Deklarata e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, për “rishikimin” e shumicës së Badenterit është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj themeleve kushtetuese të barazisë etnike, një provokim që rrezikon bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e brendshëm të shtetit.
Mekanizmi i shumicës së Badenterit nuk është ndonjë “luks etnik”. Është një shtyllë e domosdoshme për ekzistencën e vet Maqedonisë së Veriut si shtet shumëetnik. Pa pjesëmarrjen, pajtimin dhe bashkëjetesën e komuniteteve si ai shqiptar, ky shtet nuk do të kishte as kuptim politik, as legjitimitet ndërkombëtar.
Nuk ka Maqedoni të Veriut funksionale pa shqiptarët. Ishin shqiptarët që e shpëtuan shtetin nga copëtimi në momentet më të rënda pas pavarësisë. Ishin shqiptarët që nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, duke garantuar paqe dhe stabilitet. Dhe sot, janë shqiptarët që e mbajnë këtë shtet politikisht, ekonomikisht dhe institucionalisht në këmbë.
Pikërisht në këtë realitet, ministri i Drejtësisë – njeriu që duhet të jetë garantues i barazisë para ligjit – propozon përmbysjen e një mekanizmi që ruan barazinë? Kjo nuk është vetëm cinizëm politik, por një përçmim i hapur për rendin kushtetues dhe për gjithçka është ndërtuar me mund që nga viti 2001.
Deklaratat e tilla janë benzinë mbi zjarrin e një shoqërie që ende përpiqet të shërojë plagët e së kaluarës. Janë sinjale se një pjesë e elitës politike nuk ka mësuar asgjë nga historia – dhe nuk ka interes për të ndërtuar një shtet të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Nëse mekanizmat e barazisë etnike hiqen, atëherë për cilin shtet do të flasim? A do të jetë Maqedonia e Veriut më afër Bashkimit Evropian – apo më afër modelit të shteteve të dështuara, ku shumica sundon mbi pakicën pa asnjë frenë institucionale?
Një shtet që shtyp gjuhën, kulturën dhe përfaqësimin politik të komuniteteve që e ndërtojnë atë, është një shtet artificial, i paqëndrueshëm, dhe i destinuar për krizë të vazhdueshme.
Prandaj, mesazhi është i thjeshtë: Badenteri nuk është për diskutim. Ai është vija e kuqe. Çdo përpjekje për ta zhbërë, modifikuar apo relativizuar do të shihet si sulm ndaj rendit kushtetues, ndaj Marrëveshjes së Ohrit, dhe ndaj vetë idesë së Maqedonisë së Veriut si shtet për të gjithë qytetarët e saj.
Ministri Filkov duhet t’i tërheqë menjëherë deklaratat e tij ose të largohet nga detyra. Sepse kur vetë ministri i Drejtësisë bëhet simbol i padrejtësisë dhe përjashtimit, atëherë kriza nuk është vetëm politike – është edhe morale dhe institucionale.