Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në lidhje me Rastin Nr. KO119/14 të datës 26 gusht 2014, të parashtruar nga Xhavit Haliti dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Repuhlikës së Kosovës, me Aktgjykimin e saj me shumicë votash vendosi një precedent, i cili u kundërshtua nga anëtari i jashtëm i kësaj gjykate, Robert Carolan, i cili ndau votën me mendim mospajtues. Ai, që në atë kohë parashikoi, në paragrafin e parafundit se me një vendim të tillë të sjellur me shumicë votash, Kuvendi nuk do të mund të zgjedhë kandidatin e propozuar për Kryetar të Kuvendit.
Sipas interpretimit të tij, një synim të tillë nuk ka mundësi ta kenë pasur përpiluesit e nenit 67(2) të Kushtetutës së Kosovës, ku theksohet se: “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”. Jo vetëm kaq, ai gjithashtu në fund të të njëjtit paragraf konstaton se “sipas të gjitha gjasave, Qeveria do të mund të shpërbëhej, në pajtim me nenin 82 të Kushtetutës, thjesht me një votë të suksesshme të “mosbesimit”.
Por ai mbeti i mbivouar nga shumica e gjyqëtarëve, të cilët vendosin se me: “Vendimin Nr. 05-V-001, i 17 korrikut 2014, është jokushtetues, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi Kryetarin e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, është i pavlefshëm."Manipulimi përmbajtësor i këtij Aktgjykimi konsiston në ngatërrimin e strukturës së Kuvendit me konstituimin e tij, përkatësisht nenet 64(1) dhe 67(2), për të arsyetuar ngatërrimin e grupit më të madh parlamentar me partinë, koalicionin,.. që kanë më shumë vende në Kuvend. Tash besoj se nëse deputetët, por edhe të tjerët, bëjnë një krahasim me vështrim të vëmendshëm dhe kritik të Aktgjykimit me Mendimin mospajtues të cekura më lart, e që ndodhen në faqen e Gjykatës Kushtetuese, lehtësisht mund të vërejnë ku qëndron shkaktari i këtijë bllokimi paradoksal institucional.
Nga sa u tha më lart, shihet se Aktgjykimi i tillë i bazuar në nenin 67(2) ka qenë një dështim, pasojat e të cilit i shohim në ciklin e serive të seancave parlamentare që nuk u shihet fundi. Prandaj, në vazhdën e Letrës time të hapur, të botuar më 26 qershor 2025, në gazetën “Bota Sot”, bëj apel që të pushoni me ego dhe inate, sepse “Çfarë fillon me inat përfundon me turp”, thoshte Benjamin Franklin, njëri nga themeluesit më të spikatur të Sheteve të Bashkuara.