Prifti ngucakeq dhe hoxha budallë...

Opinione

Prifti ngucakeq dhe hoxha budallë...

Nga: Agron Shabani Më: 12 qershor 2025 Në ora: 08:39
Autori Agron Shabani

Një ditë prej ditës, prifti e kishte hetuar (vërejtur) hoxhën e pashkollë dhe krejt hajvan, duke e nxjerrë përditë nga një kokërr kallamoqi (misri) prej xhepit në Muajin e shenjtë të Agjërimit ose Ramazanit.

Kështu që hoxha i kishte shkokluar në xhep 30 kokrra misri ose kallamoqi, dhe sa herë që e pyesnin xhemati në xhami: “O baba hoxhë, po allahile a po na tregon se edhe sa ditë mbaron (përfundon) Ramazani dhe vjen festa e bekueme e Bajramit, se na mbyti zhegu?”

Ishin lodhur xhemati (mileti) në muajt e vapës së gushtit dhe korrikut, edhe për një pikë ujë se...

Ndaj, duke e vërejtur hoxhën e shkretë, i cili përditë e nxirrte nga xhepi nga një kokërr drithi ose kallamoqi, për t’iu thënë (treguar) xhematit se edhe sa ditë do t’u vinte festa e Bajramit, gjatë një iftari të shtruar nga hoxha në oborrin e xhamisë, ku ishte i ftuar edhe prifti i katundit për marifet dhe kortezi: si papritur dhe kujtuar hoxha, prifti nxjerr një kallamoq të madh nga setra, dhe ia shkoklon të tërin hoxhës në xhep, duke e pyetur lidhur me çështjen e mbarimit të Ramazanit dhe ardhjen e pritshme të Bajramit të gëzueshëm për hoxhën dhe xhematin e tij që po mrizonin nën hijen e xhamisë.

“Po, edhe sa ditë i kemi Ramazan, o hoxhë efendi?”, e pyeti prifti hoxhën pasi ia shkokloi krejt kallamoqin në xhep.

Kështu që hoxha, me plot kërname dhe karafekte të hoxhallarëve të pashkollë, matuf, cinik dhe injorant, e futi dorën në xhepin e mbushur plot e përplot kokërra misri ose kallamoqi që ia kishte derdhur ose shkokluar prifti në xhep.

Dhe, me të futur dorën në xhep, pau (vërejti) se i janë shtuar kokrrat e kallamoqit, ku bërtiti me sa zë që kishte: “Për Zë morë zotni, si duket është pështjellur hesapi... Janë shtuar, si duket, ditët e Ramazanit!”

“Auuu po ç’na paske marrë n’qafë o mullah leshi!” – ushtuan dhe zukatën xhemati duke u larguar nga sofra pa e hangër (ngrënë) iftarin.

Kur zhduken shkencëtarët, krijuesit, artistët, kulturologët, intelektualët ose inxhinierët e edukatës, kulturës, arsimimit, emancipimit dhe mendimit të njohur shkencor, intelektual, kulturor, politik ose filozofik, zhduken edhe ndjekësit dhe pasuesit e tyre. Kombi vdes.

Ndaj, ti “burrë i dheut”, apo ti “sojnikja e fisit”: jepni dikah, o majtas o djathtas, e jo me një hap para dhe dy hapa mbrapa.

Na tregoni ne të tjerëve rrugën, drejtimin... e jo si ai “baba hoxhë” i cili, i tmerruar nga “bryma e kuqe” që i ishte dëftuar në ëndërr, pau “diçka të shenjtë” aty dhe i dha urdhër katundit ose xhematit të tij, me i shtjerrur dhe mbuluar krejt pusët ose bunarët e tyre, dhe mos me pi ujë në pikun e verës.

Me ç’rast, të etur, zhegitur dhe përveluar nga vapa dhe etja e madhe për ujin e pijshëm, u rrëbelua krejt katundi ose xhemati, duke bërtitur dhe uluruar me fjalët:
“Pasha musafin është çmendur ose tranuar hoxha, ndaj të dalim e t’a vrasim (mbysim) atë evlia budallë!” – piskati turma.

Është teza e kulturës institucionale dhe konstitucionale si ideologji shtetërore dhe nacionale, e përbashkët në shikim të parë me teorinë borgjeze, skllavopronare ose feudaliste të dhunës dhe shfrytëzimit optimal ose maksimal të individit dhe kolektivitetit në emër të shtetit dhe pushtetit, e cila ka një tendencë të dyshimtë për t’u transformuar dhe imponuar nga ana e saj, si ideologji ose kauzalitet i lartë shtetëror, nacional ose politik në Kosovë.

Nuk iu ndihmohet dot kombit dhe atdheut, duke u pështyrë vazhdimisht në gjoks, si dhe në llogari të njëri-tjetrit.

“O ti efendi, paj po pijmë edhe ne ujë me ta dhe po tranohmi bashkë me katund, se nuk shkon më krejt katundi i krisur dhe i egër, e vetëm unë me ty të ditur dhe evlia, nuk shkon më!” – i tha me zë të lartë hoxhenica, e cila dikur më vonë iu bashkua masës së njerëzve të etur dhe uritur për gjithçka.

Me fjalë të tjera, energjitë shkencore ose kritike të pranishme në konceptin elitar dhe egalitar të kulturës shtetërore dhe nacionale, do duhej të vendoseshin kundër funksionit të palës kundërshtare antropologjike ose atropolitike. Ndërkohë që impulset progresive të së dytës, do duhej t’u kundërviheshin implikimeve konservatore të së parës.

Pse (përse) kjo?

Sepse, në Kosovë shkruhet dhe flitet shpesh ose vazhdimisht për frikën, për forma entuziazmi me shfaqje, profile ose manifestime të ndryshme ekstatike ose ekstazike të agresivitetit, fatalitetit, stupiditetit, nebulozitetit ose iracionalitetit, mbi kurajën përballë kanosjes ose rrezikut imagjinar ose fiktiv etj.

Ndërkaq, problem kyç ose themelor me të cilin përballen sot (për çastin ose momentin) populli, shteti, pushteti ose shoqëria e gjithëmbarshme shqiptare ose kosovare, pos tjerash, është fakti i njohur sipas të cilit atje nuk njihen dhe nuk pranohen faji, llogaridhënia ose përgjegjësia personale (individuale) dhe profesionale në raport me ngecjet, stagnimet, turbulencat, sfidat, paradokset ose dështimet e ndryshme globale ose kolektive.

Natyrisht se nuk shkon më me “trupin te burri e shpirtin te baba”!

Shqiptarët janë të mbajtur, mbrojtur dhe siguruar (garantuar) nga NATO-ja, Perëndimi (bota kristiane ose katolike)...

Ndaj, nuk kanë kurrfarë nevoje dhe interesi për xhami, hamame ose mejtepe turke të ngritura dhe ndërtuara në drejtim të "kiblës" ose Stambollit si me qenë myslimanë boshnjakë apo “turq të veçantë”, dhe për pasojë, edhe tërbesh ose goranë.

Shqiptarët janë shqiptarë, pavarësisht strategjive, gjeopolitikave dhe interesave koniukturale, nomenklaturale etj.

Në këtë rast, edhe studimet ose analizat e njohura shkencore ose filozofike, nuk ngelin të izoluara, por ato kthehen tek vlerat dhe parimet e larta morale dhe njerëzore, respektivisht, në sistemin e vlerave dhe resurseve të përbashkëta (globale ose universale) të cilat bëjnë dritë ose rrezatojnë, duke zbritur tek çështjet humane ose njerëzore.

Tek e fundit, është fati dhe ligji i dhimbjes, frikës, ndëshkimit, sëmundjes dhe vdekjes që varet nga të gjitha gjërat tjera.

Në këtë kontekst, filozofisë së shpirtit ose subjektit i kundërvihet filozofia e natyrës, filozofia e objektit, pasivitetit, frikës, pesimizmit, iracionalitetit dhe fatalitetit të antropomorfizuar... ku para ligjeve të njohura natyrore dhe mbinatyrore, të gjithë janë të njëjtë ose të barabartë.

Nga ky "rreth vicioz" ose biocenoz, nuk është i përjashtuar ose amnistuar askush. As hoxha, as shejhu, dervishi, as prifti dhe as popi...

Kemi vuajtur dhe sakrifikuar shumë ne shqiptarët në rrugën e gjatë dhe aq të mundimshme të mbijetesës ose ekzistencës sonë individuale dhe kolektive.

Por gjithashtu kemi vlera, resurse ose pasuri të shumëta njerëzore dhe natyrore ne shqiptarët.

Ndaj, meqë sipas Erich Frommit, ne jetojmë në një botë vlerash, resursesh ose pasurish të pafundme dhe mrekulluese që na i kanë dhuruar Zoti (Hyji) dhe natyra: lidhja jonë e vetme me vlerat, resurset ose pasuritë e njohura njerëzore, tokësore ose natyrore qëndron në esencën ose formulën e njohur shkencore ose filozofike: si t’i njohim, zbulojmë, manipulojmë, shfrytëzojmë, shpërndajmë, menaxhojmë dhe konsumojmë ato (këto) vlera dhe resurse të përbashkëta globale ose universale.

Të dish ose kuptosh se çfarë (çka) janë jeta, qenia, materia dhe ekzistenca së bashku me lirinë (çlirimin), drejtësinë dhe barazinë e njohur shtetërore, nacionale, etnike, kulturore, historike, gjeografike dhe kështu me radhë, e të mos luftosh, përpiqesh ose sakrifikosh për to si lider, politikan a çatip i mirëmbajtur dhe paguar nga shteti – sipas Konfuçit – nuk ka ligësi dhe poshtërsi më të madhe.

Kosova dhe shqiptarët kanë nevojë për klerikë, liderë ose politikanë të zgjuar, inteligjentë, intelektualë, racionalë dhe profesionalë. Dhe jo për politikanë ose klerikë trutrashë, demagogë, hipokritë, dogmatikë, shpirtëshitur, komplotistë, dinastikë, shantazhistë, linçues, persekutorë, llaskucë, vasalë, poltronë, konformistë, oportunistë ose kamaleonë të varur ose të nënshtruar nga “tutela e lartë” ligjore, administrative, juridike, profesionale, karrieriste, materiale, sociale, ekonomike etj.

Me fjalë tjera, kjo do të thotë se etja dhe uria e kosovarëve për reforma, ndryshime ose transformime të thella esenciale ose substanciale, si duket, asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha, aditive dhe imperativiste – përballë shkatërruesve ose varrëmihësve të ndryshëm: rigidë, reaksionarë, anakronikë, violentë, infantilë dhe patologjikë të njeriut, popullit (kombit), shtetit, pushtetit, politikës, diplomacisë dhe ardhmërisë së Kosovës.

Kosova dhe shqiptarët, të “korrurat dhe të vjelurat” e ndasive ose përçarjeve politike, partiake, konceptuale, ideologjike, fetare, kulturore, rajonale, krahinore, provincialiste etj., deri më sot, gjithmonë i kanë parë dhe përjetuar me plot ankth, stres ose pasiguri të madhe objektive dhe subjektive.

Shtetin, lirinë (çlirimin) dhe pavarësinë e Kosovës e bënë trimat ose heronjtë e njohur të UÇK-së (djemtë dhe vashat më të mira të kombit), të ndihmuar nga NATO-ja, respektivisht nga SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca, Japonia, ose shtetet më të fuqishme dhe më përparimtare të globit, si dhe platforma ose filozofia e njohur vizionare, konvencionale dhe filo-okcidentale ose properëndimore e Dr. Rugovës etj.

Ky është fakti ose realiteti.

Çdo gjë tjetër i takon spekulimit ose manipulimit flagrant të grupit dhe individit të caktuar shoqëror, qytetar, fetar, kulturor, politik, gazetaresk ose propagandistik, të mbrojtur ose privuar nga psikoanaliza, gjegjësisht, nga anamnezat ose ekzaminimet e preferuara shpirtërore, emocionale, mentale, psikologjike, gjenetike, gjenealogjike etj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat