Kush kërkon vakum institucional në Kosovë?!

Opinione

Kush kërkon vakum institucional në Kosovë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 7 prill 2025 Në ora: 12:07
Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe kjo mbledhje nuk ishte pa shkak. Kanë ndodhur dhe po ndodhin çdo ditë ngjarje të reja, të cilat na dëshmojnë se situata në Kosovë është e paqëndrueshme. Janë politikat, institucionet dhe strukturat e shtetit të Serbisë, si dhe zgjatimeve të tyre në Kosovë, ato që kërcënojnë seriozisht paqen, stabilitetin dhe deri integritetin e shtetit e të territorit të Kosovës. Në Zveçan para një jave u hodhën dy bomba kundrejt zyrës së postës së Kosovës.

Qëllimi ishte që të frikësoheshin autoritetet e institucionet e Kosovës dhe të detyroheshin të hiqnin dorë nga përpjekjet për sovranitet në veri të vendit. Ndërkohë u synua të frikësohen serbët e veriut, për të penguar marrjen e shërbimeve nga kjo postë. Nëse funksiononte ky presion, atëherë do të shtrihej edhe për institucionet dhe shërbimet e tjera të shtetit të Kosovës në veri. Granatat u hodhën pas mesnate. Skenaristi dhe regjisori i këtij akti terrorist ishte kujdesur që të mos kishte viktima. Pra që të përcillte mesazhet që përmendëm më lart. Por ama në çdo rast ai akt cenon rëndë sigurinë e vendit.

Por jo vetëm kaq. Në Gjakovë u arrestuan katër qytetarë serbë e të komunitetit serb në Kosovë, ndër ta policë dhe ish-oficerë të ushtrisë serbe, që kishte masakruar shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Më tej akoma, institucionet e sigurisë së Kosovës kanë zbuluar agjentë rusë në këtë vend. Ndërsa dy shqiptarë vazhdojnë procesin gjyqësor për aktivitetin spiunues në funksion të BIA-s serbe. Askush nuk e di se deri ku shtrihen metastazat e veprimtarisë agjenturore dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Nuk dihet sa janë e kush janë brenda strukturave të sigurisë dhe administratës publike. Ndërkohë duhet thënë se qeveritë paraardhëse të Kurtit kanë toleruar rekrutimin e jo pak njerëzve të Serbisë, në polici, ushtri, shërbimin informativ e administratën publike. Gjoja në emër të bashkëpunimit me Listën Srpska apo me vetë Beogradin, në emër të paqes e të “pajtimit” e kështu me radhë.

Fryma e besimit te serbët dhe shqiptarët e paguar prej tyre ka dëmtuar rëndë sigurinë kombëtare të vendit. Sido që atmosfera është tjetër tani, sërishmi rreziku i Serbisë në Kosovë është aty, serioz, i përhapur dhe me potencial shpërthyes. Se në çfarë forme mund të shpërthejë dhuna dhe tensionet, kjo nuk dihet. Por dihen format që Serbia ka përdor për qëllimet e saj destabilizuese në Kosovë. Dihet psh vrasja e qëllimshme e tetë të rinjve serbë të Pejës në vitin 1998, qëllimisht që të akuzohej UÇK dhe shqiptarët. Dihen si u organizuan dhe zhvilluan ngjarjet e 17 dhe 18 marsit 2004, akt i cili nxiti disa vende në Evropë që të hiqnin dorë nga mbështetja për shtetin e pavarur të Kosovës. Dihen aktet terroriste, si ai i Banjskës dhe në ujësjellësin në veri të Kosovës. Dihen metodat e barrikadave, futja e armëve në territorin e Kosovës etj. Të gjitha këto nuk bëhen pa një rrjet destabilizues brenda vendit.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës u mor edhe me një çështje gati të padukshme, sa i përket kërcënimit serb e rus në Kosovë. Bëhet fjalë për ndërhyrje në fushatën elektorale dhe pengesat për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës. Është e njëjta skemë si edhe ajo e Rusisë në Ukrainë. Diktatori i Kremlinit akuzon Ukrainën dhe presidentin e institucionet e saj si të “paligjshme”! Gjithçka për të justifikuar luftën kundër Kievit, por edhe për të mundësuar krijimin e një qeverie e zgjedhjen e një presidenti pro-rus. Gjithçka që ndodhi nga ndërhyrja e Beogradit dhe e Moskës në zgjedhjet e Kosovës, si edhe bllokimi i krijimit të institucioneve të Kosovës, dëshmon pikërisht këtë skenar. Që Kosova të akuzohet për pamundësi institucionale dhe paaftësi qeverisëse dhe më pas të deligjitomohet gjithçka nga rezultati zgjedhor.

Është absurde dhe jo-patriotike e jo-demokratike të mos mbështetësh për krijimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera të shtetit një subjekt politik që ka marrë aq vota, sa të gjitha subjektet e tjera shqiptare në vend. Është jo parimore, jo etike, jo profesionale dhe e pamoralshme të refuzosh bashkëpunimin për ngritjen e institucioneve dhe formimin e qeverisë nisur nga inatet personale. Është naivitet të mendosh se vakumi institucional e qeverisës në Kosovë në këto kohë të vështira dhe rrethana të disfavorshme rajonale e ndërkombëtare nuk dëmton interesat e shtetit e të kombit. Është paturpësi më pas të presësh që të krijosh qeveri me Listën Srpska, si kundërpërgjigje ndaj fituesit legjitim. Mirë Beogradi, sipas zotit Kurti, u bën presion deputetëve të pakicave në Kosovë, si Dudja Bala. Po Lumirit, Memlit dhe Ramushit kush i bën presion të mos bëhen pjesë e koalicionit qeverisës me Kurtin? Unë kam shkruar e kam thënë se ky presion vjen nga Edi Rama. Dhe derisa Beogradi e Rama bëjnë të njëjtën gjë, atëherë, a nuk është ky një bashkëpunim Tiranë-Beograd kundër Kosovës?! Shpresoj që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës të vetëdijesohet edhe për këtë fakt!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat