Letër e hapur deputetëve të partive të deridjeshme opozitare

Opinione

Letër e hapur deputetëve të partive të deridjeshme opozitare

Nga: Rexhep Hasani Më: 26 qershor 2025 Në ora: 20:22
Foto ilustrim

Të nderuar deputet,

Ju drejtohem në lidhje me sjelljen tuaj në spirale në seancat e parlamentit që nuk i shihet fundi. Jam i bindur se edhe ju jeni të vetëdijshëm se situata është identike me atë paraprake të pikës së dytë për verifikimin e mandateve, ku ju deputetë të opozitës, pas dy seancash, e kuptuat se do të mund të hynit në rrugë pa krye, dhe votuat për verifikimin e mandateve. A thua vërtetë mendoni se një sjellje e tillë në rastin e pikës së tretë të konstituimit të parlamentit është racionale, kur jeni pikërisht ju ata që nuk merrni pjesë në votim, rrjedhimisht bllokoni konstituimin e parlamentit. Kjo aq më parë kur dihet se nuk e keni kontestuar as rezultatin e zgjedhjeve e as mandatin e fituar nga kandidatja për kryetare të paralmentit.

Edhe në këtë rast, sikurse në rastin e verifikimit të mandateve, votimi është procedural, sepse me rregullat përkatëse, që ndërlidhen me këtë pikë, me të drejtë nuk parashikohet afat, siç nuk parashihet as diskutimi i deputetëve për të kontestuar apo mbështetur kandidaturat e kandidatëve për kryesi të parlamentit. Kjo nuk është rastësi, sepse përpiluesit e rregullave procedurale kanë parasysh interpretimin ekstenziv, që merr parasysh kontekstin dhe frymin e dispozitës, e jo atë rigjid, që bazohet në germë. Pra afatet janë të parapara vetëm me rastin e formimit të qeverisë për të harmonizuar programet e partive në koalicion dhe për zgjedhjet kadrovike të qeverisë, ndërsa në rastin e konstituimit të parlamentit, është detyrim i partisë me numër më të madh deputetësh të propozojë kandidatin për kryetar, për të mundësuar konstituimin e parlamentit, sepse vetëm kështu i hapet rruga formimit të qeverisë nga koalicioni i cili siguron së paku 61 vota. Siç dihet, vetëm në këtë rast parashihen afatet prej 15 përkatësisht 10 ditë. Në të kundërtën, pra në pamundësi të sigurimit të numrit të nevojshëm të votave nga partitë parlamentare, merret vendim për zgjedhje të sërishme.

Kur dihet se në vendet me traditë të gjatë të demokracisë parlamentare, në rastin e një shpërndarjeje të ngjashme të numrit të deputetëve me këtë të zgjedhjeve të fundit në Kosovë, për të përjashtuar lënien në opozitë të partisë e cili ka fituar numër dukshëm më të madh të deputetëve në krahasim me partitë pasuese, votojnë një qeveri të pakicës parlamentare. Deklarimi i liderit të LDK-së, pas kumtimit të rezulateve, se do të respektojë rezultatin dhe pranoi se duhet të respektohet verdikti i votuesve, ka qenë premtues se do të kotribuojë në formimin e organeve shtetërore pas zgjedhjeve. Por kjo nuk ndodhi edhe përkundër ofertës për të bërë marrëveshje koalicioni për formim të qeverisë. Ishte korrekt dhe i drejtë propozimi i liderit të VV-së, që me një shpërndarje të tillë të vendeve në parlament, dhe për arsyet tjera të theksuara në intervistën e dhënë RTK-së, partia e ranguar në vendin e dytë të mbetet në opozitë, sepse kujtoj se mirëqenia në një shtet varet edhe nga ajo se sa dhe si sfidohet qeveria nga një opozitë e fortë.

Konsideroj se pas konstituimit të parlament, si detyrim sine qua non i deputetëve, para se të merret vendimi për përsëritje të zgjedhjeve, VV-ja duhet të shqyrtojë edhe një mundësi të mbetur për propozim të koalicionit eventual me partinë e dytë-PDK-në. Nëse kihet parasysh se as PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe as mandatin e deputetes që propozohet për kryetare, do të ishte vendim racional të pranojë ofertën eventuale nga VV-ja për marrveshje koalicioni. Kjo aq më parë, kur të kihet parasysh Aktgjykimi me shumicë votash i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014 dhe mendimi i ndarë, në lidhje me rastin e njëjtë, i anëtarit të jashtëm me përvojë të gjatë në fushën përkatëse, sepse ishte pikërisht PDK-ja ajo që inicoi rastin, ndërsa Gjykata Kushtetuese me Aktgjykimin e tillë futi në sistemin kushtetues dispozitën sipas së cilës është detyrim ekskluziv i partisë apo i koalicionit me numër më të madh të deputetëve, të propozojë kandidatin për kryetar.

Në rrethanat ekzistuese të brendshme dhe ndërkombëtare një koalicion i tillë besoj se është i mundshëm por edhe i dobishëm për shtetin, sepse kujtoj se nuk janë të patejkalueshme dallimet programore. Me një marrëveshje në mirëbesim, të përpiluar me shkrim, për të gjitha çështjet që garantojnë mirfunksionim të qeverisë, konsideroj se do të zgjidhej nyja e gordonit, jo duke e prerë atë, por duke bërë kompromise rreth harmonizimit të programit të qeverisë, siç bëjnë liderët dhe demokratët e vërtetë. Në rastet e ngjashme të sistemeve me qeveri parlamentare, e cila është lokomotivë e zhvillimit në shtet, ndërsa parlamenti mbikqyrës i saj, marrveshjet e tilla janë voluminoze (në Slloveni p.sh. në një rast të koalicionit, marrëveshja ka qenë e përpiluar në rreth 96 faqe). Në të kundërtën, për tu ikur zgjedhjeve të sërishme, me rezultate të ngjashme apo edhe më të pafavorshme për formim të organeve që burojnë nga zgjedhjet, pas një zhgënjimi të madh të votuesve nga seria e sjelljeve paradoksale dhe joracionale të deputetëve, konsideroj se nuk do të duhet përjashtuar madje edhe përkrahja e një qeverie të pakicës parlamentare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat