Agim Ramadani, “Katana” që tmerroi Serbinë

Opinione

Agim Ramadani, “Katana” që tmerroi Serbinë

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 prill 2025 Në ora: 15:25
Autori Faton Mehmeti

Agim Ramadani – piktor, poet, artist dhe mbi të gjitha luftëtar i betejës së Kosharës.
Emri i tij është gdhendur në përjetësi, në piedestalin e heronjve.

Operacioni “Shigjeta”, që përfundoi me fitoren e UÇK-së dhe thyerjen e kufirit, është ndër betejat më të famshme dhe më të suksesshme të UÇK-së. Kjo betejë dëshmoi profesionalizmin dhe trimërinë e djemve që e bënë të mundur thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Arkitektët e kësaj beteje ishin Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, të cilët thyen kufirin që kishte ndarë shqiptarët për më shumë se një shekull.

Edhe pse palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, UÇK-ja pati një përparësi strategjike, pasi beteja u zhvillua në kufirin me Shqipërinë, gjë që rezultoi me një fitore historike.

Kjo ngjarje u ka shkaktuar edhe emocione të forta serbëve, pasi ata pësuan disfatë nga rreth 1.500 pjesëtarë të UÇK-së, të mbështetur nga artileria shqiptare.

Agim Ramadani mbetet një ndër figurat qëndrore të UÇK-së dhe padyshim njeriu që sfidoi ushtrinë serbe në Koshare si askush tjetër.

Prandaj, përvjetori i 26-të i rënies së tij nuk është thjesht përkujtimi i një luftëtari të rënë, por njëherazi edhe ngritja e tij në mesin e figurave më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Faktikisht, beteja e Kosharës është një ndër ato beteja krenarie që ndodhin rrallë.

Edhe në dokumentarët e televizioneve serbe për këtë betejë shfaqet tmerri që përjetuan ushtarët serbë dhe mercenarët rusë në Koshare.

Agim Ramadani mbetet jo vetëm një hero, por më shumë se kaq – një burim frymëzimi dhe krenarie.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat