Pemët pa leje në trotuaret e Lushnjes

Opinione

Pemët pa leje në trotuaret e Lushnjes

Nga: Ilir Levonja Më: 8 gusht 2025 Në ora: 16:01
Ilir Levonja

1) Ka disa ditë që në botën virtuale vlojnë disa viedo protesta në lidhje me prerjen e pemëve në Lushnje. Fal edhe përpjekjes së disa djemve, të një punëtori të gjelbërimit i cili pohonte dhimbshëm se ishte ai që i kishte mbjellur ato pemë gati 30 e kusur vite më parë. Mirëpo tek ne urdhri nga lart nuk pyet për asnjë lloj emocioni shpirtëror që koha e krijon ashtu duke punuar, pavarsisht se ku, në mes të maleve apo në zemër të një qyteti. Mirë që është interneti se, sa i përket webeve janë të gjitha të partisë, madje po të dëgjosh TopChanel-in dhe Klan-in, shikon një Shqipëri socialiste të ''mrekullueshme'' dhe me të dytin përfundon banor i Stambollit dhe i adeteve të familjeve konservatore islame. E gjitha është një tabllo e RTSH-ës së dikurshme dhe të krijohet përshtypja se gjindja është para televizorit si dikur dhe po presin lajmet nga Tefta Radi apo ai himarioti (as shqiptari e as greku) Gjoka etj. Dhe pavarsisht statutit të pushtetit lokal, të thonë ka dhënë urdhër o vëlla nga lart, do pastrohen trotuaret. Nga njëra anë, po të kthesh kokën, po digjen malet nga vapa, nga ana tjetër aty ku nuk ka zjarr të djeg sharra e shtetit.

2) Ky nuk është rasti i parë ku tentohet të shkatërrohet gjelbërimi në Lushnje. Mbaj mend si në vitin 2015, kur plasën këto programet me studiot 3D a 5D, epokat e pyjeve orbitale, kinezeria e qëndrave të qyteteve, ku nuk i shpëtoi as sheshi i qëndrës së qytetit në Lushnje, sheshi i protestave dhe i fjalës, është sot një pyll parcelor pa grimë memorie, dikur është tronditur nga vloja si e entuziamit ashtu edhe e protestës. Sot lushnjarët nuk kanë ku grupohen dhe kjo është strategji. Pra në 2015, po nga këta qeveritarë, u hodh ideja e prerjes së gështenjave në bulevardin kryesor dhe ribërjen moderne të tij. Asokohe kam shkruar një artikull të shkurtër me titull Gështenjat e qytetit tim, sillja një aspekt të vogël memorie pas një bisede të shkurtër me aktorin Ilia Shyti, i cili më tha se, kjo nuk ishte më Lushnja e memories së tij. Apo bredhin e Buçit, vendin ku shkruante ato poezitë dy vargëshe, sentencë Faslli Haliti. Madje me një tjetër shkrim vite më vonë, hodha idenë e heronjëve të heshtur, të cilët mund të emërtonin pemët në lulishten në qëndër të qytetit, por përballë politizimit tmerrësisht të tepruar, idetë janë bajate, madje të nxjerrin gjuhën, të tallin, duhet të dalësh në Big Brother që të të vënë veshin etj.

3) Në vendet më të zhvilluara pemët sot janë një sfidë madhore jo vetëm mbjellja apo mirëmbajtja, por historia gjenetike me robin, ecin paralel, ndihmojnë njëri-tjetrin, ndihmojnë edhe planetin..., besoj se keni dëgjuar deri tek konfliktet e ashpra kontinentale për Amazonën, mushkrinë e globit. Ka 30 vjet që e kam mbjellur, tha ai punëtori. Imagjinojeni se kohë ka rrjedhur brenda këtyre 30 vjetëve. Dëgjojeni atë punëtorin dhe shikoni nëse i keni përreth fëmijët pasi si ai edhe ju keni rritur fëmijët. Shikoni 30 vitet e fëmijëve tuaj, mbase ju kanë bërë gjyshe e gjyshër dhe aty poshtë atyre hijeve kanë lodruar edhe nipërit a mbesat. Biles bota kur vjen puna tek projekte me vlere të lartë shoqërore a infrastruktore, e zhvendosin pemën, i vendosin edhe pllakatin se ku ka lindur dhe përse ndodhet në vendin e ri. Eshtë sa sharm social, po aq edhe Kushtetutë sociale, se ka brenda bash gjithë historitë, marrëzitë, dashuritë, vdekjet, lindjet, çapet motake të vajzave a djemve të rrethinës, rrugicës, trotuarit a dritës së neonit pësipër, ka frymën tuaj.

4) Tani, dy fjalë atyre djemve që protestuan fort..., jo vetëm Lushnja por në përgjithësi Shqipëria ka një problem madhor në lidhje me demokracinë. Njerëzit janë kufizuar tmerrësisht brenda konceptit ''ç'më duhet mua''. Ka vdekur ndjenja e reagimit në grup aq sa në pamje të parë shikon vetëm një budalla madhosh që del rrugeve dhe kryqëzon me pështyma iks ndërtesë, apo ypsilon person. Jep urdhra për dorëheqje publike, e gjitha një farsë sociale pasi të gjithë i kemi pesë burime komunikimi dhe kur pyesim të dorëhequrit na thonë, sa qarkullova rrogën po e marr të plot etj. Edhe ky akoma një dëm dyfish i ekonomisë mizerabël dhe informale të një vendi që inspiron demokracitë perëndimore. Kryeministri i Hollandës shkon në punë me biçikletë ose tram, ai i Shqipërisë përdor Chevroletin e blinduar amerikan. Shqipëria ka edhe me dhjetra e qindra probleme që rrjedhin nga i pari duke vijuar edhe me konceptimin e pozicionit të të qënit qytetar..., hapen zgjedhjet dhe njerëzitt pajtohen me faktin se 120 qëndra votimi nuk kanë sistem monitorimi, biles biles, për turp e faqja e zezë, drejtësia e quan më se normale në gjë të tillë. Asaj Lushnjes sonë iu arrestuan Kryetari, zëvendësi i tij, iu arrestua gjysma e admistratës dhe prapë hajduti fiton. Njerëzit jo vetëm nuk reagojnë por të budallepsur të thonë, janë prapë atyre ua dhanë votën. Ka ardhur koha e vendime të forta qytetare se, çfarë është më fatkeqësia, Shqipëria nuk po prodhon më demokraci. Nuk ekziston më demokracia aty, në Lushnje jo e jo. Megjithatë qofshi të bekuar, nga Lushnja kanë zë fill shumë ndryshime epokale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat