Kur projekti dështon nga dera, rikthehet nga dritarja

Opinione

Kur projekti dështon nga dera, rikthehet nga dritarja

Nexhmedin Shehu Nga Nexhmedin Shehu Më 10 gusht 2025 Në ora: 12:51
Richard Grenell dhe Donald Trump

Pasi projekti për ndarjen e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë u rrëzua nën presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, ai nuk u zhduk – thjesht ndryshoi formë. Sot po shfaqet sërish, i ripaketuar me terminologji më të pranueshme për opinionin publik: “bashkëpunim ekonomik”, “treg i përbashkët”, “nismë rajonale” – por me të njëjtin qëllim përfundimtar: dobësimin e shtetësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në një hapësirë të dominuar nga Serbia.

Richard Grenell, një figurë e afërt me administratën e kaluar amerikane dhe tashmë rishtas i involvuar jozyrtarishtë si ndërmjetës “neutral” në dialogun Kosovë–Serbi, ka dalë me një qëndrim që nuk lë vend për dyshime: “kërkesa për njohje reciproke është qesharake” – deklaratë që e zhvesh thelbin politik të procesit të dialogut dhe e redukton atë në një marrëveshje ekonomike pa kurrfarë barazie ndërmjet palëve.

Propozimi i tij për një treg të përbashkët Kosovë–Serbi, që potencialisht mund të përfshijë edhe Shqipërinë, është në thelb një version i ngushtuar dhe më pak i dukshëm i projektit “Ballkani i Hapur”, i cili tashmë është refuzuar qartë nga Kosova. Ideja e një hapësire të përbashkët ekonomike tingëllon atraktive në letër – sidomos për diplomacinë ndërkombëtare që preferon stabilitet mbi parime – por në praktikë ajo hap rrugë për një integrim institucional dhe politik të Kosovës në strukturat rajonale të krijuara dhe të kontrolluara nga Serbia.

“Treg i përbashkët” do të thotë shumë më tepër sesa lëvizje mallrash dhe shërbimesh. Ai nënkupton: – politika të përbashkëta ekonomike, – politika sociale dhe hapësinore të harmonizuara, – koordinim ligjor dhe rregullator, – ndërhyrje institucionale reciproke, dhe, për pasojë, ndryshime kushtetuese të cilat do të cenonin drejtpërdrejt sovranitetin kushtetues të Republikës së Kosovës. Nëse Serbia nuk arriti të futet në Kosovë përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe – atëherë tenton që Kosovën ta fusë brenda vetes përmes “tregut të përbashkët”. Kjo është një strategji e rafinuar, por e njohur për Kosovën, që e ka përjetuar më shumë se një herë logjikën e “integrimit nënshtrues”.

Asgjë nga këto nuk duhet të vijë si befasi. Janë sinjale të qarta që kërkojnë një unitet të ri politik në Prishtinë, jo vetëm për të refuzuar këtë lloj strategjie, por për të ndërtuar një qasje të qëndrueshme të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, partneritetit ndërkombëtar dhe të drejtës për shtet të barabartë. Pozita dhe opozita në Kosovë duhet të qëndrojnë bashkë, ashtu siç qëndruan më herët kundër “Ballkanit të Hapur”. Sepse në politikë, si në jetë, jo gjithmonë rreziku troket nga dera – ndonjëherë ai vjen tinëzisht, nga dritarja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat