30-vjetori i “Bota Sot”: kundër armikut, kundër hajnave dhe pro të vërtetës

Opinione

30-vjetori i “Bota Sot”: kundër armikut, kundër hajnave dhe pro të vërtetës

Nga: Faton Mehmeti Më: 26 qershor 2025 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Para 30 vitesh, kur Kosova ishte në terr informativ, në fund të tunelit u shfaq një rreze drite. Ishte "Bota Sot" ajo dritë që ndriçoi mbi qiellin e errët të Kosovës. Nën okupim, "Bota Sot" nuk ishte vetëm një gazetë, por një kundërshtar i pakompromis i okupatorit, që nuk arriti ta ndalë misionin e saj të shenjtë – pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve të shumta.

Edhe gjatë luftës, ishte gazeta "Bota Sot" që u shndërrua në zërin e një populli të tërë që po vritej e dëbohej nga vatrat e tij shekullore. Edhe pas luftës, ishte po "Bota Sot" që i rezistoi sulmeve nga bandat e etura për të kapur pushtetin, me të vërtetën që nuk u mposht dot.

Megjithatë, kapja e shtetit në të gjitha dimensionet e bënte të vështirë mbijetesën. Jam i bindur se askush nuk do të mund të rezistonte kaq gjatë – pa mbështetje nga oligarkët, pa mbështetje nga politika – vetëm me forcën e fjalës së lirë, që ndonëse triumfon në perspektivë, shpeshherë të falimenton në të tashmen.

Duke qenë se shumica e mediave në Kosovë kanë pas vetes oligarkë të lidhur me politikën – nga të cilët edhe diktohet politika editoriale në favor të atyre që i financojnë, pavarësisht gabimeve – "Bota Sot" bën dallimin. Është e pavarur, e pandikuar nga oligarkët, dhe padron e ka vetëm të vërtetën.

Në 30-vjetorin e saj, pronari i "Bota Sot", gazetarët dhe gjithë lexuesit e saj meritojnë urimet më të mira. Puna e tyre me guxim dhe profesionalizëm ka bërë të mundur që e vërteta të thuhet dhe të mbijetojë mbi çdo gjë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat