Ka kohë që kam shkruar për mënyrën jo të duhur të rrugës që ka ndërmarrë. Realisht, që kur Isa Mustafa erdhi në krye të lartësisë, LDK ka shkruar gjithnjë e më shumë drejt fundosjes. Dhe, njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj të Isës është Avdullah Hoti. Dulla, në shërbim të pozitës së kryeministrit, arriti të shkelte mbi dinjitetin e tij, i cili sot i mungon për të kritikuar kryetarin aktual të partisë.
Për më tepër, që kur u zgjodh kryetar partie, Hoti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, kishte thënë se Abdixhiku do ta ketë mbështetjen e të gjithëve. Tani po del se nuk e ka, apo se i ka humbur për disa arsye që z. Hoti i ka përmendur. Kryefjala e tij ishte se LDK ka nevojë për lidership të ri, pasi rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i kënaqshëm dhe për këtë ka renditur disa shkaktarë.
Ish-kryeministri ka përmendur edhe votimet jashtë Kosovës, duke thënë se disa kandidatë të LDK-së janë votuar "joproporcionalisht" brenda listës së partisë. Sipas tij, ka pakënaqësi edhe me organizimet brenda partisë, duke thënë se ka pasur favorizime të individëve në renditjen e listës zgjedhore, por edhe në hapësirën televizive. Natyrisht, ka shumë hapësirë për të kritikuar LDK-në dhe rrugën që po ndjek, por z. Hoti s'ka të drejtë morale derisa është njëri ndër ata që ka ndikuar shumë në rrënimin e LDK-së.
Mbase Dulla kërkon, ëndërron – më mirë ta them – që të kthehet Isa. Ato janë kohë që nuk kthehen. Pavarësisht se LDK nuk është mirë, por nuk është më keq se si e la Isa me bashkëpunëtorë, njëri ndër ta edhe vetë z. Hoti. Andaj, Dulla dhe komplet klika që i përket Isa Mustafës duhet të pastrohen nga LDK, për të marrë frymë partia; ndryshe, veç po rrënohet edhe më shumë.