Kriza e sotme në Kosovë është krizë kushtetuese!

Opinione

Kriza e sotme në Kosovë është krizë kushtetuese!

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 30 prill 2025 Në ora: 08:01
Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë prej vitit 2002 e deri më sot asnjëherë nuk e ka qeverisur vendin një parti e vetme. Rasti i parë i takon zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, kur Vetëvendosja e Albin Kurtit mori shumicën absolute të mandateve. Edhe pse Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës i kishte numrat, në vitet 2002 – 2006 ajo nuk pranoi ta ushtronte e vetme qeverisjen e vendit. Mori në koalicion herën e parë Partinë Demokratike të Thaçit dhe herën e dytë AAK-në e Ramush Haradinajt. Në të dy rastet ua dha kryeministrin partive aleate më të vogla. Në kundërshtim madje me shprehjen e vullnetit të sovranit. Dy koalicionet e para patën objektiv forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, vizion ky i liderit të pakontestueshëm, Dr. Ibrahim Rugova.

Më vonë Kosova sërishmi u qeveris kryesisht nga koalicioni LDK-PDK. Por koalicionet pas-Rugovë e sidomos ato pas vitit 2010, patën edhe karakteristikat e pazareve politike. PDK pas Rugovës nisi cicmicet e veta. Besoj se gjithkujt i kujtohet ajo nata e Zanzibarit, kur papritmas ish-kreu i PDK-së njoftoi prishjen e koalicionit me LDK-në pa asnjë konsultim me partnerin qeverisës e madje as me ndërkombëtarët. Krejt në pabesi. Gati e njëjta skemë u luajt me regji të ish-presidentit Thaçi edhe prishja e koalicionit VV-LDK në vitin 2020. Ndodhën këto se tashmë vizionin e Ibrahim Rugovës e kishin zëvendësuar interesat personale të krerëve të politikës. Dalëngadalë u zvenit interesi i Kosovës dhe elita politike nisi të interesohet për blerje pronash, për pasuri, për pazare politike në qeverisje, për karrige. Jo më për atë se çfarë e bën Kosovën më të mirë.

Konsensusi i Rugovës ishte modeli i qeverisjes konsensuale bazuar në vizion dhe ide zhvillimore për Kosovën. Të njëjtën politikë u përpoq të ndiqte për ato vite që e drejtoi shtetin edhe Fatmir Sejdiu. Por Thaçi e realizoi intrigën e tij. E shkarkoi nga funksioni i kreut të shtetit për një çështje thjesht formale e të interpretueshme. Më pas ndodhën ato që ndodhën. Të gjitha me skenar, njësoj si këto të Edi Ramës në 12 vitet e fundit për ta zhbërë opozitën në Shqipëri. Por Kosova nuk është Shqipëri. Megjithatë e përmenda këtë historik për të theksuar faktin se kur ekziston vullneti politik i partive politike shqiptare në Kosovë nuk ka e nuk mund të ketë krizë në krijimin e institucioneve të vendit. Nëse nuk ekziston ky vullnet kriza është përgatitur që kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, e në fakt i varur te votat e pakicave, sidomos të pakicës serbe.

Sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës 20 vende në parlamentin e vendit u rezervohen pakicave, dhjetë prej të cilave pakicës serbe. Që do të thotë se vendet e rezervuara për pakicat nuk lejojnë praktikisht asnjëherë që grupimet politike të shumicës dërmuese, pra të shqiptarëve, të kenë shumicën absolute për krijimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera. Ky është shkaku themelor edhe i krizës së sotme institucionale në Kosovë. Nëse nuk do ishin vendet e rezervuara, atëherë në rastin e sotëm Vetëvendosje do të kishte së paku 55-60 deputetë. Dhe nuk do ta kishte aspak të vështirë të zgjidhte kryetarin e parlamentit, qeverinë dhe strukturat e tjera të qeverisjes. Favorizimi kushtetutës i pakicave penalizon kësisoj artificialisht partitë shqiptare fituese e madje edhe ato në opozitë.

Kjo formulë joshëse e Ahtisaarit për ta bërë Serbinë që ta pranojë Kosovën shtet të pavarur nuk funksionoi për qëllimin pse u parashikua në kushtetutë. Pra, edhe pse serbëve dhe pakicave iu rezervuan, si askund tjetër në demokracitë e botës, 20 vende parlamentare, edhe pse ndryshimet kushtetuese u kushtëzuan me votën e këtyre 20 deputetëve, të cilët u imponohen 100 deputetëve shqiptarë, sërishmi Serbia nuk lëvizi drejt njohjes së Kosovës. Dhe derisa nuk u arrit qëllimi i përcaktuar, derisa vendet parlamentare të rezervuara po bëhen shkak për krizë institucionale dhe po defunksionalizojnë vullnetin e qytetarëve, parlamenti duhet të ndërmarrë një iniciativë të ndryshimeve kushtetuese me referendum. Në këto ndryshime të hiqet e drejta e vendeve të rezervuara për pakicat, duke mos lënë dysheme në përqindjen e votave. Njëkohësisht t’u hiqet pakicave gjithashtu e drejta për të bllokuar ndryshimet kushtetuese dhe institucionet e vendit.

E keni vënë re se si Lista Srpska po sillet këto ditë kur u mbajtën e dështuan tetë seanca parlamentare për zgjedhjen e kryeparlamentares? Me cinizëm ajo “abstenoi”! Sepse ngroh duart në zjarrin e konfliktit politik të partive politike shqiptare. Kënaqet që e drejta e vendeve të rezervuara që ata kanë po funksionon mrekullisht për destabilizim në Kosovë. Kaq e dukshme është kjo ndjenjë kënaqësie e Listës Srpska, e cila ka dëshmuar se u kundërvihet institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës. Deri te udhëheqja e grupeve terroriste në veri të vendit!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat