Ukshin Hoti lindi me 17 qershor 1943, në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Prizeren, Shkencat Politike, i kreu në Zagreb, dy vite pasuniversitare në Beograd, dhe pastaj u specializua në Universitetin amerikan në Çikago, Horvard dhe Uashington.
Ukshin Hoti ishte ligjërues në Fakultetin Juridik drejtimi diplomatik, mandej edhe ligjërues në Fakultetin Filozofik, sociologji-filozofi, dhe ishte sekretar për Marrëdhënie me botën e jashtme, dhe anëtar i gjitha forumeve të politikave ndërkombëtare.
Ky njeri e ndjenë obligim moral e njerëzor ta thotë botën e vet të brendshme shpirtërore e njerëzore të pa pajtueshmërisë në vendin ku ka lind dhe jeton, ndaj një bote tjetër që nuk njeh vlerat e jetës dhe dinjitetit njerëzor, që dëshiron njeriun ta bëjë objekt të asgjësimit politik, apo duke planifikuar gjithashtu deri te zhdukja fizike, siç ndodhi edhe me vetë personalitetin në fjalë.
Njerëzit e ditur e kanë menduar herët, se çka saktësisht do të sjellë jeta në të ardhmen e tij dhe të shoqërisë, të cilët nuk kanë heshtur për hir të idealit, por kanë shprehë opinionin e vet, edhe pse kanë qenë të diferencuar, apo në listën e asgjësimit.
Dhe ndër ata, që ishte privuar nga liria njerëzore dhe e drejta për të jetuar si qenie shoqërore, ishte Mr. Ukshin Hoti, një intelektual dhe politolog, që pasoi edhe izolimi i plotë i tij, shkëputja e çdo komunikimi me rrethin shoqëror, madje edhe me rrethin e vet fshatar, sepse edhe kontakti i thjeshtë njerëzor, atë e bënte fajtor për shtetin okupator serb.
Përveç maltretimeve të ndryshme nga organet e shtetit okupator serb, atë e detyruan që të mbyllej në një kasolle përdhese, larg syve të njerëzve, në mënyrë që mos të zbulohet gjendja e tij mjeruese, dhe pa asnjë burim të ardhurash materiale, vetëm se ishte përcaktuar për atë që atij iu duk si opsioni më mundshëm, si një rregullimi i tërësishëm shoqëror i Jugosllavisë së ardhshme me Kosovën Republikë, si zgjidhja më adekuatë e çështjes nacionale shqiptare.
Përmes kësaj teze shumë të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, i madhi Ukshin Hoti, u ndesh me politikën e shtetit dhe sistemit totalitarë jugosllav, ku ndalohej shprehja e mendimit të lirë dhe demokratike, që do të thotë se, nuk kishe guxim në këtë shtet ta injorosh një ligj të tillë monist dhe fashist, i cili Ukshin Hotin, do ta vinte në shënjestër të një përgjimi të vazhdueshëm.
Dhe më pastaj kundër magjistër Ukshin Hotit filluan proceset montuese politike nga sistemi okupator serb, të cilat e kurdisën edhe arrestimin e tij, dhe më 21 nëntor 1981, sipas nenit 114, të LPJ, e dënuan më 9 vite burgim për kontrarevolucion, dhe më pastaj ia zbritën në tri vjet e gjysmë, i cili i përjetoj ato vite torturuese nëpër burgjet hetuese të Jugosllavisë.
Kur e lëshojnë nga burgu Ukshin Hotin, atë nuk e lejojnë të punojë në arsim dhe në organizata tjera, duke ia marrë edhe banesën që kishte në Prishtinë, dhe e vetmja strehë e tij ishte Krusha e Madhe, aty ku e kishte vendlindjen e tij, duke ia kufizuar të gjitha aktivitetet dhe veprimtaritë intelektuale e jetësore.
Mr. Ukshin Hoti burgoset tri herë nga sistemi serb i asaj kohe. Për herë të parë u burgos më 19 nëntor 1981, sepse i mbrojti të drejtat e studentëve, për Kosovën Republikë. Në mars të vitit 1993, intelektuali Ukshin Hoti u burgos për herë të dytë, me pretekstin se ka organizuar homazhe për martirët e Brestovcit, dhe me 17 maj të vitit 1994, dënohet me 5 vjet burg, sepse ishte organizator dhe pjesëmarrës i lëvizjeve për Republikën e Kosovës.
Dhe një ditë para se ta përfundonte burgun në Dubravë, me 16 maj ( ditë e diel )1999,drejtori i këtij burgu Aleksandër Rakoçeviç, e jep urdhrin të lëshohet nga burgu Ukshin Hoti, të cilin e shoqërojnë tre pjesëtarë të sigurimit serb, me ç’ rast prej atij momenti dhe deri sot, nuk dihet asgjë për vendndodhjen apo ku gjenden eshtrat e këtij kolosi të madh të kombit tonë.
Lufta të cilën e shkaktoi Serboa në Kosovë, kanë vrarë e masakruar me qindra e mija shqiptarë në mënyrën më mizore, ku shumica e tyre ishin civil të pa armatosur. Në këtë luftë të tmerrshme janë rrëmbyer me dhunë mbi 3 mijë shqiptarë, janë dhunuar afro 20 mijë femra shqiptare, dhe prej këtyre të rrëmbyerve janë edhe 1600 të pa gjetur.
Qeveria e Kosovës dhe Institucionet e saja, kanë bërë shumë pak në lidhje me çështjen e të zhdukurve nga forcat fashiste serbe, ashtu edhe për intelektualin Ukshin Hoti, është bërë fare pak për të zbardhë fatin e tij, që është zhdukë në mënyrë të mistershme.
Ukshin Hoti nuk mund të vdes kurrë, sepse ideali i tij është i pavdekshëm, ai jeton në kujtesën e popullit, dhe populli e ndien nevojën e tij intelektuale të një politikologu të madh të çështjes kombëtare, i cili sakrifikoi tërë qenien e vet, për idealin e çështjes kombëtare.
Ukshin Hoti ishte autor origjinal i Kosovës Republikë, në të cilën sot krekosën njerëz pa vlerë që kanë zënë vendet e pa merituara në Parlament dhe në qeverinë e këtij vendi.
Prandaj, dikush duhet të përgjigjet për gjendjen e këtyre njerëzve, të cilët kanë rënë viktimë e ndikimit degjenerues dhe të shkatërrimit të figurave shqiptare, për të cilat akuzohet sistemi totalitarë fashist serb, por duhet pranuar se një pjesë të barrës e bartë edhe shoqëria kosovare, të cilët nuk kanë kohë të merren me çështjet e të zhdukurve, sepse vuajnë nga një lloj i pazakonshëm i deformimit të kohës së tyre, që i ka kapluar lufta për pushtet.