Kur bishti tenton t’i diktojë kokës?!

Opinione

Kur bishti tenton t’i diktojë kokës?!

Nga: Hafiz Shala Më: 10 maj 2025 Në ora: 09:15
Hafiz Shala

Nga fundi i kolonës së gjatë shtetërore, dikush krokatet nga bishti i saj, duke qëndruar me vite në fund, duke pranuar diktatin e ndonjë kolonashi të joshur për pushtet e të kërcënuar nga oligarkët e bashkuar dardano-amerikan (sipas deklaratës së kryedevollit që është i gatshëm të shpenzojë tërë kapitalin për ta shkatërruar Albinin – mosardhjen e tij në krye të Qeverisë), që për qëllim e ka devijimin e kolonës krenare, e cila për katër vite, përveç sukseseve të tjera, pas një trashëgimie të shkatërruar nga ish-pushtetet në koalicione alias, opozita e sotme, ka kaluar një gjendje të rëndë, e drejtuar nga ata të cilët, në vend që të udhëhiqnin me shtetin, e vidhnin, e ndanin dhe falnin territore vetëm për të ardhur në pushtet.

Vjedhën, shkatërruan dhe shitën ndërmarrje të njohura rentabile – fuqinë ekonomike të Dardanisë – i shitën me çmime nën çdo vlerë, duke përfituar shuma marramendëse dhe vendosur kushte që përqindja të ishte aq sa ua plotësonte dëshirat, duke u shndërruar në kulakë për rrethanat dardane dhe në sheikë për ato arabe. Si mund t’i arsyetojnë ato pasuri, duke shpërlarë para posaçërisht në ndërtimtari, për t’i arsyetuar gjoja shpenzimet, duke manipuluar e fshehur përmes regjistrimeve në emra të familjarëve, miqve apo bashkëpunëtorëve jo fort të njohur për opinionin, për të humbur gjurmët e për t’i fshehur ndaj organeve të drejtësisë dhe prokurorisë?

Kanë vjedhur pa mëshirë dhe tani problemi është si mund t’i arsyetojnë, me gjithë akrobacionet e mundshme financiare, për çka duhet të dalin para drejtësisë – gjë që nuk mund të ndodhë me qeverinë Kurti në krye, sepse e dinë se nuk mund t’ia dalin, pasi ai nuk do t’u nënshtrohet, as kërcënimeve, as shantazheve, e as ndërshembjeve politike të akterëve me profesione hajdutësh e politikisht tradhtarësh.

Nga formularët e atyre që megjithatë kanë bërë ndonjë deklarim – të cilin duhet ta shqyrtojnë në detaje ekspertët financiarë – nuk besoj që do të kalojnë, pasi ata që kanë vjedhur, edhe manipulojnë. Sepse, kur janë në gjendje të manipulojnë duke falur territore e ndarë shtetin sipas kërkesave të Serbisë, ata manipulojnë edhe me vërtetësinë e deklaratave rreth pasurisë, që të mos ndëshkohen penalisht përmes drejtësisë së pakapur, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Një ndër sukseset më të theksuara konsiderohet – nën një dhe kryesorja – përzënia me bisht ndër shalë e grupeve kriminalo-terroriste, apo thënë troç, çlirimi definitiv i veriut. Është e pakjartë për ata që duan të vijnë në pushtet pa meritë dhe pa përkrahjen e një shumice të konsiderueshme, e jo kjo nga vendi i tretë apo i fundit. Sepse, zëri i shterrur dhe i shitur te armiku, në bashkëpunim me oligarkët e regjistruar në shtetin armik shekullor, as nuk dëgjohet e as nuk ndihet, për të udhëzuar flamurtarin – sovranin – se kah ta drejtojë “kolonën” (shtetin – popullin), duke e ditur se e drejta ekskluzive i takon të parit sipas votës gati 50% të sovranit.

Është cinike dhe e pandershme që, në pamundësi për të siguruar votat e nevojshme për të ardhur në pushtet, po mundohen në mënyrë klandestine, me bllokada dhe dhunë politike pa meritë, që t’u figurojnë emrat e partive opozitare si pjesë e çfarëdo qeverie imagjinare, për t’u arsyetuar para anëtarësisë se “janë pro zgjidhjes së ngërçit”, duke u diktuar deputetëve partiakë që të mos e tradhtojnë partinë, por të qëndrojnë qoftë edhe në anën e Serbisë – Listës Serbe – për ta marrë pushtetin. Mjerim i shekullit për popullin dardan e kombin.

Partitë opozitare, të renditura bashkë me Listën Serbe, zëdhënëse dhe aparat i qëndrueshëm serb antidardan, të cilat as sot e kësaj dite nuk e njohin Dardaninë, e hapur e propagandojnë dhe injorojnë. Kanë siguruar një bashkëpunim me opozitën me një politikë tradicionale mbi 20-vjeçare, që në agjendën e tyre të përbashkët kanë ta pamundësojnë ardhjen në krye të qeverisë Kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Pra, agjenda e Serbisë, Rusisë dhe aleatëve të tyre përmes partive opozitare me moton e përbashkët “Albini jo Kryeministër me asnjë çmim”, që ishte edhe temë diskutimi në Moskë, nënkupton që Lista Serbe të inkorporohet në qeveri, sipas kërkesës së Gjuriqit, me së paku katër ministri, me kusht që të mos zbulohen pistat dhe autorët që kanë bashkëpunuar, koordinuar e bashkëpunojnë me Serbinë, duke zbatuar politika anti-dardane.

“Qeveria imagjinare tranzitore”, e propozuar nga i fundit i kolonës, nuk ka peshë dhe as që mund të zbatohet, pasi kur flet ai i fundit, apo bishti i kolonës, nuk ka jehonë përveç tek ata që janë në të njëjtën pozitë politike e demokratike.

Sipas traditave të kullave dukagjinase – pasi jam rritur në ato ambiente dhe i mbaj mend ende – balli i oxhakut nuk i lejon e as i dëgjon ata që janë ulur në trapazan, pjesa e fundit e dhomës së kullës, e lëre më t’ua pranojë nga burrat e ballit të oxhakut.

Opozita, nga presioni i tandemit serb-oligark, nuk ka zgjidhje tjetër përveç të veprojë sipas kërkesave ultimative të tyre.

Sa po duket, e vetmja zgjidhje do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilave opozita u frikësohet, sepse partitë minore nuk do ta kalojnë pragun zgjedhor dhe janë në panik, ndërsa barra do t’i mbetet Sovranit për të vendosur, duke marrë përgjegjësinë: me Serbinë dhe opozitën, apo me Dardaninë – shtet sovran dhe i pavarur me sovranitet të shtrirë në tërë territorin – me Albin Kurtin Kryeministër.

Hafiz Shala

New York, 10 maj 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat