Letra e Kurtit ndaj Lumirit – e sinqertë apo kurth politik?

Opinione

Letra e Kurtit ndaj Lumirit – e sinqertë apo kurth politik?

Nga: Faton Mehmeti Më: 6 maj 2025 Në ora: 15:33
Autori Faton Mehmeti

Që nga certifikimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, zyrtarë të Vetëvendosjes – disa në mënyrë indirekte, e disa edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë – kanë preferuar koalicionin me LDK-në, ndërsa PDK-ja është përjashtuar. Në vijë me këtë logjikë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku ka propozuar që VV dhe LDK të lidhin koalicion. Pa hyrë në detaje, Kurti i ka thënë të parit të LDK-së se do të ishte më mirë “të takoheshim e të flasim”.

Abdixhiku, i cili tashmë e ka refuzuar një herë Kurtin, u tha gazetarëve: “Keni durim, qëndrimet e LDK-së tashmë dihen”.

Mbetet për t’u parë reagimi i z. Abdixhiku ndaj ofertës së z. Kurti për koalicion, edhe pse qëndrimet e tij të mëhershme kanë qenë kundër një koalicioni me VV-në.

Gjithsesi, në politikë kompromisi është pjesë e pandashme; pa kompromis nuk do të arriheshin kurrë marrëveshjet më të mëdha që njeh njerëzimi. Prandaj, besoj dhe dua të besoj se Abdixhiku do të reflektojë për të mirën e vendit, në mënyrë që Kosova të dalë nga ngërçi ku ndodhet tash e disa muaj.

LDK-ja do të gabonte rëndë nëse refuzon koalicionin me VV-në, ndërsa nga ana tjetër vazhdon me avazin “nëse dështon i pari, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi”, që në fakt nënkupton koalicion me PDK-në.

LDK-ja duhet të jetë koherente në qëndrimet e saj: nëse ka vendosur të mbetet në opozitë, le të qëndrojë atje, pa flirtuar me të tjerë. Mungesa e korrektësisë dhe qëndrimi ndaj parimeve është një problem i madh i LDK-së, e cila si parti po shkatërron bazën e fortë mbi të cilën është ndërtuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat