Ai ishte një nga veprimtarët më të angazhuar në ndërkombtarizimin e çeshtjes së Kosovës në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, një luftëtar i palodhur për shtetësinë e Kosovës, siç ishte Bujar Bukoshi.
E kam njohur në fillim të viteve 90ta të shekullit të kaluar, kur shërbeja në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së. Përkushtimi i tij për lirinë dhe puna e madhe për ndërgjegjësimin e faktorëve ndërkombetar ishte prioritet i punës së Bujar Bukoshit, në atë kohë kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil. Për mua janë të paharruara takimet e shumta, bisedimet e gjata, idetë dhe përkushtimi i tij ndaj Kosovës dhe interesit kombetar në përgjithësi. Ishte i urtë, i ditur dhe shumë modest. Kishte besim tek diplomacia e re e Shqipërisë, që ndonëse me mundësi jo të mëdha, por me dëshirë të pakufizuar për të dhënë kontributin dhe ndihmën tonë të pakursyer për çeshtjen kombetare.
Shumë ide e projekte nuk i realizuam dot, jo për mungesë vullneti. Por rrethanat ndryshuan edhe për ne edhe për Bukoshin!
Unë ruaj respektin më të madh për angazhimin e tij, në një kohë shumë të veshtirë, jo vetëm për Kosovën, por për tërë kombin shqiptar! Kam bindje se puna dhe vepra e doktor Bukoshit të mbetet pjesë e pandashme e historisë sonë kombëtare.
Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Bukoshi dhe me të gjithë atyre që ndanë me të idealet për lirinë e Kosovës demokratike dhe bashkimin kombëtar!
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij.