Banjska në ekran
24 shtatori i vitit 2023 do të mbetet një datë e gdhendur thellë në kujtesën politike dhe kombëtare të Kosovës. Sulmi terrorist në Banjska, i drejtuar nga Millan Radoiçiq dhe një grup i armatosur prej dhjetëra personash, nuk ishte thjesht një akt kriminal. Ai ishte një operacion i paramenduar për të sfiduar sovranitetin e Kosovës, për të provokuar një përplasje të gjerë dhe për të dërguar një mesazh politik se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga planet e saj destabilizuese.
Në Kosovë, kjo ngjarje është dokumentuar me hollësi nga Klan Kosova përmes dokumentarit “Banjska – fushëbeteja e një lufte”, ku kronologjia e ngjarjes, dëshmitë e policisë, pamjet autentike dhe intervistat me aktorët kyç zbulojnë të gjithë mekanizmin e sulmit. Në këtë narrativë nuk ka vend për ekuivok: bëhet fjalë për terror të sponsorizuar politikisht nga Beogradi, përmes strukturave të tij paralele dhe krimit të organizuar.
Por Banjska po hyn edhe në gjuhën universale të artit përmes filmit turk “Në Errësirën e Diellit – Kosova”, të regjisorit Haktan Özkan dhe producentëve të Çiçek Yapım. Ky film, i cili pritet të ketë premierën më 5 shtator 2025, nuk është vetëm një histori për ekranin e madh. Ai është një projekt i ndërtuar me kujdes artistik dhe me një synim të qartë politik: ta bëjë të kuptueshme për publikun ndërkombëtar, sidomos atë evropian, se Banjska nuk ishte rastësi, por pjesë e një strategjie të qëllimshme për destabilizim.
Xhirimet e realizuara në Prizren, Prishtinë, Mamushë e Bursa, si dhe përfshirja e aktorëve të njohur nga Turqia dhe Kosova, e bëjnë këtë film një pasqyrë të gjallë të realitetit të Kosovës. Për më tepër, përfshirja e elementeve dramatike e emocionale e tejkalon kufirin e informacionit të thatë, duke krijuar empati dhe duke e bërë mesazhin më të prekshëm. Ky është “soft power” në formën e tij më të pastër — një mjet për të prekur opinionin publik dhe vendimmarrësit politikë jashtë kufijve tanë.
Ky promovim mund të prodhojë dy efekte strategjike:
- Demaskimin e planit të errët të Beogradit për të provokuar tensione në veri të Kosovës dhe për të testuar qëndrueshmërinë e institucioneve tona.
- Ndikimin mbi opinionin evropian, i cili ende mban sanksione politike e financiare ndaj Kosovës. Një film që e tregon të vërtetën me gjuhë të thjeshtë dhe imazhe të fuqishme mund të prishë ekuilibrat e propagandës serbe dhe të nxisë një rishikim të qëndrimeve të padrejta ndaj vendit tonë.
Serbia ka investuar me dekada në krijimin e një imazhi të rremë si “garante e paqes” në rajon, ndërsa në terren ka ushqyer struktura kriminale dhe ka përgatitur skenarë të dhunës. Kjo është arsyeja pse arti dhe media, kur punojnë mbi baza të vërteta, mund të bëjnë më shumë se çdo raport zyrtar: mund të shpalosin realitetin pa filtrin e diplomacisë së ftohtë.
Banjska nuk është thjesht një plagë e vitit 2023. Ajo është një paralajmërim se rreziku është i gjallë dhe se indiferenca ndërkombëtare është terreni më pjellor për përsëritjen e tragjedive. Në këtë kuptim, filmi dhe dokumentari nuk janë vetëm krijime kulturore — ata janë instrumente të rezistencës dhe të diplomacisë së Kosovës.
Mesazhi që del nga ekrani është i qartë! Nëse Evropa dëshiron paqe të qëndrueshme në Ballkan, duhet të shohë të vërtetën në sy dhe të ndalojë së trajtuari viktimën si fajtor dhe agresorin si partner.