Dëshmorët nuk përvetësohen! Ata janë të popullit, e jo të një grupi të vogël përfiterësh!

Opinione

Dëshmorët nuk përvetësohen! Ata janë të popullit, e jo të një grupi të vogël përfiterësh!

Nga: Hafir Hoxha Më: 24 korrik 2025 Në ora: 06:18
Hafir Hoxha

Kujdes ndaj së vërtetës së dëshmorëve!

Kuptimi i plotë i fjalës “dëshmor”

Fjala dëshmor rrjedh nga fjala “dëshmi”. Ai që bëhet dëshmor, me jetën dhe vdekjen e tij jep dëshmi – se ishte i përkushtuar ndaj një ideali më të madh se vetja.

Dëshmori nuk vdes rastësisht, por bie duke qëndruar në anën e drejtë.

Ai sakrifikon jetën për të tjerët, për një të ardhme më të mirë.

Ai nuk kërkon lavdi personale, por beson në një mision të përbashkët.

Në traditën shqiptare, dëshmori nderohet përjetësisht, sepse ai nuk kërkoi gjë për vete – por dha gjithçka.

Nuk i përket vetëm një familjeje apo një grupi, por të gjithë kombit, kuptohet që familjes më së shumti.

Emri i tij duhet të ruhet me dinjitet, jo të përdoret për interesa personale apo politike.

Në çdo luftë për liri, janë ata që flasin pas saj dhe ata që kanë rënë që të mos flasin më. Mirëpo, zëri i dëshmorëve nuk guxon të heshtet, as të përvetësohet. Ai duhet të mbrohet me kujdes, me nder dhe me të vërtetën.

Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një dukurie të padrejtë: pas luftës, një rreth i ngushtë njerëzish përpiqen të lidhin figurën e një dëshmori vetëm me veten e tyre. E shndërrojnë kujtimin e tij në pronë personale dhe përmes tij ndërtojnë pozita, përfitime apo lavdi që nuk përputhen me realitetin. Vetëm ata flasin, vetëm ata përfaqësojnë, vetëm ata “dijnë” kush ishte dëshmori, ndërsa bashkëluftëtarët e tjerë heshtin — ose heshten.

Kjo është padrejtësi. Sepse dëshmorët ishin të të gjithëve, jo të një rrethi të privilegjuar. Ata nuk kanë nevojë për mburojë rreth vetes, por për dritë të plotë, për të treguar kush ishin, me kë ishin, çfarë lanë pas dhe çfarë besuan. Vetëm e vërteta i nderon, gënjeshtra i shkel.

Kur dikush përpiqet të ngushtojë kontributin e një dëshmori, duke e shkëputur nga miqtë, nga ushtarët me të cilët ndau bukën dhe plumbin, nga shokët e betejave dhe idealit, ai në fakt nuk po e lartëson dëshmorin – po e zvogëlon.

Për këtë arsye, ftoj të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë luftuar përkrah një dëshmori, që janë rritur apo jetuar me të, të flasin. Ta ruajnë kujtimin e tij të plotë, ta mbrojnë nga përvetësimi dhe shtrembërimi. Nuk është vetëm detyrë morale ndaj tij, por është detyrë ndaj vetes, ndaj brezit që vjen dhe ndaj të vërtetës.

Lavdi dëshmorëve të kombit – e vërteta është nderimi më i madh që mund t’u bëjmë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat