Kur “Gjahilët” ulen në Parlament

Opinione

Kur “Gjahilët” ulen në Parlament

Nga: Ismail Muçiqi Më: 23 qershor 2025 Në ora: 17:14
Autori Ismail Muçiqi

Një thënie popullore thotë: “Nuk ka më të keq se gjahili.” E, në pyetjen se kush është më i keq se gjahili, përgjigjja është: “Gjahili që nuk e di se është gjahil.”

Po jetojmë në një botë të trazuar, me plot kërcënime, luftëra dhe të papritura për të nesërmen. Ndërsa shtetet e botës i vëzhgojnë me vëmendje të lartë ngjarjet dramatike që po zhvillohen në Ukrainë, Palestinë, Iran e shumë vende të tjera, deputetët e Kuvendit të Kosovës, për shkak të botëkuptimeve primitive, inateve dhe defekteve të tjera patologjike, po i bllokojnë institucionet e shtetit përmes 35 mbledhjeve të dështuara për zgjedhjen e organeve të Kuvendit.

Kjo klasë politike, e cila po kalkulon me fatin e Kosovës, do të mbahet mend gjatë në historinë e parlamentarizmit si gjenerata më e papërgjegjshme ndaj shtetit dhe ndaj popullit të saj. As në ish-sistemin komunist nuk ka ndodhur që deputetët t’i nënshtrohen verbërisht kryetarit të partisë apo klanit udhëheqës.

Është e pashpjegueshme se si 100 deputetë shqiptarë ende nuk kanë guximin të distancohen nga kjo politikë e verbër, që po e çon vendin drejt greminës. Kjo tregon qartë se shoqëria kosovare po kalon një krizë të thellë morale, politike dhe njerëzore, dhe nuk është e përgatitur për sfidat e kohës në të cilën jetojmë.

Kjo mënyrë e të bërit politikë tejkalon madje edhe sistemet moniste të së kaluarës, kur asnjëherë nuk ka ndodhur që 100 deputetë të një vendi t’i nënshtrohen partisë apo liderit të saj, vetëm për të ruajtur interesat personale dhe jo ato të elektoratit që ua dha votën për të ndërtuar shtetin.

Ky nivel i ulët i përballjes politike i ngjan më shumë një sistemi centralist e autoritar, sesa parlamentarizmit demokratik që do të duhej ta udhëhiqte një republikë moderne. Është e paimagjinueshme që, pas 35 seancave të dështuara, të mos kemi asnjë rast të një deputeti që të dalë para opinionit publik, të pranojë gabimet dhe të distancohet nga partia apo kryetari i saj në emër të interesit publik.

Mungesa e kësaj vetëdijeje dhe ndjenja e munguar e autokritikës tregojnë fytyrën e vërtetë, karakterin dhe moralin e individit që e ka keqpërdorur votën e qytetarit.

E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur shtetet përreth nesh kanë ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kanë vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e sigurisë për t’u mbrojtur nga rreziqet që mund të ndodhin. Ndërkohë që Serbia po zhvillon propagandë hibride ekstreme kundër Kosovës, deputetët shqiptarë po e bllokojnë shtetin nga brenda.

Kjo gjendje e paimagjinueshme dhe thellësisht zhgënjyese nuk ishte pritur. Në fund, më thotë mendja se kjo klasë politike nuk e meriton ta përfaqësojë popullin e Kosovës në kohën e sfidave të mëdha me të cilat po përballemi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat