Nuk jemi mjaftueshëm të vetëdijshëm se siguria globale nuk ka qenë asnjëherë më në rrezik që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjendja e luftës ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, përplasjet mes Jemenit dhe Izraelit, e tash shpërthimi i konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Iranit, i kanë vënë në lëvizje pothuajse të gjitha shtetet e botës, ku askush nuk mund të ndjehet plotësisht i sigurt. Pamjet që vijnë nga bombardimet e Izraelit në bazat ushtarake iraniane janë tejet shqetësuese dhe paraqesin një rrezik të përhershëm për zgjerimin e këtij konflikti drejt krizave të tjera globale, të cilat po trokasin në prag të një lufte të përgjithshme. Nuk ka dyshim se rendi botëror ka dalë nga binarët, ndërsa Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Kombeve të Bashkuara po shfaqen gjithnjë e më shumë si një jehonë e së kaluarës. Ardhja e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara e ka ndryshuar balancën e superfuqive botërore.
Fatkeqësisht, ne nuk jemi të vetëdijshëm për faktin se kjo krizë mund të përhapet edhe në rajonin tonë, ku Ballkani konsiderohet një ndër zonat më të rrezikuara për shpërthimin e ndonjë konflikti të ri. Serbia mbetet një faktor destabilizues, jo vetëm në Ballkan, por edhe në skenën më të gjerë ndërkombëtare. Ne shqiptarët e Kosovës nuk jemi të vetëdijshëm sa duhet për rrezikun që sjell zgjerimi i konflikteve rajonale. Kosova është ndër shtetet më të kërcënuara nga fryma fashiste dhe hegjemoniste serbomadhe.
Marrëdhëniet Kosovë–Serbi janë të tensionuara në vazhdimësi për shkak të pretendimeve të Serbisë për rikthimin e kontrollit mbi Kosovën. Pozicionimi i forcave ushtarake dhe policore serbe përgjatë kufirit me Kosovën përbën një kërcënim të përhershëm për sigurinë tonë. Politika e Beogradit dhe propaganda e saj, e përhapur përmes mjeteve të informimit të kontrolluara nga qeveria serbe, na rikthejnë kujtesën e dhimbshme të kohës së Millosheviqit, kur ndodhi agresioni ushtarak dhe policor ndaj Kosovës në vitet 1998–1999. Ndërkohë që bota po zien dhe shumica e shteteve janë në ankth dhe në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e sovranitetit të tyre, shteti i Kosovës po sfidohet nga brenda – nga një politikë e mjerimit, përçarjes, interesave të ngushta partiake, klanore dhe mafioze. Këtë e dëshmojnë edhe 30 seancat e dështuara të Kuvendit të Kosovës, të cilat i japin pasqyrë një gjendjeje të mjerueshme politike në shekullin XXI. Kam bindjen se jemi larg vetëdijes dhe realitetit të situatës aktuale të sigurisë që po zhvillohet rreth nesh.
Është momenti që të rikujtojmë luftën e para 25 viteve, e cila mund të përsëritet. Serbia po përgatit plane ushtarake që, në një moment të volitshëm dhe me mbështetjen e rrethanave ndërkombëtare, mund ta tentojë ripushtimin e Kosovës. Në këto rrethana, shteti i Kosovës duhet të rrisë shkallën e mobilizimit, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit globale, krizën e sigurisë dhe shpërthimin e luftërave të reja. Për këtë kauzë, të gjitha partitë politike duhet të bashkohen (shkrihen) në një bërthamë shtetërore dhe kombëtare për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e cila po kërcënohet në vazhdimësi nga Serbia, me mbështetje nga Rusia. Për ngritjen e kësaj vetëdijeje na obligon historia e dhimbshme e popullit shqiptar, e shkruar përmes shekujve me vuajtje, luftëra dhe sakrifica për mbrojtjen e identitetit dhe ekzistencës sonë kombëtare.