Sot (e hënë 5 maj) ishte hera e njëmbëdhjetë që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti të konstituojë legjislaturën e tij të 9-të.
Sikurse edhe herëve të tjera, Lëvizja Vetëvendosje nuk hoqi dorë nga Albulena Haxhiu të cilën e ka propozuar që nga fillimi për kryetare Kuvendi dhe tash së fundi po kërkon të votohet në mënyrë të fshehtë. Një krizë e “normalizuar” tashmë dhe procedura që rezultojnë me dështim. Ky është përkufizimi që mund t’i jepet situatës aktuale politike në Kosovë, që tash e tre muaj ka hyrë në një rrugë pa krye.
Por, ashtu si politikanët në Kosovë kanë bërë edhe në të kaluarën, ca për interesa klanore e partiake e të tjerë për interesa shtetërore, edhe sot opinioni u “befasua” nga një ftesë për marrëveshje politike që kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ia bëri kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kjo duket si një akt i vonuar, por në situatën që shteti ynë ndodhet mund të konsiderohet i nevojshëm për dalje nga ngërçi politik.
Dështimi i vazhdueshëm i konstituimit të Kuvendit të Kosovës tregon për një krizë të thellë politike apo në një “qorrsokak” ku vullneti për bashkëpunim ishte baras me zero.
Në fakt, zero vazhdon të mbetet ende pasi kreu i LDK-së z. Abdixhiku ende nuk i është përgjigjur ftesës së Kurtit për marrëveshje politike.
Ky i fundit në letrën drejtuar Abdixhikut tha mes tjerash se koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.
Madje Kurti ia kujtoi kreut të LDK-së edhe bashkëpunimin që të dy subjektet kishin në të kaluarën.
“Mospajtimet e diferencat që mund të keq LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, ne vitin 2020 ne bashke kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë qe nuk kanë me pozita të larta e as ndikim te madh ne LDK si asokohe”, u shpreh ai mes tjerash.
Ndërkaq, ndonëse jo ende zyrtarisht Abdixhiku iu përgjigj Kurtit nëpërmjet mediave, duke thënë se dihen qëndrimet e LDK-së.
“Pritni, kini durim, do të jemi transparent si çdo herë. Qëndrimet e LDK-së ju tashmë i dini”, tha Abdixhiku para gazetarëve.
Në këtë situatë është e rëndësishme të theksohet se qytetarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre përmes votës, derisa partitë politike kanë përgjegjësi që ta respektojnë këtë vullnet duke i formuar institucionet qoftë edhe me një koalicion të “pamundshëm”
Ftesa e sotme e Kurtit mund të shihet si një përpjekje për të tejkaluar interesat partiake dhe për të vënë interesin e vendit si prioritet.
Andaj, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të reflektojë mbi rolin e saj në këtë proces, por edhe duke u bazuar në rolin e saj institucionalist që e ka karakterizuar gjithmonë.
Fundja, opsionet për koalicion qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje edhe me ndonjërën prej partive të tjera janë të hapura. Mjafton që marrëveshja të jetë serioze dhe LVV të jetë lojale ndaj saj.
Vlen të theksohet se për marrëveshje LVV duhet të jetë e gatshme edhe për kompromise, gjithnjë duke vënë shtetin si prioritet para pushtetit.