Pse zgjedhjet e reja janë të pashmangshme

Opinione

Pse zgjedhjet e reja janë të pashmangshme

Nga: Qani Shabani Më: 26 prill 2025 Në ora: 22:37
Qani Shabani

Kosova ndodhet në një udhëkryq historik: të ecë përpara me reformë dhe ndërtim të shtetit të së drejtës, ose të kthehet prapa në epokën e korrupsionit dhe të pazareve të pista politike. Qeveria aktuale, e përfaqësuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë mbi vete barrën e pastrimit institucional, ndërkohë që opozita e përfaqësuar nga PDK, LDK dhe AAK – vijon të mbetet simbol i së kaluarës problematike.

Në vend që të përballet me ide dhe programe konkrete, opozita po përdor çdo mjet për të bllokuar funksionimin normal të Kuvendit. Mosvotimi i Kryetares së Kuvendit nuk është thjesht një akt politik, por një përpjekje e rrezikshme për të destabilizuar institucionet demokratike të vendit.

Opozita nuk ofron më një alternativë qeverisëse, por synon të mbijetojë duke sabotuar proceset demokratike. E ngarkuar me të kaluarën e saj të skandaleve të shumta – nga aferat e privatizimeve të dyshimta deri te kapja e institucioneve publike – ajo nuk është në gjendje të fitojë besimin qytetar përmes votës së lirë. Përkundrazi, ajo përpiqet të pengojë funksionimin e institucioneve për të shmangur pasojat e reformave në drejtësi që tashmë kanë nisur.

Në këtë sfond, retorika për "koalicione të ardhshme" është vetëm një përpjekje për ta përlyer imazhin e Vetëvendosjes dhe për të krijuar konfuzion te qytetarët. Por realiteti është i qartë: nuk mund të ketë kualicion mes reformës dhe korrupsionit, mes shtetndërtimit dhe rrënimit.

Zgjidhja: Populli të vendosë me votë të lirë

Në këtë klimë bllokade dhe sabotimi institucional, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme dhe e pashmangshme.

Zgjedhjet do të:

Rivendosin legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.

Forcojnë reformën në drejtësi dhe sundimin e ligjit.

Pastrimin e skenës politike nga aktorët e diskredituar të së kaluarës.

Forcojnë partneritetin me aleatët ndërkombëtarë dhe rrisin besueshmërinë e vendit.

Kosova ka nevojë për një rifreskim të mandatit politik që reflekton vullnetin aktual të qytetarëve dhe jo pazaret e fshehta të një elite të kalbur. Nuk ka më vend për kompromis me të kaluarën; është koha për të zgjedhur të ardhmen.

Në këtë betejë mes progresit dhe stagnimit, populli është ai që duhet të japë verdiktin përfundimtar.

Zgjedhjet janë jo vetëm të pashmangshme – ato janë jetike për mbijetesën e projektit demokratik të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat