Prishtina e mbuluar nga mbeturinat!

Opinione

Prishtina e mbuluar nga mbeturinat!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 15 maj 2025 Në ora: 20:53
Ismail Muçiqi

Papërgjegjësia ndaj qytetarëve të Prishtinës është kthyer në shqetësim serioz dhe rrezik për shëndetin e popullësisë. Pothuajse të gjitha rrugët e kryeqytetit dhe lagjet përreth janë të mbuluara me grumbuj mbeturinash, të cilat nuk janë pastruar prej ditësh për shkak të mosmarrëveshjeve dhe akuzave ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi”

Është e dhimbshme që një gjendje e tillë po ndodh pikërisht në kryeqytetin e Kosovës, si rezultat i papërgjegjësisë dhe menaxhimit të dobët të shërbimeve publike nga ana e Komunës së Prishtinës. Pamja e shëmtuar që shihet gjithandej rrugëve me deponi të mbeturinave nuk është parë prej kohësh. Kjo gjendje alarmante paraqet rrezik të vazhdueshëm për përhapjen e ndonjë sëmundjeje apo virusi, me pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dështuar në mënyrë të plotë në udhëheqjen e komunës, duke mos realizuar asnjërin nga projektet kapitale që u premtoi qytetarëve. Si pasojë, jeta në kryeqytet është bërë e padurueshme për shkak të mungesës së hapësirave publike, të cilat po zëvendësohen me ndërtime të larta betoni, shpeshherë për interesa të grupeve të ndërtimit dhe te mafisë biznesore. Prishtina po përballet me probleme të shumta që ua vështirësojnë jetën qytetarëve. Një shembull i qartë është tregu i perimeve dhe pemëve, i cili ka mbetur në një gjendje të mjerueshme që nga paslufta. Ky ambient, ku qytetarët furnizohen përditë me ushqime, paraqet rrezik për shëndetin e popullesise.

Që nga paslufta, Prishtina ka dështuar në përzgjedhjen e kryetarëve të denjë të komunës, të cilët në vend që të merren me problemet e qytetarëve, janë përqendruar në përfitime personale. Vetë fakti që Asambleja Komunale ka kohë që dështon në organizimin e mbledhjeve, për shkak të polarizimit të asamblistëve partiak me udhëheqjen komunale dhe vetë kryetarin Rama, është tregues i qartë i deshtimit të tij nga nevojat reale të qytetarëve. Prishtina ka nevojë për një kryetar që ka lindur e është rritur këtu, që njeh hallet e banorëve dhe që jeton me problemet e tyre të përditshme — nga fshatrat më të thella e deri te qendra e qytetit.

Nuk mund të pritet përmirësim nga një kryetar që ka ardhur nga metropolet dhe kazinotë e Londrës, nga bota e industrisë së muzikës rok, dhe që nuk e njeh realitetin, kulturën dhe nevojat e qytetarëve të Prishtinës, të cilët tash e më shumë se dy dekada përballen me mungesë të shërbimeve bazë që duhet t’i ofrojë komuna dhe institucionet përkatëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat