Të nderuar qytetarë, të dashur miq,
Sot kujtojmë një ditë të shenjtë në historinë e kombit tonë , 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur Kuvendi Krahinor i Kosovës, në kushte të jashtëzakonshme, u mblodh me guxim dhe vendosmëri për të mbrojtur të drejtat kushtetuese dhe dinjitetin e popullit shqiptar.
Në atë ditë të nxehtë korriku, kur forcat shtypëse e kishin bllokuar Kuvendin dhe ndaluan funksionimin e tij normal, deputetët shqiptarë treguan forcën e një uniteti të pathyeshëm. Me zemër të fortë dhe bindje të palëkundur, ata organizuan mbledhjen nën qiell të hapur, përpara portës së Kuvendit Krahinor, duke shpallur se Kosova nuk do të heshtë asnjëherë.
Me votë unanime, ata ç’fuqizuan vendimet e marsit 1989, kërkuan njohjen e plotë të statusit të Kosovës si njësi e barabartë në kuadër të ish-Federatës Jugosllave, dhe afirmuan me vendosmëri se shqiptarët e Kosovës janë komb, jo pakicë.
Ata deklaruan me forcë që nga ajo ditë, Kosova do të jetë e barabartë dhe sovrane, duke ç’fuqizuar amandamentet e Kushtetutës së Serbisë që cenonin këtë barazi dhe autonomi.
Ky ishte një akt historik, një dritë që çau errësirën e shtypjes dhe ndezi shpresën e lirisë së Kosovës.
Sot, ne nderojmë kujtimin e të gjithë atyre deputetëve dhe patriotëve që, me guxim dhe sakrificë, i dhanë zë këtij dokumenti dhe hapën rrugën drejt lirisë.
Le të jemi gjithmonë të bashkuar në përkushtimin për të ruajtur këtë trashëgimi të shenjtë dhe për të ndërtuar një Kosovë të lirë, demokratike dhe të drejtë për të gjithë.