Petkoviqi i Serbisë, i ashtuquajturi drejtor i Zyrës për Kosovën, ka reaguar kundër ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok, duke e quajtur atë “fortifikatë policore të jashtëligjshme”! Me këtë, del se paska nevojë të pyetet Serbia se çfarë është e ligjshme e çfarë jo për Kosovën! Për Serbinë, e ligjshme është ndjekja e shqiptarëve nga trojet e tyre brenda Serbisë, por jo zbatimi i ligjit brenda territorit të Kosovës!
Duket qartë se Petkoviqit nuk i përshtatet qetësia, rregulli dhe rendi në Kosovë, sepse çdo sukses apo rezultat pozitiv në Kosovë pritet keq në Serbi. Ata që janë kundër marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, tani papritur përmendin Brukselin dhe presin që ai të reagojë kundër ndërtimit të stacioneve policore në komunat veriore të Kosovës! Kur diçka nuk iu pëlqen, menjëherë i drejtohen Brukselit dhe marrëveshjeve, duke harruar se vetë kanë deklaruar me shkrim se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Janë plot kundërthënie: as nuk marrin pjesë në bisedime, por thonë “jemi për dialog”!
Ata që i përzunë shqiptarët nga vendbanimet e tyre shekullore në Serbi, sot bëjnë sikur nuk shohin atë që kanë bërë, ndërsa për serbët në Kosovë, që nuk i ka ndjekur askush, thonë se po persekutohen – vetëm sepse kërkohet zbatimi i ligjit dhe i sovranitetit në tërë territorin e Kosovës.
Cinizmi serb është i thellë kur bëhet fjalë për shqiptarët. Urrejtja e tyre është aq e egër, saqë, po të mundnin, do t’i zhduknin shqiptarët nga toka, vetëm pse i shohin si pengesë për realizimin e ëndrrës së tyre për dalje në Detin Adriatik dhe në Mesdhe.
Janë armatosur vetë deri në dhëmbë me armët më moderne, por sërish u duket pak dhe shqetësohen nga ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok.
“E gjithë kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, sepse falangat e tij nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri, as për të mbrojtur dikë, por vetëm për të terrorizuar serbët. A do të ndërmarrë tani diçka Bashkimi Evropian?”, ka shkruar Petkoviqi.
Sipas Petkoviqit, Kosova s’ka çfarë të kërkojë në veri! Edhe pse e di mirë se veriu është pjesë e Kosovës, ai përpiqet të ndalojë çdo veprim zhvillimor të Kosovës në atë zonë. Kjo është një ndërhyrje e qartë në sovranitetin e Kosovës nga Serbia, për të cilën duhej të kishte reagim edhe nga vetë Brukseli, që Serbia të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.
Lidhur me këto zhvillime në veri, ata sulmojnë me çdo mjet Albin Kurtin dhe Xhelal Sfeçlën. Por, edhe kur të tjerë ishin në krye të qeverisë, Serbia nuk pranoi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj kjo sjellje është thjesht farsë – një qëndrim që do të ishte i njëjtë ndaj kujtdo që përpiqet të mbrojë sovranitetin e Kosovës.