Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sipas detyrave kushtetuese, Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për datën 15 prill. Albin Kurti, si kryetar i partisë më të madhe në vend, Vetëvendosje, ka paralajmëruar se në të njëjtën ditë, kur do të konsolidohet parlamenti, do të mbahet edhe seanca për votimin e qeverisë së re.
Ende nuk ka koalicion zyrtar të VV me ndonjë nga partitë shqiptare, çka do ta mundësonte krijimin e qeverisë. Megjithatë, me nënvetëdije, të gjitha rrugët dërgojnë tek koalicioni VV-NISM, Minoriteti jo serb dhe Nenad Rashiq, dhe, përkthyer në numra, i bie 62 vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë Kurti 3. Kjo është formula që duket se do t'i japë Kosovës qeverinë e re, pavarësisht se do të jetë e brishtë nga numrat. Por kështu kanë funksionuar pothuajse të gjitha qeveritë pas luftës, me pengesën e zgjedhjes së presidentit të vendit në prill të vitit tjetër.
Nëse nuk i ka numrat e mjaftueshme për formimin e qeverisë, Albin Kurti ka dy rrugë: ose të heqë dorë duke lejuar partinë e dytë të marrë përgjegjësinë, ose të futet në votim pa i pasur numrat për të respektuar procedurën kushtetuese. Gjithësesi, vendi ka nevojë për një qeveri legjitime, në përputhje me respektimin e vullnetit të qytetarëve të vendit.
Më 15 prill, një gjë është e sigurt: mund të ndodhin papritura të mëdha.