopolitike dhe konfliktuale në Europë e më gjerë dikton një aleancë e madje koalicion mbrojtës të fuqishëm të të gjitha viktimave serbe, kundër të të njëjtit agresor, Serbisë!