Uroj të jem i gabuar në konstatimin e moçëm, sipas të cilit bota, ose planeti ynë, me vetëdije ose pavetëdije, po shkon drejt Luftës së Tretë Botërore.
Amerikanët dhe rusët, siç duket, në heshtje, konfidencë dhe diskrecion të plotë, po bëjnë përgatitjet e fundit për luftë, ndërsa Europa (BE-ja), e zhytur diku thellë në luks, burokraci, kaos, anarki, konfuzion dhe hedonizëm, beson se do ta mbrojnë dhe shpëtojnë Parisi, Londra dhe Uashingtoni nga sulmet dhe goditjet bërthamore të Rusisë. Ndërkohë, ka vendosur dhe zbatuar barriera, kufij, ligje dhe standarde të ndryshme administrative, juridike, skllavopronare dhe feudaliste ndaj popujve dhe shteteve të ndryshme juglindore ose ballkanike!
E tërë kjo për t’i shfrytëzuar maksimalisht si fuqi të lirë punëtore, për t’i eksploatuar dhe mbajtur nën thundër dhe kontroll të plotë popujt dhe shtetet e vogla me format dhe metodat e njohura skllavopronare, feudaliste, kolonialiste dhe imperialiste, nën parullat e njohura se SHBA-ja do ta mbrojë dhe shpëtojë BE-në nga Rusia e fuqishme bërthamore.
Thua se materiali radioaktiv ose atomik është grurë, misër, bar, ose tërshërë që mund të ndahet me megjë apo me gardh!
Problemi më i madh dhe më thelbësor është heqja dorë nga iluzionet hedoniste dhe utopike.
SHBA-ja dhe Rusia, si dy shtetet më të fuqishme ushtarake, industriale, teknologjike dhe astronomike të globit, kanë parë, hetuar dhe konstatuar se bota, ose planeti ynë, nuk mund të mbajë ose ushqejë më shumë se dhjetë (10) miliardë njerëz. Nevojitet një luftë e madhe bërthamore për të përgjysmuar ose zvogëluar në mënyrë drastike numrin e popullsisë botërore.
BE-ja, në esencën ose substancën e saj, është si ish-Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Ajo kërkon popuj artificialë ose johistorikë si “populli jugosllav” ose “sovjetik”, në kuptimin e krijimit të “popullit europian”, njësoj siç veproi Tito, kur rihapi çështjen e Konventës së vitit 1938 midis qeverisë jugosllave dhe asaj turke për shpërnguljen enorme të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia drejt Turqisë.
Siç dihet, në Kosovë atëherë u sajuan pakica turke që nuk kishin ekzistuar kurrë, ndërsa të dyja palët (turke dhe jugosllave) nisën menjëherë punën për shpërnguljen masive të shqiptarëve drejt Turqisë. Pjesa tjetër e historisë karakterizohet nga fabrikimi i “popullit të ri kosovar” ose “jugosllav” përmes “farës” (spermës) së përbashkët jugosllave në kuadër të laboratorëve për prodhimin e popujve artificialë.
U krijuan boshnjakët (serbosllavë të turqizuar), goranët, tërbeshët e kështu me radhë.
Filluan edhe martesat e përziera shqiptaro-serbe, shqiptaro-malazeze, shqiptaro-boshnjake, serbo-kroate e të tjera, në funksion të krijimit të “popullit të ri jugosllav”.
Shumë pedagogë dhe intelektualë shqiptarë të ardhur nga Shqipëria për të ndihmuar në arsimimin e rinisë në Kosovë, atëherë u vranë, u internuan, u dëbuan me dhunë dhe terror nga “partizanët” serbo-malazezë dhe shqipfolësit antishqiptarë të Kosovës.
Sot nuk është rastësi që nipat ose sternipat e joshqiptarëve dhe antishqiptarëve, të fshehur pas emrave shqiptarë, ndodhen në rreshtat e parë të “patriotëve të zjarrtë” të Kosovës dhe të “popullit të ri kosovar”.
Nga ai “rreth vicioz” ose biocenoz, nuk është i përjashtuar askush.
Borgjezia, aristokracia dhe burokracia e Brukselit mendojnë se popujt dhe shtetet e ndryshme, ashtu si yjet në univers, i nënshtrohen eklipseve dhe transformimeve evolutive që i çojnë drejt një rilindjeje të re, sapo të rikthehet drita e Zotit.
Kështu që edhe agimi, edhe ringjallja janë, sipas tyre, shfaqje hyjnore që shpallin rikthimin e dritës së jetës dhe mbijetesën e shpirtit.
Ne shqiptarët kemi vuajtur dhe sakrifikuar shumë në rrugën e gjatë të mbijetesës.
Respekti, besimi dhe dashuria për atdheun kanë qenë përgjigjja jonë më sublime ndaj ekzistencës individuale dhe kolektive. Ndërkaq heroizmi dhe vetëflijimi ishin vula e mbijetesës sonë si komb.
Asnjëherë nuk duhet t’u besohet atyre që, me flamurin në gjysmë-shtizë, paraqiten si viktima të lirisë politike, ushtarake, historike e kombëtare, ndërsa ngjiten në karrierë mbi fatkeqësitë e të tjerëve.
Qëllimet e tyre janë hipokrite, demagogjike, djallëzore.
Shteti i Kosovës nuk duhet të bëhet si miti i Rozafës apo Kulla e Babilonisë.
Hashim Thaçi, me shumë gjasë, mbahet në Hagë nga marioneta të projekteve funebre kundër Kosovës.
Po të mos ishin Londra e Uashingtoni, sa për dronët “Bajraktar” të Kurtit dhe Erdoganit, Serbia dhe Rusia do ta kishin shkrirë Kosovën në hi radioaktiv.
Hashim Thaçi dhe UÇK-ja çliruan Kosovën dhe shqiptarët — jo Marsin, Saturnin apo Jupiterin!
Rastësia, thonë, është “pseudonim femëror” i Zotit që s’u nënshkrua dot.
Sipas Erich Frommit, ne jetojmë në një botë vlerash dhe pasurish të pafundme që na janë dhuruar nga Zoti dhe natyra. Detyra jonë është t’i njohim, zbulojmë, shfrytëzojmë dhe shpërndajmë këto vlera.
Jeta është një numratore me shumë formula të panjohura. Një tabelë shumëzimi, zbritjeje e pjesëtimi, ku futet koha dhe vitet e ikura, lëkura thahet, sytë lodhen, mendja vyshket dhe trupi lodhet. Njeriu bëhet i vrazhdë dhe gjithçka ikën prej tij, për t’u kthyer në embrion...
Kjo ndodh me të gjithë.
Krijimtaria letrare, gazetareske dhe publicistike ka rolin e saj në jetën publike, por nuk duhet glorifikuar deri në pafundësi.
Shkrimtarët, gazetarët dhe publicistët nuk janë hyjni. Ata nuk janë “demiurgë” apo të “zgjedhur” të botës.
Sot, ndryshe nga dje, në Prishtinë botohen dhjetëra media dhe revista.
Kosova ka nevojë për zhvillimin e mendimit shkencor, kritik dhe racional. Heshtja inferiore dhe retorika boshe nuk ndihmojnë në tejkalimin e “tabula rases” politike të homo politicus-it kosovar.
Komoditeti dhe servilizmi nuk e justifikojnë dështimin ndaj të ardhmes kombëtare.
Aktualisht, në Kosovë dominojnë “kuazi”-vlerat dhe slogane të zbrazëta.
Kjo është karakteristike për periudhat e pasluftës.
Por pas stuhisë, vjen faza e seleksionimit natyror dhe intelektual. Jeta dhe krijimtaria janë maratonë. Në vijën e nisjes janë të gjithë: të dobëtit e të fortit. Por në cak arrijnë vetëm më të mirët.
Në këtë rreth absurd dhe të errët, jep e merr sipas ligjeve të natyrës.
Ateistët hipokritë pozojnë pranë teistëve me sjellje rituale, por të dy palët përfundojnë në blasfemi.
Liria nuk është e mjaftueshme vetëvetiu. Ajo ka nevojë për strukturë dhe përmbajtje.
Vetëm atëherë ajo e justifikon sakrificën dhe e kuptimëson jetën.
Edhe lufta çlirimtare nuk është privilegj i askujt, por detyrë e të gjithëve.
Në Kosovë, Serbia e imponoi luftën me logjikën: nënshtrohu ose vdis!
Luftëtarët kishin vetëm një aleat: bindjen se vdesin për një kauzë të drejtë.
Kujtoni intervistën e fundit të komandant Fehmi Lladrovcit që e quante fat vdekjen për atdheun.
Nuk mohoj faktorë të tjerë, por insistoj në fillimin që shkatërroi makinerinë e hedonizmit dhe fatalitetit.
Kaq.