Në teorinë e demokracive parlamentare, Kuvendi përfaqëson vullnetin politik të qytetarëve dhe është institucioni që garanton kontrollin demokratik mbi qeverisjen. Roli i Kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm ceremonial; ai ka kompetenca të rëndësishme për mbarëvajtjen e punimeve parlamentare, drejtimin e seancave dhe ruajtjen e rendit dhe balancës politike brenda institucionit.
Por në kontekstin e Kosovës, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit shpesh është shndërruar në një akt përçarës, i ngarkuar me simbolikë politike dhe tension. Rikandidimi i të njëjtës figurë politike, e cila ka dështuar dy herë radhazi në sigurimin e shumicës së votave, nuk përfaqëson më këmbëngulje institucionale, por një përpjekje të qëllimshme për të bllokuar procesin parlamentar dhe për të forcuar kontrollin politik me çdo kusht.
Dilema e shumicës: kush e ka të drejtën legjitime?
Kushtetuta nuk përcakton qartësisht se cili subjekt ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por praktika parlamentare e çdo demokracie të konsoliduar tregon se kjo e drejtë u takon atyre që posedojnë shumicën reale parlamentare, jo atyre që e pretendojnë atë përmes retorikës politike.
Në rastin konkret, ku koalicioni qeverisës ka humbur shumicën efektive dhe nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, këmbëngulja për të njëjtin kandidat shndërrohet në kokëfortësi politike, e cila nuk sjell zgjidhje, por thellon përçarjen dhe rrezikon funksionimin demokratik të Kuvendit.
Shkelja e rregullores dhe ndërprerja e seancës;
Një moment kritik në këtë krizë institucionale ishte ndërprerja e seancës nga ana e kryesuesit, pa u përmbajtur rregullave procedurale dhe duke shkelur Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Ky veprim arbitrar minon kredibilitetin e Kuvendit dhe e zhvendos atë nga roli i vet kushtetues drejt një terreni të rrezikshëm politik, ku procedurat ligjore nëpërkëmbën nga vullneti i njëanshëm.
Kuvendi nuk mund të jetë arenë për lojëra të vullnetit politik individual. Ai duhet të mbetet platformë për debat demokratik dhe vendimmarrje të përgjegjshme në emër të qytetarëve.
Zgjidhja: ndryshim i qasjes dhe rikthim te vlerat kushtetuese;
Zgjidhja e krizës aktuale kërkon mençuri politike, pjekuri institucionale dhe kompromis të sinqertë. Nuk është koha për inate personale apo për mbajtjen e pozitave simbolike me çdo kusht. Nuk është as koha për logjikën e përjashtimit dhe imponimit, por për një rikthim te vlerat themelore të funksionimit parlamentar.
Ndryshimi i kandidatit për Kryetar të Kuvendit nuk është akt i dorëzimit, por i përgjegjësisë shtetërore. Ai është një hap drejt normalizimit të jetës parlamentare dhe respektimit të institucioneve. Çdo ditë që kalon me këtë krizë institucionale, i kushton vendit jo vetëm në aspektin politik, por edhe në kredibilitetin ndërkombëtar dhe funksionimin e brendshëm shtetëror.
Në fund, nuk është fjala për individin. Është fjala për Kosovën si shtet funksional, demokratik dhe përfaqësues. Prandaj, është koha të ndërrojmë qasjen, të ndërrojmë logjikën dhe të vëmë përpara interesin e përbashkët kombëtar.