Nuk janë të rralla rastet kur krerët e shtetit, por edhe politikanët në përgjithësi, kërcënohen. Së fundmi, në emailin zyrtar të Presidencës, një llogari me emrin “Rrap Tap” ka kërcënuar me jetë presidenten Vjosa Osmani.
Sipas Presidencës, kjo llogari kërkon që formimin e qeverisë presidentja t’ia kalojë partisë së dytë. Po ashtu, sipas zëdhënësit Kupina, ky email i drejtohet presidentes me fjalën “t’vraj”.
Sigurisht që një kërcënim i tillë është shqetësues dhe institucionet duhet të zbardhin identitetin e personit në fjalë, si dhe të bëjnë arrestimin e tij ose të saj. Ajo që është e habitshme, sipas Presidencës, është fakti se pavarësisht dhjetëra kërcënimeve – shumica prej tyre me jetë – asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj autorëve, ndonëse shumë prej tyre janë të identifikueshëm me emër dhe mbiemër.
Për më tepër, disa nga kërcënimet janë bërë edhe publikisht në emisione televizive, por sërish mungon reagimi institucional. Si është e mundur që institucionet përgjegjëse nuk reagojnë? Imagjinoni kur kërcënohet presidentja – çfarë mund t’u ndodhë të tjerëve?
Reagimi duhet të ishte i shpejtë dhe të shërbente si mesazh për këdo që kërcënon, se çfarë e pret. Kushdo që qëndron pas këtyre kërcënimeve ndaj presidentes Osmani nuk ia do të mirën Kosovës, dhe për pasojë duhet ndaluar dhe ndëshkuar.
Kosova nuk guxon të shndërrohet në një vend ku çdo i çmendur, kriminel apo bandit mund të kërcënojë këdo dhe të mbetet i lirë. Ata që e duan të vdekur presidenten e Kosovës janë armiqtë e shtetit tonë, dhe si të tillë, vendin e kanë në burg.