Nait Hasani është deputet i Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike. Ka qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri. Dhe megjithëse përfaqësohet në politikë e në diplomaci, këto ditë ka bërë një deklaratë të çuditshme. Ka thënë se nëse do të dënohet Hashim Thaçi, në rajonin tonë do të ketë trazira. D.m.th. do të ketë luftë, konflikt, përleshje, destabilizim, hakmarrje! Ndaj kujt? Për çfarë? Ta analizojmë pak këtë deklarim destruktiv e paqeshkatërrues të Nait Hasanit:
Së pari, nëse dënohet Hashim Thaçi, ky është e do të jetë verdikt i një gjykate të imponuar dhe votuar prej vetë Thaçit. Në zhargonin popullor thuhet se “Kur vret veten me gishtin e madh, atëherë nuk ke kujt t’ia kërkosh gjakun ose hakun”! Ish presidenti dhe kryeministri i Kosovës është vetë autori i ngritjes së Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Ka imponuar ndryshime kushtetuese me qëllim që kësaj gjykate t’i jepej fuqia kushtetuese e juridike për të dënuar gjithkënd që gjendet fajtor. Që do të thotë se kërcënimi që bën deputeti i PDK-së nuk ka sesi të adresohet kundër kësaj gjykate.
Së dyti, Naiti nuk e specifikon se kundër kujt do të drejtohet revolta dhe do të zhvillohen trazirat, gjithnjë nëse Hashim Thaçi dënohet në Hagë. Kundër gjykatës është e pamundur të bëhet diçka. Sepse gjyqtarët dhe prokurorët e saj gjenden në Hagë. Dhe zoti Hasani flet për trazira që destabilizojnë rajonin, jo Europën dhe Hagën. As Hollandën. Pra kjo mbetet e paqartë. Dikush mendon se trazirat do të adresohen kundër qeverisë së Kosovës, nëse do të krijohet ajo. Dhe në fakt një inat me qeverinë e zotit Kurti e kanë militantët që mburren me luftën dhe e plaçkitën Kosovën në emër të saj.
Por mund të hamendësohet se “inati është me Serbinë”, pasi që formimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë u ngrit me lobimin e autoriteteve serbe dhe ndikohet prej Beogradit e shpifjeve të Prokurorit të Përgjithshëm të Serbisë. Po nëse Hashim Thaçi nuk dënohet për “vrasjen e serbëve”, ndërkohë që ngarkohet me faj për viktimat me emër shqiptarësh? Po nëse ish-presidenti dënohet për përpjekjet e tij për shantazhimin dhe intimidimin e dëshmitarëve? Po nëse….! Ka shumë të tilla nëse!
Atëherë Nait Hasani kundër kujt do të trazohet? Veç në luftoftë me Zotin! Por një luftë si kjo nuk ekziston! Atëherë duhet besuar se deklarata e tij është një formë presioni kundër gjykatës në fjalë, me qëllim që ajo të mos japë përgjegjësi për 156 vrasje, për të cilat akuzohen Hashim Thaçi dhe tre-katër ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është gjithashtu formë presioni për bashkësinë ndërkombëtare, e cila investon shumë për stabilitetin në rajon. Jo rastësisht ai përmend “trazirat në rajon”! Nuk thotë se “do të ketë trazira në Kosovë”! Por në rajon. Shigjeta shkon kësisoj në Bruksel, Berlin, Londër, Paris, Romë , dhe pse jo, edhe në Uashington. Sepse këta, beson Naiti, kanë fuqi ta anullojnë një vendim të mundshëm të dënimit të Thaçit në Hagë!
Sipas ish-diplomatit dhe tani deputetit të Partisë demokratike të Kosovës, më pak e rëndësishme është paqja, stabiliteti, integrimi dhe përparimi i Kosovës e rajonit, sesa fati në drejtësi i Hashim Thaçit. Tani e kuptoj pse politikanë, diplomatë dhe analistë të PDK-së e mbështetën Hashim Thaçin në nismat e veta për ndarjen e Kosovës, së bashku me Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiq. Se në atë akt tradhtie e turpi bënte pjesë Hashimi. Për hatër të Hashim Thaçit duhej mbështetur nga këta “patriotët e luftës” ndarja e Kosovës. Kjo logjikë prej injoranti nuk i shërben atdheut, shtetit e kombit. Përkundrazi, nëse vendos mbi këta elementë fatin e një individi, qoftë ky edhe Hashim Thaçi, do të thotë se nuk e ke idenë as çfarë flet, as çfarë mendon e beson!
Dhe së fundmi, duhet thënë që Serbia, veç tjerash, kishte qëllim destabilizimin e Kosovës e të rajonit në rastin e denoncimit të Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës. Me një gur ajo dëshiron të vrasë shumë zogj. Ta dënojë ish-përfaqësuesin politik të UÇK-së dhe disa bashkëpunëtorëve të tij. Po ashtu ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës. Dhe unë e quaj këtë një intrigë të Serbisë e ndërkombëtarëve, sepse pa dënuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, është padrejtësi të ngrihej akuzë kundër çlirimtarëve të Kosovës, edhe nëse ata kanë tejkaluar “të drejtën e tyre”! Qëllimi tjetër i Serbisë ishte dhe mbetet që Naitat të revoltohen dhe të shkaktojnë trazira në Kosovë. Kjo ia krijon mundësinë Serbisë të ndërhyjë, sepse ajo do të thotë se “Rrezikohen serbët në Kosovë”!
Ja pra çfarë na kanë bërë e çfarë janë të zotët të bëjnë injorantët si Naiti!