Si të shkruaj që të jem më “i butë” për disa “të moderuar”?

Opinione

Si të shkruaj që të jem më “i butë” për disa “të moderuar”?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 19 gusht 2025 Në ora: 12:30
Autori Xhevat Mustafa

miq të mi “të majtë” e “të pavarur”, lexues të rregullt të shkrimeve që kam botuar në gazetat “Panorama”, “Telegraf”, “BOTA SOT” e futur në facebook, shumica intelektualë elitarë në fushat e tyre, si gazetarë, shkrimtarë, kritikë letrarë, inxhinierë, profesorë, mjekë, politikanë..., pas vlerësimeve dhe lavdërimeve për këto shkrime, kam marrë edhe qortimin, vërejtjen, këshillën...”vetëm shiko e shkruaj më butë, me një dozë më të ulët ekstremizmi të djathtë! Na mirëkupto, duke shkruar kështu, me kritika kaq të forta ndaj qeverisë, nuk mund të bëjmë as “like” në shkrimet e tua e jo më komente mbështetës...Sepse, ndryshe nga ti, që i ke vajzën dhe djalin me familje në Gjermani, ne kemi njerëz të familjes, nipër e mbesa këtu, në punë shteti...Kjo hakmarrje politike, sidomos në raste rrotacioni qeverisës, vërtetë nuk ndodh atje e në vendet e tjera të BE-së, por, këtu jemi në Shqipëri...?!”

Paanësia politike, sinqeriteti apo tendenca e këtyre “miqve” lakuriqësohen edhe më shumë, kur “ekstremizmin” e shikojnë vetëm nga "e djathta" e jo nga "e majta", ku plot gazetarë filoqeveritarë vjellin për ditë, nga mëngjesi deri në darkë vonë, helm e vrerë ndaj PD, opozitës, Berishës...dhe intelektualëve dhe gazetarëve që kanë kurajë t’u mbajnë akoma anën, edhe kur u kushton “jo lirë”...!? Më i freskëti nga këta “këshilltarë dashamirës e vullnetarë” ishte një kompozitor i njohur. U takuam tek furra e bukës më të afërt për dy. Duke e njohur prej 50 vitesh si kompozitor të talentuar, sidomos të muzikës klasike, por edhe si “të majtë” të përjetshëm e jo fanatik, nuk e keqkuptova.Ia ktheva miqësisht: - Si duhet të shkruaj, profesor, që të jem më i butë, më i sfungjertë apo më i pambuktë, për ju “të majtët”, “të pavarurit”, “të moderuarit” e që të marr sa më shumë “like” e komente miratues nga ju...? Nuk mund të them se ia kam arritur 100% në çdo shkrim, por unë e kam si objektiv që të shkruaj sa më SHQIP, si SHQIPTAR, si QYTETAR, si VETVETJA...Së pari, duke “u kujtuar” premtimet e harruara, gabimet, dështimet, skandalet, humbjet, gjëmat shumë vjeçare...partive dhe kryetar- kryeministrave të tyre...! Jam përpjekur që t’i përshkruaj njerëzit dhe punët e tyre; veprat e kryera apo mbetur prej shumë vitesh nëpër dosje; punët e nisura, të lëna në mes të rrugës apo të bitisura, me ngjyrat, format, karakteristikat, përmasat e tyre, pa ua ngrënë hakun dhe pa ua fërkuar kurrizin dhe barkun pushtetarëve të tre niveleve.... Ja, t’i referohemi Gjermanisë, ku kemi të dy fëmijët me punë, jetesë, familje. Prandaj i dimë mirë se si janë bukët, cilësia, shija, pesha dhe çmimet e tyre në Gjermani.

Po kështu jemi çuditur përse shumica e çmimeve të ushqimeve të konsumit të përditshëm e jetik, si uji, qumështi, djathi, gjalpi, salcat e kosit, kosrat dhe lëngjet e frutave, kremrat, akulloret me kutija 500-1000 gram; birra, vera, mjalti, çokolatat, biskotat, cornfleksat, mollët, bananet, arrat, portokallët e mandarinat me qese dhe arka 1-2.5 kg...; patatet, karotat..., shumica e artikujve të higjienës individuale e shtëpiake, të ilaçeve mjekësore..., janë rreth 25-100% më të lira se në Shqipëri, kur në Gjermani pagat dhe pensionet janë 5-10 herë më të larta?! Si duhet ta pasqyroj në shkrimet e mia këtë realitet dhe kontrast absurd për të qenë më i butë, më i sfugjertë e më i pambuktë e më i pranueshëm? Duke menduar vetëm që të mos nxihet imazhi i qeverisjes dhe i Shqipërisë dhe duke shtrembëruar plotësisht e duke thënë të kundërtën, “për të mos i mërzitur” pushtetarët e duke mashtruar qytetarët? Duke e shmangur krahasimin me 13 vjet më parë, kur qeveriste ai Saliu i keq apo me vendet fqinjë dhe me Gjermaninë e largët...?

E ndërpreva shpërthimin tim, duke u kërkuar falje profesorit dhe të pranishmëve e u largova. Por, edhe duke kujtuar se pas 10 viteve bukën e pakësuar në rreth 600-700 gramë e marrim me çmim rreth 25% më të shtrenjtë. Rrugës për në shtëpi vendosa ta vazhdoja këtë temë me formën dhe përmasat e një shkrimi të plotë... E pra, si duhet të shkruaj që të jem më i butë, më i sfungjertë, më i pambuktë, më pak radikal dhe “ekstremist i djathtë”, më i pranueshëm edhe nga lexuesit e mi “të majtë”, “të pavarur”, “të moderuar”, çuditërisht, ndryshe nga unë e ca “ekstremistë të djathtë” të tjerë, kanë qenë e vazhdojnë të jenë të përkëdhelur e fitimtarë financiarisht si dhe me tituj e çmime, në çdo qeverisje, “të majtë” e “të djathtë”? Duke i thënë të zezës, të bardhë? Të keqes, të mirë? Ferrit, parajsë? Djallit, engjëll? Derrit, dajë? Të korruptuarit me miliona, “hajdut xhepash e autobuzësh”? Të paaftit, “mjeshtër i madh”? Dështakut dhe humbësit serial, fitimtar i madh...?!

Dëftesa, diploma, tituj dhe dekoratablerësit, intelektual elitar e profesor...? Gjyqtarit dhe prokurorit, që mbi ligjet vë interesat dhe urdhërat e partisë së zemrës e të SHEFAVE, “engjëj të drejtësisë së kulluar” dhe “kalorës të drejtësisë së pavarur”? Oligarkëve dhe bosëve, shumica multimilionizuar me para të pista drogrash, trafiqesh antiligjore, korrupsioni, t’u vija epitetet “njerëz të përkëdhelur” nga fati, “të zgjuar e përfitues” nga liritë e sistemit politik dhe ekonomik dhe të tregut? Antishqiptarit me vepra të shumta e të qarta, atdhetar i flaktë? Për të qenë më i butë apo më i pambuktë, më i pëlqyeshëm e më i pranueshëm nga "të majtë" e "të moderuar" apo koniunkuristë e pragmatistë, do të ishte edhe në të mirën time të ndiqja rrugën dhe përvojën e ca analistëve që janë pasuruar financiarisht dhe bërë edhe me 2-3 apartamente e me vila në rreth 500-750 mijë euro në periferi të Tiranës apo në plazhe. Domethënë, që të mbyllja sytë, gojën, kompjuterin, laptopin për të mos e kritikuar Rama- parti- qeverisjen për "harresën" 80 vjeçare të premtimeve të 29 nëntorit dhe 12 vjeçare të para 23 qershorit 2013. Edhe për të mos u kujtuar Ramës me shoqe e shokë dhe shqiptarëve se kanë kaluar 80 vjet, që për treguesit e zhvillimit, të nivelit të jetesës, demokracisë, drejtësisë, shtetit ligjor e social funksional jemi të fundit në Evropë e “kampionë” vetëm për shumë të këqija, si varfëri, korrupsion, emigracion; për trafiqe drogrash dhe pastrim miliardash të pista; për ndotje ajri dhe mungesë kontrolli të ushqimeve e të ilaçeve mjekësore...? Edhe që të interpretoja "harresën" 20 vjeçare të "Bankers Petroleum" për t'i paguar taksa shtetit shqiptar si krejt të rastit e pa dashje e jo si privilegjim apo përjashtim korruptiv. Ndërsa “faljen” e gjobës prej rreth 100 milionë euro “Bankersit”, pa vendim gjykate dhe pa amnisti, por me rekomandim Nr. 13646 Prot., datë 17 korrik 2019 të Ministres së Financave Anila Denaj, siç dokumentohet edhe në një shkrim të gazetës “Dita” më 17 gusht 2025, si akt zemërgjerësie bujarie prej saj, që nuk meriton "të bëhet kaq e madhe" për atë shifër me euro "të qelbta" për arithmetikën, xhepat, kuletat, depozitat bankare...të pushtetarëve edramistë...?!

Po kështu, do të isha më i lexueshëm dhe më i pëlqyeshëm për kontingjentin e "të moderuarve të pavarur" nëse nuk do t'i shikoja kullat 20- 40 katëshe si fruta të industrisë së pastrimit të miliardave nga drograt e Amerikës Latine, të Ndragetasve, të mafias ballkanike, arabe..., por si dëshmi zhvillimi të Shqipërisë dhe pasurimi të shumicës së shqiptarëve, kur në të vërtetë atyre "u bien në duar, kuleta, xhepa fare pak cent apo lekë...!?" Gjithashtu, do të isha më i përfituar nëse do të mbaja qëndrime heshtëse, si kolegët e mi proqeveritarë me maska të çjerra ndaj shitjes së Portit të Durrësit multimiliarderit arab Mohamed Alabbar; të ishullit të Sazanit miliarderit izraelito- amerikan Jared Kushner...!? Plus këtyre, do të përfitoja shumë nëse do të bëja kritika të sfungjerta për dëmshpërblimin rreth 120 milionë euro për Becchettin e për vendimin autoritarist dhe fasadesk të Edi Ramës për të investuar populli më i varfër në Evropë rreth 190 milionë euro për pistën e garave automobilistike në Elbasan...!? Mos vallë për disa “të pavarur” e “të moderuar” do të isha më i pëlqyeshëm nëse do të shkruaja si “bojaxhi” e si “avokat mbrojtës” për rreth 300 milionë euro të investuar për inceneratorë, që më shumë i djegin shumicës së shqiptarëve miliona euro se sa plehra, duke e interpretuar këtë si “pakujdesi të paqëllimtë” apo “mungesë profesionalizmi gjatë procesit të marrëveshjeve me palët prodhuese apo shitëse?! Apo që "humbjen" me firmat e Frida Krifcës të rreth 120 milionë eurove fonde mbështetës për bujqësinë, blegtorinë dhe frutikulturën shqiptare nga BE do t'i quaja jo me emrin e vërtetë, dëshmi korrupsioni, por pakujdesi dhe syleshësi ndaj vartësve dhe “bujari të pa interes” ndaj disa miqve dhe mikeshave të saj, pa asnjë lidhje me fushën e bujqësisë nga ish ministrja e bujqësisë!? Apo nëse ekipin qeveritar socialisto- rilindas nr 2 nëpër qeli burgjesh do ta interpretoja jo si pushtim të majës së piramidës qeverisëse nga korrupsioni...?

Mundet që për “pushtetarët socialistë” dhe turmën e “të moderuarve”, që prej një jete u varet supi i majtë vetëm majtas, do të isha më i pëlqyer dhe i vlerësuar edhe nëse ndaj informacionit nga Valencia e Spanjës të mikut dhe kolegut tim Engjëll Musai se “në plazhet e Valencias të Spanjës mbi 90% e sipërfaqeve janë krejt të lira, pa çadra e shezlongë me pagesë”, të mos i bëja as një like e jo më komentin konciz “atje nuk ka plazhe me çadra e shezlongë me pagesë, sepse nuk ka Edi Rama dhe Mirela Kumbaro, që u bien shqiptarëve me top e me çmime të rëndë si gurë, kresë?!” Duke kaluar përtej kufijve të Shqipërisë në Kosovë, MV, Malin e Zi, që të mos u kujtoj lidershipeve të mëhershëm e të sotëm të partive kryesore se me strategjitë, veprimet, gabimet e tyre, me ndasitë, konfliktet, interesat e tyre ngushtësisht partiake, pa apo me dashje, kanë çuar dhe vazhdojnë të çojnë ujë në “mullinjtë” e Beogradit, të Shkupit e Podgoricës?

Mos vallë duhet të mbaj anën e partive opozitare në Kosovë, të cilat me qeveritë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Hoti..., thuajse ia falën Serbisë Veriun e Kosovës dhe ishin të gatshme të nënshkruanin me atë marrëveshjen e asociacionit e t'i kundërvihem Albin Kurtit dhe qeverisë së tij, pse ata, brenda 4 viteve, e ndalën copëtimin e shtetit të Kosovës dhe i kthyen integritetin territorial, sovranitetin politik dhe administrativ mbarë vendor??? Apo duke mos i kujtuar Rama-qeverisë dhe “tifozëve të saj të çmendur” se në Kosovë, MV, Malin e Zi..., që nuk janë vende prodhues të naftës, 1 litër karburant kushton 40-50% më lirë, edhe nga ajo sasi që e eksportojnë nga Shqipëria...?! Nën këtë trysni këshillash për zbutje dhe kambanash alarmi për mbyllje goje me forma ligjore, me miratimin e Draft Kodit Penal Ulsi Manja-Arben Rakipi, më mbetet alternativa e të mos shkruarit fare...opinione për politikën dhe qeverisjen e t’i përkushtohem vetëm krijimtarisë letrare artistike! Kështu, shpëtoj nga burgu e nga ndonjë formë tjetër ndëshkimi, edhe për një dozë “humori shkodran apo anglez” ndaj pushtetarëve gjase socialistë, në epokën e gjase pas komunizmit e të gjase demokracisë...”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat