Konsulentët e diplomacisë nën hije Prishtinë-Beograd

Opinione

Konsulentët e diplomacisë nën hije Prishtinë-Beograd

Nga: Ismail Muçiqi Më: 23 maj 2025 Në ora: 23:17
Ismail Muçiqi

Nuk është e rastësishme që çështja shqiptare ka mbetur e pazgjidhur për shekuj me radhë, për shkak të politikave të verbra të njerëzve të padijshëm, të paqëndrueshëm dhe të dyshimtë, të cilët armiku i ka shfrytëzuar për interesat e veta. Gjatë historisë, mund të evidentojmë tri periudha që i kanë sjellë dëme të pariparueshme shqiptarëve të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.

Periudha e sundimit të Mbretit Zog në Shqipëri na kujton koketimin dhe bashkëpunimin e tij me qeverinë serbe të asaj kohe, të udhëhequr nga Nikolla Pashiq. Për të mbetur në pushtet, Mbreti Zog kërkoi ndihmën e Serbisë kundër rivalëve të tij shqiptarë.

Rrugë të ngjashme ndoqi pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, edhe lideri komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili ishte i gatshëm që Republika e Shqipërisë t’i bashkohej Jugosllavisë së Titos. Kjo periudhë famëkeqe e historisë, e mbështetur nga individë të caktuar shqiptarë, u përsërit edhe në kohën e suprimimit të autonomisë së Kosovës, kur me ndihmën e Serbisë, në krye të Komitetit Krahinor u instalua Rrahman Morina me disa bashkëpunëtorë. Kjo uvërturë tragjike, kohë pas kohe, po vazhdon edhe tani, kur Kosova ka fituar lirinë dhe pavarësinë dhe është pranuar si shtet me sovranitet e integritet, me të gjitha institucionet përkatëse dhe me një sistem demokratik e rend kushtetues.

Së fundmi, disa pseudoanalistë dhe opinionistë, që për vite të tëra e kanë torturuar psikologjikisht dhe moralisht opinionin publik shqiptar përmes ekraneve televizive, kanë filluar të riaktivizojnë kontaktet “diplomatike” me qeverinë e Serbisë. Këta njerëz, pa autorizim, pa mandat dhe pa kredibilitet, po merren me çështje për të cilat nuk janë as kompetentë, as të autorizuar nga institucionet legjitime të shtetit të Kosovës. Koha ka treguar se disa nga të ashtuquajturit opinionistë të “pavarur”, që bredhin nëpër studio televizive, kanë pasur gjithmonë një lidhje të dyshimtë me institucionet e ndryshme të qeverisë serbe. Ky veprim duhet të gjykohet dhe të ndëshkohet nga institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Këto raporte po ndodhin pikërisht në kohën kur Serbia po punon me të gjitha forcat kundër shtetit të Kosovës, përmes një propagande destruktive në të gjitha shtetet e botës. Edhe më parë kemi shkruar se disa media dhe portale u kanë dhënë hapësirë individëve të caktuar, duke i lejuar të plasojnë idetë dhe pikëpamjet e tyre, e duke krijuar konfuzion në opinion përmes shtrembërimit të fakteve, në favor të armiqve të Kosovës – Serbisë dhe Rusisë. Këto pikëpamje kanë dalë në sipërfaqe prej kohësh, por fatkeqësisht institucionet përkatëse të sigurisë dhe drejtësisë kanë heshtur.

Nuk ka nevojë për shumë koment: individë të caktuar, të njohur për opinionin publik, për vite me radhë kanë përhapur idetë për shkëmbime territoresh apo korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm njerëz me probleme mendore mund të veprojnë në këtë mënyrë në dëm të shtetit të Kosovës, një shtet ku ekzistojnë dhe funksionojnë të gjitha mekanizmat dhe institucionet përkatëse që e përfaqësojnë atë sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Prandaj, çdo tentim nga individë apo grupe që koketojnë dhe bashkëpunojnë me institucionet e qeverisë së Serbisë, pa autorizimin e shtetit të Kosovës, është i dyshimtë dhe i shërben interesave të armikut. Njëherë e përgjithmonë, historia na ka mësuar se politika dhe individët e padinjitetshëm, të padijshëm dhe të luhatshëm në raport me interesat e popullit, i kanë sjellë vetëm fatkeqësi kombit shqiptar, kudo që ai jeton.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat