Vrasja e Bardhyl Ajetit, plagë e madhe e Kosovës

Opinione

Vrasja e Bardhyl Ajetit, plagë e madhe e Kosovës

Nga: Faton Mehmeti Më: 3 qershor 2025 Në ora: 08:42
Autori Faton Mehmeti

Kur përmendet emri i Bardhyl Ajetit, të gjithë e dinë se bëhet fjalë për një gazetar të vrarë nga bandat kriminale. Jemi në vigjilje të 20-vjetorit të vrasjes së tij; pesha dhe fjala e Bardhylit kumbon edhe nga varri, aq më tepër që vrasësit janë ende të pandëshkuar.

Vrasja e Bardhylit ishte pjesë e ofensivës ndaj gazetës kombëtare Bota Sot. Pavarësisht se u vranë Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, ata nuk arritën ta ndalin rrugën e drejtë të gazetës.

Drejtësia e kapur nuk ka pasur guxim, madje as që ka tentuar të zbardhë vrasjen e Bardhylit. Megjithë shpresat te Gjykata Speciale, mbetet për t'u parë nëse ajo do të nxjerrë në pah organizatorët. Kjo gjykatë mbetet shpresë për të gjitha familjet e viktimave që të mësojnë se kush ua vrau më të dashurit e tyre — por mbi të gjitha, edhe për të qetësuar eshtrat e atyre që nuk jetojnë më dhe që janë vrarë nga bandat kriminale të pasluftës.

Bardhyli nuk u vra sepse ishte bandit, por sepse ishte njeri i mirë, i drejtë, që përmes shkrimeve të tij kishte demaskuar fytyrën e vërtetë të atyre që vodhën shtetin — dhe sot u është zbuluar fytyra. Bardhyli ishte vizionar, njeri i guximshëm — virtyte që nuk duroheshin nga bandat kriminale.

Njerëz si Bardhyli kurrë nuk vdesin. Fjala e tyre jeton gjithmonë dhe shërben si model për gazetarët: që vetëm e vërteta duhet të thuhet — edhe kur paguhet me jetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat