Rama e Spiropali mashtrojnë si përheri apo si Enveri...!?

Opinione

Rama e Spiropali mashtrojnë si përheri apo si Enveri...!?

 Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 17 prill 2025 Në ora: 09:18
Edi Rama dhe Elsia Spiropali

Duke e analizuar thënien "e sinqertë" e të thellë filozofikisht sa ujërat e Lanës të spikeres apo kryetares së parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në një nga takimet elektorale në Kamëz, më 15 prill, ku ishte së bashku me kryeministrin Edi Rama, se "Kamza ka ndryshuar me punën e Ragip Sulit" dhe se "vetëm PS të begaton dhe anëtarëson në BE...",mund të arrihen dhe nxirren disa përfundime!

-PS është e vetmja parti që prej 80 vitesh vetëm i mashtron dhe shfrytëzon si skllevër apo si kope njerëzore shqiptarët, edhe ata "të majtët", që i duan më shumë, sa u dalin edhe në gjumë! Kuptohet, duke bërë pareshtur e pa pikë turpi e sikleti premtime rrenës, që i harrojnë të nesërmen e ditës së zgjedhjeve! Por, edhe duke nxjerrë nga goja lavdërime qesharake se "Kamza ka ndryshuar nga puna e Ragip Sulit..." të partisë së Edi Ramës e të saj! Prandaj, sipas Elisës në botën e çudirave e të çmendurive, votuesit kamzjotë duhet të votojnë vetëm për PS, Edi Ramën, Linda Ballukun, Elisa Spiropalin, Ogerta Manastirliun, Ragip Sulin..., edhe pse i kanë mashtruar, zhgënjyer e vjedhur si e sa kanë dashur për mbi 11 vjet!?

- PS është e vetmja parti që të begaton duke të lënë shumë dyer, dritare, rrugica, shtigje...pasurimi! Por, me korrupsion e jo me punë të ndershme e me djersë balli! As me dhjetëra mijëra lekë, por me qindra milionë, sa me ndërtue një kullë, kompleks pallatesh banimi, kompleks turistik apo tregtar, incenerator, fabrikë...!

- PS është e vetmja parti që të begaton, duke e lëpirë nga para e prapa SHEFIN, deri sa ai vetë besdiset e të largon..., pa harruar të të shpëblejë si e sa meriton!?

- PS është e vetmja parti që të begaton, duke të detyruar me papunësi e varfëri të shkosh në vende të Perëndimit si emigrant! Më së shumti, pa e menduar më rikthimin përfundimtar në vendlindje!? Edhe duke ardhur në të rrallë për turizëm e për festat e fundvitit, për ndonjë dasmë apo vdekje e për ndonjë arsye tjetër të fortë!

-PS është e vetmja parti që të begaton duke u bërë patronazhist, shërbëtor besnik i partisë për çdo punë të pistë! Edhe duke ia shitur votën e vetes dhe të gruas, të prindërve të tu e të bashkëshortit apo bashkëshortes partisë së zemrës...!?

- Vetëm PS dhe Edi Rama personalisht mund ta anëtarësojnë Shqipërinë në BE, sepse drejtuesit kryesorë të saj si dhe kryeministrat dhe presidentët e saj janë "të dashuruar marrëzisht" vetëm pas syve të bukur, "mendjes së hollë dhe orarorisë së rrallë" të Edi Ramës, ngjashëm dhe të denjë për t'u krahasuar me të Musolinit, Hitlerit, Enverit...? Bile, "janë marrosur nga dashuria për Edi Ramën" deri aty sa i harrojnë shpejt vendimet dhe deklarimet, edhe të 1-2 ditëve më parë, se anëtarësimi i vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i BE nuk ka përse të përshpejtohet, duke mbyllur sy, veshë, gojë...ndaj përmbushjes së detyrimeve dhe arritjes të standardeve të kërkuara!

Në këto kushte na mbetet t'i shprehim mirënjohjen më të lartë ZOTIT në qiell: "FALEMINDERIT, që na fale këtë të dytë...diell, që na ka përmbyt me mjaltë, musht, sh...eqer dhe m...iell! Edhe me banane Ekuadori, me mandarina dhe luleshtrydhe me doza të forta me pesticide...Edhe me mish pulash braziliane me salmonelë...! Por, edhe me mish viçash serbë me nivele të larta e të rrezikshme hormonesh; me miell dhe qumësht pluhur serb, moldav, ukrainas...prej vitesh nëpër magazina e me skadencë të moçme! Për më keq, jo pak tonelata e thesë edhe me miza, krimba, kakardhi e copëza bishtash minjsh...!"

Një "i majtë", që ka akoma nostalgji për Enverin dhe duke fluturuar me presh...nga vetëlavdërimet dhe premtimet rrenëse të Edi Ramës dhe Elisa Spiropalit gjatë kësaj fushate elektorale, bëri thirje që të harrojmë periudhën e ferrshme dhe diktaturën çnjerëzore e antikombëtare të Enver Hoxhës e "të shikojmë se çfarë po bëhet sot"! Natyrisht ai e di mirë se çfarë është bërë në këta 80 vjet e deri dje, por nuk e ka të lehtë të pranojë se si popull shqiptarët u mashtruan trashë dhe u shfrytëzuan pashpirtësisht, sikur të ishin kope gjatë 47 viteve të gjase komunizmo- socializmit. Për ta ndihmuar të shikojë me sytë e veta të ballit e jo me ato të kryetarit, iu përgjigja:

- E ç'po bëhet sot e në këta 80 vjet, qysh nga 29 nëntori 1944? U çliruam nga fashizmi dhe u pushtuam nga enverizmi, edramizmi, neodiktaturizmi, oligarkizmi, mafia, kanabizimi, investitorstrategjizmi...!

Të fundit në Evropë për treguesit e zhvillimit, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor e social...ishim më 16 prill 1944 e po të fundit jemi edhe sot, më 16 prill 2025!?

E ç'kanë më tepër apo më pak se Shqipëria e sotme Rusia, Bjellorusia, Kuba, Kolumbia, Ekuadori, vendet më të varfra të Afrikës...?

Kullat 30- 40 katëshe, komplekset e vilave periferike e të pallateve turistike, qendrat e mëdha tregtare dhe luksi mbretëror i princeshave dhe princërve të kuq e rozë apo socialistë, 10- 11 milionë turistët..., tallavatë- çorbë shqiptare, sllave, turke, arabe...,në sheshe, salla, ekrane..., nuk janë tregues zhvillimi dhe mirëqenieje për shumicën e popullit me paga e pensione nga 100- 300 euro, kur çmimet janë 50- 100% më të lartë edhe se në Gjermani! Në të kundërt, ato janë shprehje dhe fakte konkretë, të shikueshëm edhe nga të verbërit, për pasurimin dhe korrupsionin e pafre apo të çmendur të oligarkisë, të ortakëve të tyre politikanë dhe pushtetarë të lartë si dhe të bosëve të trafiqeve shumëngjyrëshe e shumëformëshe, me fuqi sa të emërojnë ministra, deputetë, kryebashkiakë, drejtues në komisariate të Policisë, në gjykata e prokurori; në dogana, hipoteka...!

Në këto kushte, mbetur me lider “trugjenial” dhe largpamës vetëm Edi Ramën e parë e të fundit, që ka “fuqi mbinjerëzore” si askush tjetër që ka lind një nënë në Shqipëri e gjithësi, të na bëjë çfarë të dojë dhe të na çojë nga “fitorja në fitorje” ku e kur të dojë, na mbetet vetëm t'i shprehim mirënjohje ZOTIT për dashurinë unikale ndaj nesh si vend e si popull! Arsyeja apo motivi janë lehtësisht të nënkuptueshëm: përveç diellit në qiell, na ka dhënë edhe një diell të dytë në tokë! Domethënë, PKSH- PPSH- PSSH si dhe Enverin, Ramizin, Fatosin, Edin...Elisën, me shoqe e shokë, që për mashtrime dhe korrupsion nuk gjenden tjetërkund në gjithë këtë botë! Deri në paskrupullsinë dhe çmendurinë sa të mendojnë dhe propagandojnë se meqenëse janë milionarizuar apo sheikizuar ata me soin e sorrollopin e vet, janë begatuar edhe shumica e shqiptarëve të thjeshtë, në fshat dhe qytet!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat