“E majta” e varfëroi shqiptarin edhe nga virtytet...!?

Opinione

“E majta” e varfëroi shqiptarin edhe nga virtytet...!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 7 maj 2025 Në ora: 09:25
Xhevat Mustafa

Është thënë e shkruar në mijëra faqe librash, revistash dhe gazetash, më së shumti me doza të larta vetëmburrjeje dhe me qëllimin politik dhe patriotik për ta “zgjuar nga gjumi shekullor” se shqiptari dhe, në përgjithësi populli shqiptar, është legjendar e mendjehollë, sa nuk ia ka ngrënë e ka hëngër shkopin apo bukën nga dora e goja as qeni e as ndonjë armik mbi tokë! Se është trim i madh e i rrallë, që të merr gjak në vetull dhe pa e kuptuar, se nga të sulmon më fort e më parë. Se e ka çarë rrugën e historisë me shpatë apo jatagan në dorë... Ama, çuditërisht, po ky shqiptar ka qenë dhe është trim i madh më shumë në kohë paqeje se sa lufte; më shumë në këngë e valle se sa në fusha luftimesh; më shumë “në mes vedit” se sa me ushtri armiqsh...!? Edhe më shumë me femrat e fëmijët e shtëpisë...se sa me BURRAT!?

Që ka pasur durim jo njerëzor, edhe mbi 80 vjeçar, duke pritur të shikojë e shijojë premtimet rrenëse të partisë së zemrës!? Apo duke iu nënshtruar, edhe kur ishte në liri allaenveriane, jashtë burgjeve dhe kampeve të internimit të ferrshëm të saj; torturave çnjerëzore prej xhelatëve të saj me uniforma policore ose civile, prodhime sovjetike apo kineze; fyerjeve dhe poshtërimeve prej partiakëve dhe pushtetarëve të lartë të saj, shumica me nivele të ulëta arsimimi, qytetarie, profesionalizmi, intelektualizmi, kulture..!? Secili mund të përpiqet dhe të arrijë në një përfundim vetiak se përse jemi të ndëshkuar apo të dënuar kaq rëndë gjatë këtyre 80 viteve, me 68 vjet qeverisje “komunisto-socialiste” e 12 vjet “demokratike”!. Për të arritur më afër të vërtetës mund të na ndihmojnë shumë referimi tek historia jonë kombëtare, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore!

Së pari, tek fataliteti ynë i lënies nga marrëveshjet e Fuqive të Mëdha fituese, SHBA, Rusi, Angli e individualisht, Rusvelt, Stalin, Çurçill në hartën apo “Kampin komunisto-socialist”, drejtuar nga Bashkimi Sovjetik, deri më 5 mars 1953 me Stalinin vetëndjerë si mbret e vlerësuar e respektuar në vendin tonë, sidomos nga Enver Hoxha me parti e qeveri, si “baba” e si “perëndi”...!? Por, historikisht e në të vërtetë, me krijimin e PKSH- PPSH- PSSH nga "mamitë jugosllave Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha dhe me përzgjedhjen prej tyre si kreun e saj e vëllait të tyre, Enver Hoxha, nisi për vendin dhe popullin tonë edhe orteku i pafund i të këqijave, gjëmave, eksperimenteve më shumë për propagandë, për humbje vitesh dhe pasurish nën dhe mbitokësore, sidomos të naftës, kromit, bakrit, hekur nikelit...! Më së shumti këto ishin vendime, programe, projekte dhe vepra industriale, pa të ardhme e pa jetëgjatësi; me doza të larta gjigandomanie dhe me rezultat parësor e final, vetizolimin ekstrem njerëzor dhe varfërimin e pandalshëm e shumëvjeçar të shumicës së popullit, sidomos në fshat, viktimë edhe e kolektivizimit thuajse tërësor, me shumicën e kooperativave me 20-80 lekë dita e punës!? Por, edhe nga kundërvënia “vetëvrasëse” ndaj Bashkimit Sovjetik e Kampit Socialist dhe SHBA-ve e “Bllokut imperialist”!? Kjo periudhë, më së shumti në luftë me vetveten, duke ngrënë mishin dhe dhjamin tonë të pakët dhe duke pirë gjakun tonë anemik, pati edhe një të keqe tjetër të madhe, se nëpërmjet varfërisë në shumicën e familjeve e të popullit ndikoi për të nxitur dhe masivizuar edhe varfërimin shpirtëror të njerëzve. Sidomos kultivimin e egoizmit, pabesisë e të ligësisë deri në gjirin e një familjeje e në rrethin më të gjerë familjar, fqinjësor, shoqëror e miqësor, në vendet e punës..., me fakte apo raste të shumtë spiunimi për një fjalë goje të dalë pa dashje apo nga shpirti; për një veprim nga nxitimi apo dehja...

Strategjia e Enver Hoxhës dhe qeverive të tij gjase komuniste, pas 29 nëntorit 1944, ishte e qartë! Ai eliminoi fizikisht dhe ekonomikisht, duke i shpronësuar dhe grabitur flori e pasuri të tjera, familjet më të mëdha, më të pasura e më atdhetare, sidomos të parët apo më përfaqësuesit e tyre, gjyshërit dhe baballarët. Ndërsa bijve dhe bijave, nipërve e mbesave u vuri alternativën: doni të shpëtoni nga përndjekja politike dhe policore, nga burgjet dhe internimi; doni shkollim, jetë dhe punë në qytete? Jua japim këto, por me kushtin që "të hani garuzhde e tasa me supë" e të bëheni spiunët tanë!!! Ishte e pritshme të thyheshin jo pak prej tyre, në moshat 16 - 40 vjeç...!

Sot, referuar trashëgimtarëve nga familje ish të përndjekura politikisht, të cilët mbajnë hapur anën e ish persekutorëve të tyre e të Rama-parti-qeverisë, nuk mund të justifikohet qëndrimi, angazhimi dhe vota pro Rama-qeverisë nga disa individë “bastardë” të shtresës së tyre të origjinës! Por, nëse do të gjykonim më larg në kohë e më me thellësi, nëse do të përjetonim këtë dramë të tyre, edhe mund t'i mëshirojmë e justifikojmë disa prej tyre, sidomos ata që me spiunllëqet e tyre nuk kanë bërë viktima në jetë njerëzore...e nuk kanë shkaktuar drama e tragjedi familjare...!Por, po e ritheksoj, nuk mund të jemi mirëkuptues ndaj “dashurisë” apo “bashkëjetesës” së plot prej tyre me partinë dhe qeverinë trashëgimtare e ish persekutorëve të tyre...! Sepse, pavarësisht se jemi në neodiktaturë, përsëri ata, shumë edhe në diasporë, pas 1990-tës nuk e kanë me rrezik jete, burgosjeje dhe internimi, kushtin që iu vu nga Enveri dhe “zagarët” e tij gjyshërve, baballarëve, xhajallarëve, dajallarëve të tyre...!? Edhe gjatë 47 viteve të diktaturës gjase komuniste e gjase socialiste si dhe në këta mbi 34 vjet pas gjase demokracisë, jo të gjithë e jo të paktë kanë qenë e janë ata shqiptarë “syshqiponjë” që kanë vrarë dhe vrasin pabesisht e pashpirtësisht nga larg e pas shpine...! Edhe kur viktima ka qenë duke ngrënë ndonjë vesh rrush, një thelë bostan, një kokërr mollë, ftua, pjeshkë...Apo një petull, një copë byrek a bakllava; një kofshë pule, një copë mish qengji, keci, gici...! Edhe kur ka qenë në gjumë dhe po shikonte në ëndërr një vajzë perri apo si yll në tokë, fare pranë tij, sa mund t’i merrte erë e “të dehej” menjëherë...Edhe kur ka qenë në një lokal me miq e shokë, me një filxhan kafeje apo me një gotë birrë, verë, raki në dorë...!? Edhe kur ka qenë duke u përgatitur për dasmën e martesës së vet apo, në moshë të rritur, të vajzës a djalit, nipit a mbesës...Apo, kur ka qenë duke punuar në bahçe ose arë i njomur prej djersës...!? Edhe kur ka qenë duke u kthyer për në shtëpi plot hidhërim, pasi ka varrosur një mik apo një njeri të familjes e të zemrës...!? Edhe kur ka qenë duke u kthyer nga një dhomë apo pavion spitali shtetëror ose privat, i shkatërruar shpirtërisht e financiarisht...!? Po pse vetëm trim me fletë apo trim i çartur apo i marrë ka qenë dhe është populli ynë unikal, sidomos për t’i bërë gjëma vetes dhe vendit? Shtojini edhe të tjera! Si p.sh. është aq i besës sa më shpesh e harron besën, mirësinë dhe mirënjohjen; që ta shpërblen mirësinë me mosmirënjohje e pabesi. Bile, edhe që të vret me 1 ose 2 plumba pas kurrizit, pas një muri, shkëmbi, trungu, veture, ledhi...! Apo kur je me grua e fëmijë në verandë a ballkon; në kopësht, nën hijen e degëve të një fiku, molle, kumbulle, arre...; në veturë për qejf a hall; në rrugë e rrugicë; në një lokal... Në këta mbi 30 vjet të gjase pas komunizmit e të gjase demokracisë Shqiptari e ka vrarë dhe e vret shqiptarin, bile edhe vëllain, kushëririn, komshiun..., edhe për një 1 metër katror apo linear tokë; për 1 fjalë goje a vështrim; për një gërvishtje e parakalim veture; për një borxh 10.000 lekë vonuar pak javë...! Edhe për një dorë vota e një mandat deputeti! Edhe pse i shan partinë dhe kryetarin e zemrës!? Edhe pse ia thua në sy dhe me dashamirësi veset, gabimet dhe të këqijat që ka...! Edhe për plot vogëlsira të tjera...! Shqiptarët, sidomos ata të majtë, më shumë internacionalistë se sa nacionalistë, janë edhe popull që më shumë qajnë hallet e botës së largët, që jetojnë në “parajsa tokësore” se sa të vetat, jo shumë larg krahasimit me të një ferri tokësor! Që më shumë se sa veten, fëmijët, familjen dhe Shqipërinë, “duan” kryetarin dhe partinë, edhe pse këta ia kanë nxirë jetën dhe atdheun prej 80 vitesh...!? Mund të shtohen edhe plot virtyte e vese të tjera të popullit tonë legjendar, të lashtë sa bota e ca të leshtë si një qengj a dele, që prej mbi 80 vitesh apo një jete, mashtrohet ..., si fëmijët me një lojë, akullore, çokollatë, pako çamçakëz...nga “ujqërit qimekuq” me premtime përralleske dhe me përfitime ngushtësisht personale e që mbajnë erë shitjeje e blerjeje të votës, vetes, dinjitetit...

Mund të vazhdohet gjatë, por besoj se edhe me kaq kushdo që shikon me sytë e veta dhe gjykon me mendtë e veta e jo të partisë e të kryetarit, mund të arrijë në përfundimin hidhërues e mërzitës se enverizmi, prej rreth 20 vitesh në formën e edramizmit, i shqiptarëve“të majtë”, i ka bërë shumëfish më tepër gjëma se të mira, së pari atyre vetë e pastaj shumicës së popullit dhe të kombit ...! Mjafton të kujtojnë se prej mbi 80 vitesh jemi ndër të fundit në Evropë e botë për treguesit e niveleve dhe standardeve të zhvillimit ekonomiko-social; të pagave dhe pensioneve; të funksionalitetit apo përjetimit të shtetit ligjor e social; të integrimit të plotë në BE...! Nëse do të vihen në peshore farmacie apo drejtësie ideale faji dhe përgjegjësia përse jemi në këtë gjendje, nga fundi i të gjithë klasifikimeve vendore, evropiane e botërore, do të shikohet qartë se do të rëndojë shumë më tepër ana e partisë që ka qeverisur për 68 vjet se sa ana e partisë me vetëm 12 vjet qeverisje!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat