Fojerbahu, dikur, me plot të drejtë, do ta quante dhe kualifikonte njeriun intelektual si “prodhuesin” ose arkitektin (instruktorin) më të rëndësishëm dhe kryesor të moralit, edukatës, kulturës, zhvillimit, disiplinës dhe emancipimit të gjithëmbarshëm shoqëror ose qytetar. Mbase si arkitekt të ndërgjegjshëm dhe kompetent të “etosit” dhe “erosit” të lartë shtetëror, nacional, historik dhe politik.
Në anën tjetër, ndërkaq, Platoni dhe Aristoteli që nga Antika e largët e deri më sot na bëjnë me dije se njeriu, në radhë të parë, është “kafshë politike” (“zoon politikon”), që dallon nga qeniet ose krijesat e tjera për nga edukata, kultura, zhvillimi, mentaliteti, intelekti, holistika, moraliteti, primatologjia, humaniteti dhe ekskluziviteti i tij; respektivisht, për nga marrëdhëniet ose raportet e tij me të tjerët.
Për më tepër, ndërkaq, gjithnjë sipas Platonit, Aristotelit, si dhe shumë filozofëve ose mendimtarëve të tjerë, me politikë nënkuptojmë “ligjshmërinë e brendshme” (morale dhe profesionale) të personit ose individit, respektivisht, edukatën, kulturën, humanizmin, moralitetin, arsimimin, profesionalitetin, disiplinën, emancipimin, si dhe përgatitjet ose afinitetet e tjera inteligjente, intelektuale, profesionale ose kadrovike në të gjitha fushat ose drejtimet e mundshme.
Në të kundërtën, politika pa moral dhe pa arsimim ose edukatë të mjaftueshme shkencore, profesionale, intelektuale ose kadrovike, i ngjan hedonizmit ose makiavelizmit politik.
Gjithnjë duke menduar ose reflektuar këtu në trendët, ligjet, kushtëzimet, imponimet, sfidat, turbulencat, reaksionet, paradokset, anakronizmat, hipotekat, ekskurset, diskurset dhe tendencat e ndryshme dominante dhe ekskluziviste të çdo shekulli dhe epoke.
Në anomalitë, paradokset, anakronizmat, patologjitë, mediokritetet, manitë, hipokrizitë dhe demagogjitë e ndryshme shtetërore, nacionale, politike, institucionale, konstitucionale, kadrovike, administrative, juridike dhe të tjera në Kosovën e pasluftës.
Ndaj, në këtë kontekst, le të më lejohet në vazhdim t’i cek dhe trajtoj disa nga çështjet dhe aspektet e ndryshme psikologjike, sociologjike, sociopolitike, sociokulturore, sociohistorike, sociofilozofike dhe të tjera që (ndofta?) deri diku mund të jenë të përafërta ose analoge me parimet e njohura shkencore dhe humaniste të Perëndimit.
Kjo, aq më tepër, duke u mbështetur ose bazuar në faktin e pamohuar sipas të cilit: Automatizmi i sotëm modern ose bashkëkohor, respektivisht, ngjarjet, lëvizjet ose zhvillimet e sotme revolucionare, evolutive, dinamike dhe tepër furioze e eklektike të robotizmit dhe automatizmit (kompjutorizimit) të gjithëmbarshëm industrial ose teknologjik, së bashku me urbanizmin modern ose bashkëkohor, konformizmin, oportunizmin, makiavelizmin, privimin ose stratifikacionin objektiv ose subjektiv, kaosin, konfuzionin, anarkizmin, krimin e organizuar, drogën (narkomaninë), korrupsionin, abuzimet e ndryshme (vertikale-horizontale), prostitucionin, anomalitë, patologjitë, depresionet, destruksionet ose dekonstruksionet e ndryshme individuale ose kolektive, janë mbiquajtur ose paramenduar si “sëmundje e re e shekullit” ose “epokës moderne”.
Aty i kemi edhe moralin e njohur shoqëror ose qytetar, vetëdijen e njohur shtetformuese, nacionale, qytetare, kulturën, subkulturën, kontrakulturën, antikulturën, pseudokulturën, simbolet e ndryshme shtetërore, nacionale dhe historike, gjuhën, flamurin, kauzalitetin e njohur shtetëror, nacional, etnik, kulturor, politik, ushtarak (luftarak), historik, gjeografik dhe të tjerë... Normat, rregullat, ligjet, parimet, premisat ose principet e ndryshme sociopolitike, sociopsikologjike dhe të tjera në shërbime dhe funksione të ndryshme reflektive, determinante, simbolike, alternative, paradigmatike, rekonstruktive, diakronike dhe të tjera të shteteve dhe shoqërive të përparuara qytetare dhe demokratike, ku pretendojnë sot Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi.
Se këndejmi, shteti dhe shoqëria kosovare (shqiptare) janë një shtet ose shoqëri relativisht e re në kuptimin e përgjithshëm shtetëror, nacional, multikulturor, multietnik etj.
Duke i përfshirë dhe nënkuptuar këtu me një theks të posaçëm edhe faktorët tjerë relevantë dhe determinantë si faktorin nacional ose etnik, faktorin biologjik, faktorin historik, faktorin gjeografik, faktorin shtetëror, faktorin nacional, faktorin ushtarak ose luftarak, faktorin politik, faktorin social ose societal, faktorin ekonomik, faktorin filozofik, faktorin fetar ose sociokulturor, faktorin sociopsikologjik etj., të cilët sigurisht se kanë lënë gjurmë të thella në shpirtin dhe kujtesën e gjithëmbarshme nacionale dhe historike të njerëzve dhe shoqërisë së gjerë shqiptare ose kosovare pothuajse në të gjitha fushat dhe drejtimet e mundshme. Ndërkohë që traumat e luftës dhe masakrave të egra të soldateskës dhe falangave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë prezente (në forma të ndryshme akute ose kronike) te pjesa dërmuese e qytetarëve, si dhe te një pjesë e konsiderueshme e lidershipit të përgjithshëm shtetëror, nacional ose politik në Kosovë.
Aty janë edhe problemet e njohura politike, sociale, ekonomike, administrative, juridike dhe të tjera, që shtetin dhe shoqërinë e përgjithshme kosovare i bëjnë poroze, heterogjene, fragjile dhe inkompatibile në kuptimin e shtrirjes dhe respektimit të preferuar (të detyruar) të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të njohur shtetëror dhe nacional të vendit tonë në të gjitha drejtimet dhe nivelet e mundshme.
Për më tepër, ndërkaq, e kaluara dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i sojit të njohur njerëzor ose qytetar, para së gjithash janë një univers ose burim i pashtershëm të dhënash dhe burimesh të shumta materiale, dokumentare dhe historike, saqë shkencat ose disiplinat e ndryshme shkencore dhe shoqërore ndodhen të ndërvarura apo të ndërlidhura me njëra-tjetrën në shumë sfera dhe segmente të ndryshme. E sidomos shkenca ose disiplina e njohur e sociologjisë, e cila, përveç në filozofi, fenomenet dhe zhvillimet e ndryshme njerëzore ose shoqërore-qytetare i mbështet dhe i kërkon te zhvillimet dhe burimet e njohura historike ose historiografike.
Duke i nënkuptuar këtu edhe reflektimet dhe gërshetimet e njohura eksterne dhe eksplikative të sociologjisë në histori ose anasjelltas; respektivisht, ndikimet, eksplikimet, singularizimet dhe sekularizimet e ndryshme të historisë në sociologji dhe anasjelltas. E sidomos në rastin e shtetit dhe shoqërisë kosovare, ku ekonomia politike është e rëndësishme dhe tepër valide për sociologjinë (por edhe për shkencat tjera në këtë drejtim), mu për faktin se kjo e fundit (ekonomia politike) e trajton një aspekt shumë të rëndësishëm dhe fundamental (kardinal), çfarë është pikërisht aspekti i njohur social ose ekonomik.
Ndonëse, ekonomia politike në këtë sfond i parasheh dhe i trajton popullsinë ose shoqërinë e gjithëmbarshme shqiptare ose kosovare si fuqi globale ose universale, që ka vlera, resurse, potenciale, forcë dhe energji të mjaftueshme njerëzore, materiale, inteligjente, intelektuale dhe profesionale për ndryshime të gjithëmbarshme në domenin (kontekstin) pozitiv të fjalës.
Përderisa, sociologjia në këtë kuadër, përveç çështjeve dhe aspekteve të mësipërme materiale dhe ekonomike, i trajton dhe analizon edhe çështjet dhe aspektet e tjera të shoqërisë njerëzore ose qytetare. Duke e perceptuar, anticipuar dhe akceptuar njeriun (individin) dhe kolektivitetin si pjesë të rëndësishme dhe tepër sublime të shtetit dhe shoqërisë, dhe jo vetëm si fuqi punëtore apo si “vegla pune” që duhet punuar dhe menduar vazhdimisht për pushtetin ose qeverinë.
Sociologjia pra i kundron dhe i trajton në mënyrë etike dhe tepër kritike çështjet ose aspektet e sipërpërmendura materiale dhe ekonomike, duke insistuar për kushte dhe standarde sa më të avancuara sociale dhe ekonomike, që e bëjnë një shtet dhe shoqëri funksionale, përparimtare dhe produktive ose profitabile në kuptimin e plotë të fjalës. Në rastin konkret, shtetin dhe shoqërinë kosovare.
Në instancë të fundit, sipas Maks Veberit dhe shumë mendimtarëve të tjerë, njerëzit ose qytetarët e ndryshëm dallojnë ose janë të veçantë dhe tepër specifikë nga njëri-tjetri për nga pamja ose konstrukti i tyre trupor ose psikofizik, madje për nga forca ose fuqia e tyre fizike, organike, materiale, politike, sociale, ekonomike; për nga edukata, kultura, arsimimi, mentaliteti, profesioni, funksioni, potenciali, kapaciteti ose ndikimi i tyre shoqëror ose politik etj.
Ndaj, meqë fjala ishte mbi Platonin dhe Aristotelin që në krye të herës, atëherë duhet theksuar në vazhdim se Platoni, në kuadër të “shtetit” (“polisit”) të tij, asokohe i kishte ndarë dhe klasifikuar njerëzit ose shoqërinë e atëhershme njerëzore dhe qytetare në bazë të diferencave ose antagonizmave të njohura klasore, sociale ose materiale: në klasën e pasur dhe në klasën e varfër njerëzore dhe qytetare.
Ndërsa, në kuadër të “ligjeve” të tij administrative dhe juridike, duke i studiuar dhe analizuar shkaqet dhe faktorët e ndryshëm relevantë, determinantë dhe paradigmatikë, Platoni në vazhdim i veçon shkaqet dhe faktorët e ndryshëm natyrorë dhe gjeografikë si klima, konfiguracioni dhe relievi i njohur tokësor ose gjeografik, hapësira e përgjithshme etnike, gjeografike, historike, kulturore etj., për mbarëvajtjen dhe funksionimet e mirëfillta shtetërore, qytetare ose politike.
Ndërkaq, Aristoteli, duke i ndarë dhe konceptuar shtetin dhe shoqërinë e gjithëmbarshme njerëzore ose qytetare në katër (4) pjesë ose dimensione të njohura sociale dhe politike si: Filia (solidariteti shoqëror ose qytetar), Koinonia (grupimet e veçanta), Politea (shteti) dhe Nomos (rregullat ose parimet e njohura mbi shtetin dhe shoqërinë), i veçon tre (3) shtresa ose kategori të posaçme njerëzore ose qytetare: të pasur, të mesëm dhe shumë të pasur.
Ndonëse, pa i harruar këtu edhe konceptet e njohura shoqërore dhe qytetare të Sen Simonit, Immanuel Kantit, Adam Smithit etj., përkatësisht, drejtimet ose orientimet e njohura shkencore dhe sociopolitike të shteteve dhe shoqërive të ndryshme njerëzore ose qytetare sipas kësaj strukture ose radhitjeje shkencore dhe metodologjike, me sa vijon:
Drejtimi mekanik: Si ithtarë dhe “arkitektë” të rëndësishëm dhe kryesorë të këtij drejtimi ose orientimi njihen Dekarti, Spinoza etj., të cilët janë të mendimit se, mu njashtu sikurse në sferat ose fushat e njohura të fizikës, mekanikës, kimisë etj., edhe rregullat dhe ligjet e ndryshme shoqërore ose sociologjike duhet kuptuar, konceptuar dhe anticipuar mbi bazën e ligjeve ose rregullave të sipërme fizike ose mekanike.
Megjithatë, drejtimi i mësipërm mekanik (sipas Dekartit, Spinozës etj.) nuk do të ketë ndonjë ndikim të fuqishëm ose masiv në sociologjinë moderne ose bashkëkohore. Kjo, në radhë të parë, për faktin se shteti dhe shoqëria e sotme njerëzore ose qytetare janë shumë më të ndërlikuara dhe shumë më komplekse e masive, sesa ligjet ose drejtimet e mësipërme mekanike.
Drejtimi biologjik: E ka për qëllim paraqitjen (prezantimin), konceptimin, krahasimin dhe konvencionalizimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve të ndryshme shoqërore ose qytetare mbi bazën e ligjeve ose teorive të njohura evolutive ose bio-organike. Tre (3) variantet e tij kryesore janë: varianta organike, varianta sociale ose sociofizike (sipas Çarls Darvinit dhe August Komtes etj.) dhe variantet nacionale ose nacionaliste (sipas A. Gobinosë, R. Chamberlainit, A. Rosenbergut, Th. Robert Malthusit etj.).
Drejtimi ose pozicioni gjeografik: Ithtarët dhe protagonistët e këtij drejtimi ose pozicioni shoqëror dhe sociologjik janë të mendimit se ngjarjet, fenomenet dhe dukuritë e ndryshme shoqërore ose politike duhet kërkuar edhe te faktorët e njohur gjeografikë dhe historikë; përkatësisht, në antropogjeografi dhe antropohistori. Apo, thënë më mirë, në gjeografinë politike dhe gjeografinë historike ose etnike të shteteve dhe shoqërive të ndryshme qytetare ose politike.